Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: D.A.,dhe A.A., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja në tentativë”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 13 Gusht 2026, rreth orës 06:10, në Ferizaj, në marketin e pompës së derivateve “Hib Petrol”, të pandehurit me dashje dhe në bashkëveprim, së bashku me të miturin, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A., dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një viti më parë në Zvicër, me t’u takuar ditën kritike fillimisht e përcjellin me veturë e posa i dëmtuari futet ne market dalin nga vetura, ku i pandehuri D.A., nxjerr nga xhepi një mjet të mprehtë – thikë dhe e godet njëherë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa i pandehuri A.A., e godet të dëmtuarin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, kurse i mituri me një mjet të rrezikshëm – shkop druri e godet të njëjtin në pjesë të ndryshme të trupit, për çka i dëmtuari detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas edhe në QKUK në Prishtinë, me të cilën në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.


Të pandehurit e lartëcekur, që nga data 13 Gusht 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur. /Telegrafi/