Menopauza nuk duhet të nënkuptojë vite të tëra me valë të nxehta dhe pagjumësi – terapia hormonale mund të ndihmojë, ndërsa studimet e reja tregojnë se rreziqet nuk janë aq të mëdha sa janë paraqitur për vite me radhë

Valët e nxehta, pagjumësia dhe ndryshimet e shpeshta të humorit janë vetëm disa nga simptomat me të cilat përballen gratë gjatë peri- dhe postmenopauzës. Për shumë prej tyre, terapia hormonale mbetet mënyra më efektive për të gjetur lehtësim. Megjithatë, për dekada me radhë këto terapi kanë mbartur të ashtuquajturat “paralajmërime të zeza”, që i frikësuan gratë për shkak të rrezikut të mundshëm nga goditja në tru, tromboza, demenca apo kanceri i gjirit.


Sot, Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) po shqyrton mundësinë e heqjes së këtyre paralajmërimeve nga disa medikamente, ndërsa ekspertët theksojnë se rreziqet shpesh janë paraqitur në mënyrë të pasaktë dhe të ekzagjeruar.

Për gratë që ende hezitojnë, këshilla më e rëndësishme është: bisedoni me mjekun tuaj dhe gjeni balancën midis përfitimeve dhe rreziqeve, sepse menopauza nuk duhet të jetë vite të pafundme vuajtjesh, transmeton Telegrafi.

Pse terapia hormonale fitoi reputacion negativ?

Në vitin 2002 u publikua një studim i madh në JAMA Network, i cili shkaktoi panik tek gratë dhe mjekët. Ai përfshinte kryesisht gra më të moshuara që kishin filluar terapinë hormonale 10 ose më shumë vite pas menopauzës, dhe tregonte rrezik të shtuar për kancer të gjirit dhe sëmundje kardiovaskulare.

Mjekët sot theksojnë se aty qëndronte gabimi metodologjik: rezultatet nuk vlejnë për gratë më të reja që nisin terapinë menjëherë pas shfaqjes së simptomave të menopauzës.

“Rreziqet janë ekzagjeruar. Vendimtare është kur gruaja nis terapinë dhe në çfarë doze”, shpjegon dr. Mary Rosser, drejtoreshë e Qendrës për Shëndetin e Gruas në Qendrën Mjekësore Universitare Columbia.

Kur terapia hormonale sjell më shumë përfitime?

Studimet e reja tregojnë se koha e nisjes është thelbësore. Terapia është më efektive kur fillon pranë menstruacioneve të fundit dhe para moshës 60 vjeç.

Edhe mënyra e administrimit bën diferencën:

  • Estrogjeni vaginal me doza të ulëta ndihmon lokalisht kundër thatësisë dhe dhimbjes gjatë marrëdhënieve.
  • Terapia sistemike (tableta, flasterë, xhel, sprej, unazë vagjinale) është më e efektshmja kundër valëve të nxehta, pagjumësisë dhe djersitjes së natës.

“Hapat hormonale mbeten medikamenti më i fuqishëm për të zbutur simptomat e menopauzës. Por nuk ka zgjidhje universale, vendimi merret individualisht, në varësi të shëndetit të gruas, historisë familjare dhe rezultateve të ekzaminimeve,” thekson dr. Céline Gounder, këshilltare mjekësore.

Pse është i rëndësishëm vlerësimi individual?

Gratë që mendojnë për terapinë hormonale duhet të këshillohen me gjinekologun ose endokrinologun e tyre. Mjeku mund të bëjë një vlerësim të personalizuar të rrezikut duke marrë parasysh faktorë si:

  • histori familjare me kancer gjiri,
  • gjendjen kardiovaskulare,
  • rastet e mëparshme të trombozës,
  • stilin e jetës dhe peshën trupore.

Pacientet që reagojnë mirë shpesh raportojnë lehtësim të shpejtë të simptomave, gjumë më të qetë, humor më stabil dhe rikthim të energjisë.

Diskutimet dhe kujdesi i nevojshëm

Ndërsa një pjesë e ekspertëve mirëpret nismën e FDA-së për të hequr paralajmërimet, të tjerë paralajmërojnë për kujdes. Një grup prej 76 mjekësh dhe studiuesish ka nënshkruar një letër ku kërkohet analizë shtesë dhe debat publik para marrjes së vendimit përfundimtar.

“Heqja e paralajmërimeve pa prova të mjaftueshme mund t’i ekspozojë pacientet ndaj rrezikut”, theksohet në letër.

Megjithatë, shumë specialistë e shohin këtë si një hap të rëndësishëm drejt destigmatizimit të terapisë hormonale dhe rritjes së qasjes për gratë që për vite të tëra kanë duruar simptomat e menopauzës.

Biseda me mjekun është kyçe

Terapia hormonale mbetet trajtimi më efektiv për valët e nxehta, pagjumësinë dhe problemet e tjera të menopauzës, por vendimi për ta përdorur duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë individuale. Shkenca tregon se rreziqet varen nga koha e fillimit, doza dhe mënyra e administrimit, jo vetëm nga vetë terapia. /Telegrafi/