eksperti-banner

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pas një kontrolli të detajuar të një veture në dalje të Kosovës, saktësisht në Bërnjak ka zbuluar një shumë prej mbi 30 mijë eurove te personat, të cilët nuk i kishin raportuar.

Dogana bën të ditur se vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara është 30,328 euro.


“Gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në dalje të territorit të Kosovës, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë selektuar për kontroll të vijës së dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj.

Gjatë intervistimit fillestar, personat e ndaluar janë pyetur nëse posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim, me ç’rast kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Pas kësaj, është kryer një kontroll i detajuar i automjetit, përfshirë hapësirën e brendshme, bagazhin dhe një çantë personale krahu që përdorej për ruajtjen e dokumenteve, mjeteve monetare dhe sendeve të tjera personale”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara.

Dogana njofton se pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.

Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: 25,515 euro (EUR) dhe 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro.

“Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komnunikatë.

Dogana tutje sqaron se në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra.

“Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/