LAJMI I FUNDIT:

Të mësojmë nga mali

Të mësojmë nga mali
Ilustrim

Një fjalë e urtë thotë “ Mali ka vesh, fusha ka sy”. Edhe në pyll ka rend në çdo stinë të vitit, natën e ditën. Për të bërë atdhe të dashur, duhet të vendosim rend. Për të vendosur rend duhet punë natë e ditë. Lule e bimë, bisha të egra, të mëdha e të vogla, shpezë të llojllojshme, të vogla e më të vogla, bimë të ulëta, të mesme, të larta e më të larta, që jetojnë e zhvillohen në periudha të caktuara dhe asnjëra nuk rrezikon zhdukjen nga tjetra, përveç nga dora e njeriut. Nga bimët mikroskopike deri të ato gjigante ruhet rendi. Aty ku prekët rendi jetësor, thahet edhe lisi më i madh. Kështu ndodhë edhe me njerëz, nëse nuk vendoset rend. Njerëzit do të mund të mësonin shumë nga mali. Së pari mund të mbajnë fjalën si mali. Mjafton që njerëzit të mbajnë rend aq sa bimët e malit. Nga mali jetojmë dhe prej atje na vjen ngrohja, ushqimi e shpëtimi edhe në kohët më të rënda. Mund ta ngrohim shpirtin edhe me pak dru, pa e dëmtuar zemrën e malit. Mali dinë edhe të hakmerret, kur njeriu e tepron zullumin. Jo pak herë keni dëgjuar si mali vrau druvarin, që po e dëmtonte tepër. Mali do rregull edhe kur e presim për ngrohje dhe ndërtim. Nuk ka gjallesë mali, që nuk e ndihmon tjetrën edhe atëherë kur i shërben si ushqim. Edhe ne duhet ta ndihmojmë njeri tjetrin. Edhe ne duhet të sillemi kështu, së pari me njëri tjetrin, por edhe me malin.

Mendohuni mirë, sa herë vendosni për të prerë një dru! Duhet të mendoni mirë edhe kur vendosni të ikni. Zinxhiri i jetës mbi tokë është tepër i ndjeshëm, sa që për një lidhje molekulare mund të prishet baraspesha e jetës.


Edhe kur ikën të gjithë nga fshati, plaku nuk derdhi lot. Eh, sa dhimbjet i ka kapërdi pa lot plaku!? Me lot nuk ndreqet asgjë, i thoshte vetës në heshtje. Kësaj radhe, shpirti i plakut u ligë më tepër. Iu kujtuan pushtimet e njëpasnjëshme nga armiqtë, që nuk iu hoqën qafe kurrë. Nuk ishin ato lufta mes ushtrive, por ishin të gjitha krime mbi njerëz të pa mbrojtur. Iu kujtuan malet ku jetoi shumë herë gjatë jetës. Malet tona ishin kështjella që nuk i pushtonte dot asnjë armik. Aq shumë palë bjeshkë ka atdheu ynë sa nuk numërohen dot. Asnjë armik nuk ka dal i gjallë përtej maleve tona. Askush nuk i ka numëruar e as do t’i numërojë ndonjëherë, sa palë kodrina, kodra, male e bjeshkë kemi. Brenda çdo kodre ka pa numër kodrina, të vogla e më të vogla. Brenda çdo bjeshke të lartë, ka të tjera maje bjeshke, më të ulëta e shumë më të ulëta, fare të vogla e më të vogla, që nuk i numëron dot njeriu. Të gjitha këto i njeh në çdo hap, vetëm kur jeton e punon këtu, more dai! Shikoni sa e ngjashme është natyra me njerëzit! Thellohuni pak duke lexuar, e do të mësoni shumë.

Askush nuk i njeh malet e bjeshkët, kodrat e kodrinat e pakufishme si atdhetari. Atëherë kur shterej çdo mundësi për jetë, iu drejtoheshim maleve. Malet tona, më shekuj qenë dhe mbeten mburojë për ne. Në mal gjenim strehë edhe ushqim. Kthesat e mëdha historike i kemi pritur në male. Mali ruan zjarrin në çdo stinë. Gjuhën e malit e kuptoni lehtë vetëm nëse e doni atë sa jetën. Vetëm duke njohur malin, gjeni çelësin e mbijetesës. Vetëm duke e njohur e duke e dashur njëri tjetrin edhe njerëzit gjejnë mirëkuptimin. Malet nuk janë nëpër qytete, por atje përbri si mure kështjellash të pathyeshme. Kështu janë edhe njerëzit kur jetojnë në çdo pjesë të atdheut. Vetëm në truallin e vet, njerëzit iu përngjajnë bedenave të kështjellave. Shuarja e jetës nëpër fshatra është e rrezikshme për atdheun. Është rrezik të këputet kjo lidhje.

