LAJMI I FUNDIT:

Termokos: Mungesa e ngrohjes për shkak të ndërprerjeve të rrymës

Termokos: Mungesa e ngrohjes për shkak të ndërprerjeve të  rrymës

Termokosi ka njoftuar se për shkak të ndërprerjeve të gjata dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, është pamundësuar furnizimi me ngrohje për banorët e Prishtinës.

“Natën e mbrëmshme menjëherë pas mesnate për gjashtë orë me radhë është ndërprerë energjia elektrike. Ndërkaq, si pasojë e ndërprerjeve dhe vazhdimit të mungesës së energjisë elektrike edhe gjatë ditës së sotme për afro 10 orë, është dëmtuar sistemi i furnizimit me ngrohje, janë shkaktuar probleme të shumta dhe disa rrjedhje në rrjetin e ngrohjes”, theksohet në komunikatën e Termokosit për media.


Aty theksohet se ekipet e Termokosit janë mobilizuar menjëherë dhe janë duke bërë të pamundurën për evituar problemet e paraqitura dhe për të stabilizuar furnizimin me ngrohje.

“Kjo situatë dramatike është e papranueshme për “Termokos”-in dhe shkatërruese për sistemin e ngrohjes qendrore për funksionalizimin e të cilit janë shpenzuar miliona euro, shumë mund dhe përkushtim”, thonë në Termokos.

Ndërprerja të tilla të paralajmëruara të energjisë elektrike, sipas zyrtarëve të Termokosit ka pasur disa herë gjatë këtij sezoni ngrohës.

“Në situata të tilla shkaktohen probleme të shumta dhe dëmtime të sistemit të ngrohjes qendrore, të cilat rrezikojnë seriozisht stabilizimin dhe vazhdimin e furnizimit me ngrohje. Me keqardhje të thellë, që pa dashjen tonë na është pamundësuar kryerja e misionit tonë kërkojmë mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”.

Kurse KEDS-i ka njoftuar se dy dalje janë jashtë funksionit të cilat e furnizojnë me rrymë Termokosin.

“Dy daljet që furnizojnë Termokos-in janë funksionalizuar. Njëra dalje është kyçur rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa dalja alternative në të cilën është djegur ndërprerësi është rregulluar rreth orës 14:00”, thekson KEDS-i. /Telegrafi/