Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot në mënyrë elektronike (virtuale), mbledhjen e radhës, ku u bë e ditur se në seancën e së premtes pikë e parë rendit të ditës të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes komunikatës për medie, është bërë e ditur po ashtu se Kryesia ka shqyrtuar propozimin e deputetit Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.


“Pas diskutimeve, Kryesia vendosi që formimi i këtij komisioni të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e të premtes, 14 gusht 2020. Kurse, sipas vendimit të seancës së datës 7 gusht, pikë e parë rendit të ditës së seancës së të premtes, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, seanca do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19”, thuhet në komunikatën për medie.

Në njoftim thuhet se “në vazhdim të mbledhjes së sotme, Kryesia u njoh me ecurinë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti dhe për herë të parë të kryesuar nga Kosova”. /Telegrafi/