Pa zjarr nuk ka jetë. Ku ka mal, ka zjarr. Ku ka mal, ka ujë. Ku është burimi i ujit, aty është jeta. Po, more dai, edhe ku ka njeri ka zjarr e konak. Nga këto burime, rridhte shpresa e pathyeshme për të vazhduar gjallërimin këtu në malet e tona, të cilat, të parët tanë, përherë i krahasonin me vet jetën.

Erdhi edhe dita kur plaku, nisi t’i shikonte malet me mallëngjim. E dinte se ato nuk flasin, por ruajnë me besnikëri kujtimin tonë.

Malet përtërihen me degë të reja, edhe pasi t’i kemi prerë deri në rrënjë, ndërsa na, mor dai, kemi pritur të përtërihemi me nipër, ndërsa ata po ikin çdo ditë. kritikonte vetën.

Ikën, ikën, po ikin, po ikin! Plaku përsëriste këtë refren derisa lodhej. E na? Na nuk ikëm! Çdo armiku ia mësonim taktikën, dhe ashtu silleshim ndaj tij. Armikun e kemi lodhë edhe me gjumë. Kemi bërë luftë të pashpallur me armikun se, cili nga ne do të dorëzohet pa fjetur kurrë. Nuk mund të mos rrëzoheshim, ai apo ne një ditë. Për fitore luftonim çdo ditë e natë. Iu duket sikur një prralle fantastike kjo, por edhe kur flinim ëndërronim lëvizjen tjetër që duhet të bëjmë. Ndërrimi i vendqëndrimit, për ne ishte taktikë shpëtimi, një lloj lufte pa armë. Ishte kjo taktikë që nuk thyhej lehtë. U lidhem fort me malin sepse ai nuk e shkel fjalën kurrë. Sa herë na ka mbrojtur edhe në kushtet më të vështira, vetëm mali e dinë. Na jemi njerëz harrestar e besa edhe mëkatar. Edhe kur harronim armikun, mali ishte aty dhe mbulonte gjurmët tona të freskëta, që i kishim harruar pa mbuluar.

Kështu thoshin të parët tanë dhe kështu vazhduam. Thyerjen e vullnetit për jetë nuk e pranuam edhe kur kaluam nëpër periudha të gjata të skamjes, të cilës nuk i shihej fundi. Vaji i fëmijëve, për ushqim, na vriste shpirtin më rëndë se çdo armik. Sa vjet kaluan kështu, askush nuk e tha asnjëherë, sepse të gjallët ia shtronin vetës detyrën e mbijetesës me çdo kusht. Mund ta kenë shëtitur bjeshkën për fruta të egra, me ditë, por rrugën e kthimit nuk e harronim kurrë.

Rrugën e kthimit në kasolle, ku kishin lënë familjen, nëse e harronin, e paguanin me jetë. Jo pak herë humbën gjithçka, por jo shpresën për një ditë më të mirë. E rëndë ishte lufta për ruajtjen e zjarrit, aq sa ishte për ujë. I harronin të gjitha kur vaji i fëmijës dëgjohej për nënën e vdekur duke ngarendur për ushqim, ose duke u kthyer nga kroi me ujë në lëkurë.

Sa herë kemi harruar ta ruajmë zjarrin në oxhak, kemi lodruar nëpër fqinjë për të huazuar një gacë. Po të mos kishim zjarr, mbeteshim pa ngrënë. Uji, zjarri, dhe ushqimi, gjenden në mal. Dikur, një fije shkrepëse e krahasonim me një jetë njeriu. Mbase edhe me shumë se një jetë. Në një natë dimri, në mal shpëton me zjarr.

