Tentoi të hynte në Shqipëri teksa ishte në kërkim, ndalohet 55-vjeçari serb

Një shtetas serb është ndaluar në Pikën Kufitare të Morinës, ndërsa tentonte të hynte në Shqipëri, pavarësisht se ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje dhe verifikimeve të detajuara për parandalimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, bënë të mundur ndalimin e shtetasit serb G. S., 55 vjeç.
Nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe partnerëve gjermanë, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane. Ai ishte dënuar me masën e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Mainz, për veprat penale “Evazion fiskal” dhe “Përfitim i kundërligjshëm i pagave apo shpërblimeve të personave të tjerë”.
Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e 55-vjeçarit drejt Gjermanisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë gjermane./EuronewsAlbania/.

















































