LAJMI I FUNDIT:

A do të shpëtojë gjiganti industrial NewCo Ferronikeli në Kosovë?

A do të shpëtojë gjiganti industrial NewCo Ferronikeli në Kosovë?

Pandemia botërore e shkaktuar nga përhapja e COVID-19, përveç kërcënimit të jetës së njerëzve, ka shtuar peshë mbi supet e shumë sektorëve të ekonomisë në Kosovë.

Kufizimet e menjëhershme patën si rrjedhojë frenimin e prodhimit botëror dhe krijimin e vështirësive logjistike të shumëllojshme. Ulja e prodhimit botëror ndikoi keq në atë fushë të ekonomisë që është e lidhur me eksportet, por njëkohësisht janë edhe ndër më të rëndësishmit për ekonominë e vendit.


Një nga sektorët e ekonomisë që e ndjeu më shumë pandeminë ishte sektori minerar, nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve. Kjo industri përbën një rëndësi të veçantë për arkën e shtetit, pasi është ndër taksapaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj. Gjithashtu sektori minerar në Kosovë është ndër eksportuesit më të mëdhenj dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vetëm NewCo Ferronikeli Complex LLC përbën rreth 40 për qind të eksporteve në vend.

Industria më e rëndësishme e vendit edhe ashtu nuk po kalonte një periudhë të mirë edhe para pandemisë COVID-19. Rënia e çmimeve në bursat ndërkombëtare të ferro-nikelit e kishte vënë më shpatulla pas murit qysh gjatë vitit 2019. Nga nëntori i vitit 2019 e deri me fillimin e pandemisë, çmimi i ferro-nikelit në tregjet botërore pësoi një rënie prej më shumë se 30 për qind. Kjo rënie e çmimit solli jo pak vështirësi për kompaninë NewCo Ferronikeli Complex LLC, të cilat u reflektuan te niveli i eksporteve të vetë Kosovës.

Pa u shfaqur ende mundësia që kompania dhe Qeveria të merreshin me masat e përbashkëta për tejkalimin e situatës së krijuar, u shfaq pandemia botërore që i përkeqësoi edhe më tej tregjet botërore dhe pezulloi të gjithë kërkesën për ferro-nikelin kosovar. Kompania NewCo FerroNikeli Complex LLC ka mbi 850 të punësuar të drejtpërdrejtë dhe po kaq të punësuar nga nënkontraktorët që kanë lidhje me këtë industri. Gjithashtu gjatë gjithë kohës së pandemisë, sipas të dhënave nga institucionet shtetërore, NewCo Ferronikeli Complex LLC ka vazhduar së paguari të gjitha detyrimet dhe taksat pa asnjë vonesë.

Rënia e kërkesës dhe ulja e mëtejshme e çmimit rriti pasigurinë te vetë punonjësit e këtij sektori. Të kontaktuar nga mediat, ata u shprehen shumtë të shqetësuar pasi janë të ndërgjegjshëm se sektori minerar nuk është në pozita shumë të mira, edhe pse NewCo FerroNikeli Complex LLC, vijon që t’i paguajë pagat në kohë. Ajo që i shqetëson më shumë punëtorët është fakti që kjo industri nuk është futur në listën e aktiviteteve ekonomike që marrin mbështetje financiare për subvencionimin e pagave të punëtorëve në vendimet e marra nga Qeveritë e mëparshme dhe në vijim.

Si rrjedhojë të përkeqësimit të ekonomisë botërore, NewCo FerroNikeli Complex LLC u detyrua të ndalojë plotësisht linjën e prodhimit, kryesisht përgjatë muajve korrik – shtator. Nisur edhe nga situata në të cilën ishte kompania para se të blihej nga Grupi Balfin, ku rrogat vonoheshin për periudha disa mujore, shqetësimi i punëtorëve duket shumë real.

Ndërkohë, vetë drejtuesit e industrisë më të rëndësishme në Kosovë, edhe pse nuk pranojnë të prononcohen për mediat, pohojnë që po presin një përgjigje nga ana e Qeverisë për një paketë ekonomike që do të ndihmonte rimëkëmbjen e ferro-nikelit. Ajo që pritet është ofrimi i ndihmës nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë sektorin minerar në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike me veprimeve konkrete dhe aplikimin e kësaj pakoje sa më parë.

Gjithashtu një plan ndihme do t’i jepte mundësinë NewCo Ferronikeli Complex LLC të vijonte me investimet e planifikuara. Aktualisht kompania po zbaton një investim prej rreth 8 milionë eurosh, me qëllim rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e sigurisë në punë. Teknologjia e re do të mundësojë standarde më të larta mjedisore, eficencë më të mirë në përdorimin e energjisë dhe vende të reja pune. Gjithsesi, rezultatet e këtij investimi nga ana e NewCo FerroNikeli Complex LLC varen shumë edhe nga mbështetja që do t’i ofrojë Qeveria e Kosovës.

I kontaktuar për të mbajtur një qëndrim lidhur me këtë problematikë duket se edhe Arian Zeka, drejtues i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e evidenton mungesën e ndihmës ekonomike për këtë sektor.

“Në propozimet e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë lidhur me rimëkëmbjen dhe qasjen e re ekonomike të vendit, ne kemi kërkuar me theks të veçantë të mbështeten kompanitë prodhuese të cilat eksportojnë. Këto rekomandime përfshijnë masa financiare, siç është rekomandimi për krijimin e linjave revolvuese kreditore ose financimit të bazuar në transaksione, ashtu që bizneset eksportuese të mund të ofrojnë kushte me afate të favorshme të pagesës. Rekomandimet tona gjithashtu përfshijnë edhe stimuj fiskalë, për shembull, lirimi nga pagesa e tatimit në korporata për ndërmarrjet prodhuese që eksportojnë mbi 65% të prodhimeve të tyre. Po ashtu, ne kemi propozuar edhe vazhdimin e subvencionimit të pagave për të gjitha ndërmarrjet në Kosovë, e për një ndërmarrje që punëson shumë persona si Ferronikeli, kjo masë do të ishte lehtësim i madh në menaxhimin e financave dhe lehtësimin e shpenzimeve operative”, shprehet Zeka.

Tanimë, vendet e tjera të rajonit janë duke lëvizur shumë shpejt drejtë dhënies së ndihmës dhe për t’i pozicionuar më mirë në tregun global kompanitë e tyre. Këtu mund të përmendet Maqedonia e Veriut dhe Greqia, që janë konkurruese të drejtpërdrejta, pasi prodhojnë, përpunojnë dhe eksportojnë ferro-nikel. Në ndërkohë edhe Shqipërisë ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm masash për të mbështetur industrinë minerare duke hequr rentën minerare. Këto dhe masa të tjera janë parashikuar që industria minerare të vijojë të operojë edhe gjatë pandemisë dhe te këtë një start favorizues kur ekonomia globale të rifitojë normalitetin.

Duke i kthyer përsëri sytë nga vendi ynë, nuk parashikohet asgjë pozitive për mbështetjen e industrisë minerare dhe krijimin e mundësive që operatorët ekonomik të kenë rritjen e prodhimit dhe eksporteve. Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë masë konkrete për shpëtimin e gjigandit të vetëm që i ka mbetur ekonomisë kosovare. /Telegrafi/