Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka reaguar ndaj kritikave të ish-sulmuesit të Chelseat, Diego Costa, duke theksuar se në futboll ka njerëz inteligjentë dhe budallenj, dhe se ai nuk do të humbasë kohën duke u fokusuar tek ato që thonë të tjerët.

Conte po kalon një periudhë të vështirë me Napolin, përballë shumë lëndimeve dhe një humbjeje të rëndë 3-0 kundër ish-klubit të tij, Juventusit, në Serie A, raporton Football Italia.


Çfarë tha Diego Costa për Conten?

Diego Costa, i cili fitoi Ligën Premier me Chelsean në sezonin 2016/17 nën drejtimin e Contes, foli së fundmi në podcastin e John Obi Mikel, duke komentuar jo vetëm si trajner, por edhe si person.

“Conte është i mirë si trajner, por si person ai është gjëja më e keqe që mund të të ndodhë në punën tënde të përditshme. Ai është shumë i keq. Ai është një njeri që nuk i beson askujt dhe mendon se di gjithçka. Nuk është kënaqësi të stërvitesh me të. Ai është gjithmonë i zemëruar, gjithmonë i vrenjtur. Ndoshta nuk bën seks në shtëpi sepse është shumë i hidhëruar”.

“Më vjen keq sepse isha shumë i lumtur te Chelsea, por nuk doja t’i shkaktoja probleme klubit. Lojtarët donin që unë të kthehesha, por askush nuk e pëlqente. Kjo është arsyeja pse ai nuk qëndroi gjatë”, deklaroi Costa

Përgjigja e Antonio Contes

Në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, Conte komentoi shkurt dhe prerë rreth fjalëve të tij.

“Sinqerisht, nuk e humbas energjinë time duke lexuar gazetat dhe duke ndjekur atë që thuhet. Ka njerëz inteligjentë dhe budallenj në futboll, kështu që nuk do ta humbas kohën time duke lexuar atë që thonë ata”.

“Costa ishte me mua për një sezon. Mund të flas për futbollin: ne fituam ligën dhe ai u përpoq të largohej tre herë në të njëjtin sezon. Çfarë ndodhi më pas, nuk e di”, deklaroi Conte.


Një marrëdhënie e tensionuar te Chelsea

Diego Costa dhe Antonio Conte kanë pasur tensione të pazgjidhura që nga koha kur punuan së bashku te Chelsea në vitin 2017.

Gjatë verës, Conte i kishte dërguar një mesazh Costas se nuk ishte më i nevojshëm në klub, pavarësisht se sulmuesi spanjoll kishte shënuar 20 gola në sezonin e Ligën Premier dhe ishte në formë të shkëlqyer.

Marrëdhënia e tyre mbeti e tendosur gjatë gjithë sezonit, duke lënë shije të hidhur për të dyja palët. /Telegrafi/

telegrafi sport app