LAJMI I FUNDIT:

Tërhiqen paditë për shpifje ndaj veprimtarëve të mjedisit Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi

Tërhiqen paditë për shpifje ndaj veprimtarëve të mjedisit Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi

Organizata Amnesty International dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, thanë të mërkurën se kompania Kelkos Energy ka tërhequr padinë për shpifje ndaj dy veprimtarëve për mbrojtjen e mjedisit, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

Në vitin 2020, kompania Kelkos Energy, që është përgjegjëse për hidrocentralet në qytetin e Deçanit në Kosovë, akuzoi veprimtaren Shpresa Loshaj për përpjekje për të dëmtuar reputacionin e kompanisë me “deklarata të pavërteta”, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim. Po atë vit, Kelkos Energy paditi edhe veprimtarin, Adriatik Gacaferi për një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin ai kritikoi operacionet e kompanisë, duke kërkuar tërheqjen e shkrimit të tij dhe 10 mijë euro dëmshpërblim.


Avokatja Rina Kika që ka përfaqësuar Shpresa Loshajn dhe Adriatik Gacaferin në këtë padi tha sot në një konferencë me gazetarë në Prishtinë se heqja dorë nga këto dy padi është fitore për lirinë e shprehjes.

“Me heqjen dorë nga këto dy padi u dëshmua ajo që kemi thënë gjatë gjithë kohës së “Kelkos” e ka ditur se nuk mund të fitojë në këto dy padi të pabazuara dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata të fitojnë, por ka qenë që aktivistët dhe zërat tjerë kritikë të heshtën dhe të frikësohen për kritikimin e kësaj kompanie dhe operimeve të saj në Grykën e Deçanit”, tha avokatja Kika.

Shpresa Loshaj, që ishte e paditur në këtë rast tha se do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e mjedisit në zonën e Deçanit.

“Përkundër që “Kelkos”-i ka vendosur të heq këto padi, unë dua të theksoj se asgjë nuk ka ndryshuar në grykën e Deçanit dhe kjo është më e rëndësishmja ta dimë. “Kelkos-i” po vazhdon të degradojë grykën dhe Lumbardhin e Deçanit sepse po operojnë kundërligjshëm, kundër vendimit që ka nxjerrë Gjykata Supreme e Kosovës se hidrocentralet e “Kelkos”it nuk mund të operojnë në këto kushte. Sot ne ishim për të verifikuar, edhe sot dhe prej që është nxjerrë vendimi “Kelkos-i” nuk është ndaluar së vepruari”, tha ajo.

Rrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit. Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin e mbrojtësve të mjedisit dhe protestat e banorëve.

Zonja Loshaj tha se pret nga ministria e Mjedisit e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të ndërmarrin hapa në zbatimin e vendimit të gjykatës së lartë e cila ka pezulluar punën e hidrocentraleve pas padisë së qytetarëve në Deçan dhe organizatave të shoqërisë civile.

Tërheqja e padisë ndaj veprimtarëve të mjedisit në Kosovës është mirëpritur nga organizata Amnesty International. Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor në këtë organizatë në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se tërheqja e padisë është një lajm i mirë për të gjithë veprimtarët e të drejtave të njeriut.

“Pra, në këtë rast, me të vërtetë është një fitore e madhe për lirinë e shprehjes në Kosovë dhe ne jemi vërtet të kënaqur që Kelkos Energy dhe Kelag International gjithashtu e pranuan se këto padi ishin të pabaza dhe që do të ishin një kërcënim për lirinë e shprehjes në Kosovë dhe morën vendim të drejtë për tërheqjen e padisë në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte”, tha ajo.

Zonja Sesar thotë se Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) janë shndërruar në mjet që po përdoret gjithnjë e më shpesh nga qeveri e korporata që të shënjestrojnë dhe frikësojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët që paraqesin keqpërdorimet e atyre që mbajnë pushtet.

“Ky lloj padie për shpifje maskohet ose paraqitet si një padi e vërtetë, por në fakt ato keqpërdorin sistemin gjyqësor për të shkuar pas ndonjë veprimtari që të përpiqet ta heshtë dhe ta frikësojë dhe veçanërisht në rastet kur përfshihen kërkesa të mëdha për kompensim”, tha ajo.

Zonja Sesar thotë se Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike janë një trend që ka shënuar rritje, jo vetëm në Kosovë por edhe gjithandej Evropës. Ajo tha se Amnesty International është duke ndjekur nga afër përpjekjet e Bashkimit Evropian për krijimin e legjislacionit kundër padive SLAPP. Ajo thotë se me këtë do të përfitonin edhe vendet e Ballkanit. Zonja Sesar thotë se autoritetet në Kosovë duhet të krijojnë mjedis të përshtatshëm për njerëzit që të flasin lirshëm për brengat e tyre.

“Pra, në këtë rast, qeveria e Kosovës duhet të zbatojë ligjet. Në letër e gjithë kjo tashmë është e përsosur, por më e rëndësishme është që autoritetet e Kosovës të krijojnë një mjedis të përshtatshëm në të cilin njerëzit do të ishin në gjendje të flisnin lirshëm për çështjet për të cilat ata brengosen dhe atë pa frikë nga ndëshkimi ose padi të tilla”, tha ajo./VOA

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori