LAJMI I FUNDIT:

A do të mund t’i marrin kontributpaguesit paratë e Trustit Pensional?

A do të mund t’i marrin kontributpaguesit paratë e Trustit Pensional?

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në programin qeverisës në një nga masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, ka paraparë ta fusë në ekonomi një përqindje të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Siç ka deklaruar Hoti, kjo qeveri ka paraparë nëntë masa të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Masa e pestë, siç ka thënë Hoti, parasheh që një përqindje e parave të kontributpaguesve në Trustin Pensional t’i kalojnë kontributpaguesit.

“Masa e pestë për stimulim të kërkesës agregate. Këtu planifikojmë kthimin e një përqindje të mjeteve të kursyera të Trustit Pensional për kontributpagues bazuar ne nevojat e tyre e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhe tre mujore, ndërsa shteti e mbulon brenda disa viteve”, ka thënë Hoti në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Stimulimi i kërkesës agregate nënkupton rritjen e shpenzimeve që eventualisht do ta bënin qytetarët, pas marrjes së parave nga kontributet pensionale.

Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 përqind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind paguhen nga paga e të punësuarit.

Deri më tani, 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të rreth 700 mijë kontributpaguesve në Kosovë, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale.

Nga kjo vlerë, 75 për qind e mjeteve mbahen të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse 25 për qind në Kosovë.

Prej themelimit e deri më 5 qershor, kthimi bruto nga investimi i mjeteve të trustit pensional të investuar ka arritur në rreth 470 milionë euro.

Sa është i mundur realizmi i kësaj iniciative?

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është institucion publik i pavarur dhe jo fitimprurës, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ky Fond është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

Administrimi i këtyre llogarive individuale është përgjegjësi ligjore, megjithëse paratë e kursyera mbesin pronë vetanake e kontribuuesve.

Edhe pse në pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik, ngase ato me legjislacioni në fuqi mund të përdoren vetëm për pension – dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër.

Jeton Demi zëdhënës në këtë institucion përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo çështje aktualisht është vetëm ide.

Por, ai ka shtuar se Trusti i Kursimeve Pensinale është institucion zbatues i politikave që ndërmarrin institucionet mbikëqyrëse Kuvendi i Kosovës e Banka Qendrore.

“Nëse merret vendim për zbatimin e tij, Trusti obligohet ta implementojë”, ka thënë shkurt Demi.

Kërkohen ndryshime ligjore

Për t’u realizuar kjo masë e cila ka të bëjë me kthimin e një përqindjeje të fondit në llogari të kontributpaguesve, duhet ndryshuar baza ligjore, thotë Mejdi Bekatshi profesor në Universitetin e Prishtinës.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo masë do të rriste kërkesën agregate me qëllim që bizneset apo sektori i tregtisë mos të zhytet në krizë. Sipas tij, është një masë e cila do të ndihmonte në ekonomi.

“Kjo është një masë që të gjitha qeveritë në botë e përdorin më të vetmin qëllim që ta rrisin kërkesën agregate. Nga ajo që është thënë në masën e kryeministrit nuk është e qartë se si do të zbatohet kjo masë, por së pari duhet të ndryshohet ligji për Trustin për ta parë se si mund të përdoren mjetet”, thotë ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se kthimi i një përqindje të mjeteve të kursyera të Trustit Pensional për kontributpagues do të ishte me efekte pozitive në ekonomi.

Ai beson se ndryshimet ligjore që duhet bërë për të përdorur këto mjete do të arrihen të bëhen në Kuvendin e Kosovës.

“Përshkrimi që i është bërë kësaj mase nga ana e qeverisë së re ka për qëllim stimulimin e kërkesë agregate, rritjen e shpenzimit të konsumatorëve, ofrimin e mundësive që ata të kenë në dispozicion një shumë të caktuar të mjeteve që siç e ka sqaruar kryeministri mund të përdoret për shpenzime ditore”, tha Zeka.

Ai thotë se edhe pse pakoja e rimëkëmbjes nuk e përmend shumën që mund të tërhiqet, sipas sqarimeve, thotë Zeka, bëhet fjalë për një 10 për qind të mjeteve të kursyera që në total i bie deri në 200 milionë euro, e të cilat do të ishin një infuzion shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonominë e Kosovës janë të zymta.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë.