Testet për zbulimin e hershëm të shumë llojeve të kancerit ofrojnë një qasje revolucionare të skriningut për disa forma kanceri njëkohësisht, përmes një mostre të vetme gjaku

Një test i ri i biopsisë së lëngshme mundëson diagnostikimin më të hershëm të shumë llojeve të kancerit, sipas një studimi të botuar në revistën Cancer. Aktualisht, skriningu rutinë është i kufizuar vetëm në disa tipe kanceri.


Hulumtimi i ri tregon se testimi rutinë me biopsi të lëngshme, pra testi për zbulimin e hershëm të shumë kancereve, mund të zvogëlojë ndjeshëm numrin e diagnozave në fazë të avancuar, duke u dhënë pacientëve mundësinë të fillojnë trajtimin më herët, kur kanceri ka më shumë gjasa të përgjigjet ndaj terapisë.

Testi i biopsisë së lëngshme zbulon disa lloje kanceresh nga një mostër gjaku

Aktualisht, skriningu rutinë rekomandohet vetëm për katër lloje kanceri, ndërsa rreth 70 % e rasteve të reja zbulohen vetëm pas shfaqjes së simptomave, zakonisht në faza të avancuara, kur normat e mbijetesës janë më të ulëta. Testet për zbulimin e hershëm të shumë kancereve përfaqësojnë një mënyrë të re revolucionare për skrining të shumë llojeve të kancerit njëkohësisht, përmes një mostre të vetme gjaku.

Për të vlerësuar ndikimin e një testi të tillë, të quajtur Cancerguard, studiuesit përdorën të dhëna epidemiologjike nga baza për mbikëqyrje, epidemiologji dhe rezultate përfundimtare, dhe zhvilluan një model simulimi për 14 lloje kanceresh që përbëjnë pothuajse 80 % të rasteve të incidencës dhe mortalitetit nga kanceri, transmeton Telegrafi.

Testi i ri mund të përmirësojë mbijetesën

Studiuesit simuluan ecurinë 10-vjeçare të sëmundjes te 5 milionë të rritur në SHBA, të moshës 50–84 vjeç, duke vlerësuar efektet e përfshirjes së testit vjetor për zbulimin e hershëm të shumë kancereve në kujdesin standard.

Modeli tregoi se gjatë një dekade, ky test shtesë mund të çojë në një rritje prej 10% në diagnozat e fazës I, 20% në fazën II, 30% në fazën III dhe 45% në fazën IV, krahasuar me kujdesin standard. Rëniet më të mëdha absolute në diagnozat e fazës IV u vunë re te kanceri i mushkërive, ai kolorektal dhe pankreatik, ndërsa rëniet më të mëdha relative te kanceri i qafës së mitrës, mëlçisë dhe ai kolorektal.

“Analiza jonë tregon se testet e gjakut për shumë lloje kanceri mund të përbëjnë një pikë kthese në kontrollin e sëmundjes”, shpjegon Dr. Jagpreet Chhatwal, autor kryesor i studimit dhe drejtor i Institutit për Vlerësimin e Teknologjisë në Massachusetts General Hospital dhe Harvard Medical School.

“Sjellja e diagnostikimit në faza më të hershme, përpara se kanceri të përhapet, mund të përmirësojë mbijetesën dhe të ulë barrën personale e ekonomike të kësaj sëmundjeje”, përfundon ai. /Telegrafi/