LAJMI I FUNDIT:

Temelko gënjeu, nuk deklaroi se u arrestua në Maqedoni

Temelko gënjeu, nuk deklaroi se u arrestua në Maqedoni

Edmond Temelko, kryetar i Bashkisë së Pustecit nuk ka treguar se është arrestuar dhe ka qenë në hetim në Maqedoni.

Në dokumentin e vetëdeklarimit, sipas ligjit për dekriminalizimin, Temelko thotë se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e veprave penale, nuk është ndaluar dhe as arrestuar dhe as i është caktuar ndonjë masë sigurie.


Por në shkurt të vitit 2016, Prokuroria Speciale në Maqedoni përfshiu në hetimin për çështjen “Titaniku” edhe Edmond Temelkon, i cili u lajmërua zyrtarisht se u arrestua së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë maqedonas.

Ata u akuzuan për manipulim të zgjedhjeve. Rreth 500 banorë të Pustecit, shtetas shqiptarë me kombësi maqedonase, rezultonin se ishin votues në Maqedoni. Temelko thotë se nuk ka qenë nën hetim, por Prokuroria Speciale në Maqedoni vijoi hetimet e nisura derisa presidenti Ivanov shpalli amnisti, shkruan Top Channel.

Gjithashtu, Temelko thotë se ndaj tij nuk ka asnjë masë shtrënguese sigurie, ndërsa në Shkup raportohet se Gjykata Themelore, edhe pse e liroi, i vendosi atij detyrimin që të paraqitej një herë në javë në Gjykatën e Resnjes.
Temelko është rizgjedhur kryetar bashkie në Pustec, i emëruar nga Aleanca Maqedonase, parti që në zgjedhjet e fundit u bë pjesë e koalicionit të majtë./Telegrafi/