Po tash? Edhe sot, kur keni marrë ikën, mali qëndron aty, besnik i pathyeshëm i kësaj toke. Duke u përshëndetur me ty, atë ditë e pashë se po mbetem vetëm me malin. Mbeta në dorë të malit, në përqafim të shokut tim të vjetër, i cili mban fjalën. Miqësinë me malin e kam ruajtur akoma. U ndamë me ty atë ditë, pa asnjë fjalë. Ti o djalosh, mos u habit kur më dëgjon duke folur apo edhe duke kënduar vetmeveti. Tash, mali më shikon me mallëngjim e dhembje. Sa keq që mali nuk flet. Me duket ai kishte lexuar vendimin tuaj më herët se unë. Mali nuk ka gojë, nuk flet me zë, por çdo herë mbetet dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë. Po kush mund ta lexoj malin, si na që jemi rritur me te? Sekretin e malit tonë, nuk e lexon dot asnjë njeri i huaj. Nëse ktheheni ndonjëherë, aty në mal do gjeni dëshmi të forta për jetën tonë, Mali besnik, i ruan ato. Ai nuk luan prej andej. Mali mban fjalën dhe ruan sekretin. Ashtu qëndruam edhe ne këtu deri sot, mu sikur mali.

Ta dini se, sa herë e ndërroni folenë, duhet të niseni nga fillimi. Nuk forcohemi kurrë duke u larguar. Më të fortë bëhemi vetëm duke punuar e jetuar këtu. Ka fatkeqësi edhe më të rënda se lufta, por edhe ato i përballuam. Mendohuni mirë kir ikni, sepse nuk ka kthim prapa.

Më duket sikur po dëgjoni pak më tepër lajme nga çdo skaj i botës. Po lakmoni më tepër së që mund të zëni me hapin tuaj. Mund të flasim me muaj e me vite për mundësi jete në këto troje, por bindja e juaj është vendimtare. Ndoshta në kemi jetuar në iluzione, por e kemi dashur këtë tokë me gjithë shpirt. Sot, më duket sikur po ikni lehtë. Toka e vendlindjes është diçka më shumë se që shihet me sy. Më bëhet sikur pjesën më të dashur të vendlindjes nuk po e shihni e as nuk po e lexoni e mësoni sa e si duhet. Kur ta kuptoni, do jetë tepër vonë. Kemi lindur nga kjo tokë, e cila na ka ushqyer edhe në kohë të liga për ne. Ne nuk iu harrojmë për së gjalli, por kjo nuk mjafton.

Po lakmoni makina, po lakmoni jetë plot shkëlqim, ashtu siç po shihni në televizor, por ta dini se realiteti nuk është i tillë, as atje ku po shkoni. Kudo që shkoni, së pari iu duhet strehim dhe bukë. Sado që ëndërroni parajsë diku tjetër, një jetë bëni edhe ju atje, edhe ne këtu. Jeni të ri e të shkolluar dhe gjeni punë. Është mirë që punoni, dhe jetoni mirë, por edhe atje së pari bukë do shtroni në tavolinë. Edhe ne shtrojmë bukë këtu në sofrën tonë. Edhe çdo mbret a mbretëreshë, ha bukë. Me punë mund të bënim gjera tepër të mëdha e të bukura. Toka jonë, me teknologjinë e sotme, mund të na ofrojë ushqim të shëndetshëm me bollëk, si atje ku shkoni. Atje ku shkoni për jetë më të mirë, përditë shihni rrugë të gjera e të gjata, liqej e kanale pa fund. Ato nuk ishin gjithmonë ashtu të gatshme, por i ndërtuan njerëzit, që i shihni aty, prej nga nuk ikën deri në vdekje. Për ndërtimin e atyre kryeveprave që shihni, kanë dhënë jetën shumë punëtorë. Nëpër ato rrugë, ura, kanale, hekurudha e vepra impozante ndërtimore, kanë lënë jetën njerëz nga të katër anët e botës.

Atdheu ynë ka bukuri e pasuri si pak ndonjë vend mbi tokë. Njeriu ishte, është e do të mbetet faktori i parë i ekzistencës së një populli. Dhe vetëm duke punuar këtu jemi vetvetja. Jemi vendas, autokton. Jashtë humbët identiteti, sado që e gënjeni vetën me kopalla ditore.

Kam parë me sy se, duke punuar në vendlindje, mund ta ndërtojmë një atdhe, në të cilin mund të jetohet gjatë dhe me nder. Do iu bjer ndërmend dikur, por drojë se do të jetë vonë për hapa që do mund të bënit sot.

Në vendlindje mund të ecni edhe symbyllas, pa frikë, edhe natën nëpër terr. Atdheu bëhet duke punuar këtu natë e ditë. Vlera e tokës matet me punën që bëjmë vetë. Nuk ka tokë të ligë. Punëtor i mirë është atdhetar i mirë, të cilin e do edhe toka. Aq sa doni këtë tokë, aq iu do ajo. Toka e juaj nuk flet, por mban mend mirë.