Një takim i planifikuar midis Komisionerit të Tregtisë të BE-së, Maros Sefcoviq, dhe homologut të tij kinez u anulua të premten, pasi Komisioni Evropian zgjodhi bisedime në nivel ekspertësh për të ulur tensionet mbi kontrollet e eksportit të metaleve të rralla nga Pekini, të cilat udhëheqësit e BE-së po i quajnë shtrëngim ekonomik.

Takimi do të mbahet si në internet ashtu edhe me pjesëmarrje fizike në Bruksel, pasi Komisioni ka qenë nën presion që nga nata e së enjtes nga 27 shtetet anëtare, të cilat i kanë bërë thirrje të punojë për një përgjigje të fortë ndaj praktikave të padrejta tregtare të partnerëve ndërkombëtarë - para së gjithash, Kinës.


Njoftimi vjen menjëherë pasi një udhëtim në Pekin nga ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul u anulua gjithashtu, siç tha një zëdhënës i ministrisë së tij të premten, pa specifikuar nëse ishte Kina apo Gjermania që e anuloi udhëtimin.

Bëhet e ditur se Pekini akuzohet nga homologët e tij evropianë se i përdor si armë eksportet e materialeve të rralla tokësore, për të cilat ka vendosur një regjim licencimi që nga 9 tetori.

Këto minerale janë thelbësore për industritë e BE-së, siç janë sektori i automobilave, mbrojtjes, teknologjisë së gjelbër dhe ai digjital.

“Është shtrëngim ekonomik”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Në përgjigje të kërcënimeve tregtare kineze, evropianët miratuan në vitin 2023 një set mjetesh për t'iu kundërvënë presionit të shteteve të vendeve të treta përmes masave të tilla si tarifat ose kufizimet në aksesin në prokurimin publik, licencat ose të drejtat e pronësisë intelektuale.

Për ta aktivizuar atë, kërkohet një shumicë e kualifikuar e 27 shteteve anëtare, e cila nuk është e garantuar duke pasur parasysh pikëpamjet e tyre të ndryshme.

“Ne folëm për Instrumentin kundër shtrëngimit, por nuk morëm asnjë vendim”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz.

Jo të gjitha shtetet anëtare mbrojnë të njëjtat interesa përballë gjigantit aziatik, duke pasur parasysh lidhjet e tyre ekonomike me Pekinin.

Megjithatë, nën presionin e Francës, 27 udhëheqësit ranë dakord mbi nevojën që Komisioni “të përdorë në mënyrë efektive të gjitha instrumentet ekonomike të BE-së” për të penguar ose kundërshtuar kërcënimet e jashtme. /Telegrafi/