LAJMI I FUNDIT:

Të mbijetuarit nga masakra në familjet Bugujevci e Duriqi, rrëfejnë për tmerret që kanë parë (Video)

Të mbijetuarit nga masakra në familjet Bugujevci e Duriqi, rrëfejnë për tmerret që kanë parë (Video)
Halim Gashi

Halim Gashi nga Podujeva tregon se si kishte filluar dhuna e forcave serbe në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999.

Ai thotë se me as sa kishte mundësi kishte ndërmend të luftonte me serbët, nëse ata do të tentonin të preknin dikë nga anëtarët e tij të familjes.


“U munduan të më thyejnë dyert e hekurit por nuk mundën. Ata tentuan sepse e panë tymin në këtë shtëpi. Më është dashur të shymi stufën e të ndezi një nxemse. Kur “iu ranë” fqinjëve ata erdhën në këtë oborr. Unë iu thashë që munden me ardhë. Kisha një automat me pesë karikatorë. Thashë nëse i shoh duke vrarë e prerë do të gjuaj. Por këtu serbët nuk erdhën… Nesër në mëngjes në ora 5:00 kanë hyrë pesë veta të hapin derën. Unë dola me gruan. Më thanë i ke dhjetë minuta kohë të largohesh. Unë bashkë me 26 veta dolëm. Na morën markat që kishim ndërsa dinarët jo”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Halim Gashi.

Serbët pasi i kishin larguar nga shtëpia familjen e Halim Gashit, në oborrin e tij i kishin sjellur familjet Bugujevci e Duriqi. Për masakrën që bënë në këtë vend, rrëfen edhe  e mbijetuara, tashmë deputetja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bugujevci. Thotë se serbët i vendosën mbrapa një shtëpie dhe filluan të gjuanin mbi ta.

“Prej rrugës na kanë kthyer në oborr. Aty kanë filluar të gjuajnë me armë. Kur kanë ndaluar, dikush ka pas problem me frymëmarrjen. Kanë filluar të gjuajnë për herë të dytë pasi e dinin se ka ende tjerë të gjallë”, tregon Saranda Bogujevci.

Rrëfimi i deputetes Bogujevci: Qëndrova në spital për dy javë në një dhomë me policë e ushtarë serb të plagosur (Video)
Lexo po ashtu Rrëfimi i deputetes Bogujevci: Qëndrova në spital për dy javë në një dhomë me policë e ushtarë serb të plagosur (Video)

Disa ditë pas masakrës, Halim Gashi ishte kthyer në shtëpinë e tij, dhe kujton tmerrin që kishin bërë forcat serbe ndaj familjes Bugujevci dhe Duriqi në oborrin e tij.

“Kur jam kthyer këtu kam parë gjak…Kam parë pjesë trupash të fëmijëve. I kam mbështjellë që të mos shohin familjarët”, tregon Halim Gashi.

Tash 20 vjet pas masakrës, Gashi thotë se kanë informacione që njëri nga agresorët ka humbur jetën në aksident trafiku.

“Avokati i atyre që kanë bërë masakër kur i ka parë fotografitë e fëmijëve ka thënë se “ne kemi menduar se këta kanë mbytur ushtarë të UÇK-së, se për fëmijë që kanë mbytur nuk e kam ditur dhe nuk i bëhem avokat i tyre”…Natasha [Kandiç] më ka thënë se që njëri prej kriminelëve ka bërë ndeshje me grua e fëmijë dhe ka vdekur”, tregon më tej Halim Gashi.

Familjarët e viktimave të luftës edhe 20 vjet pas, vazhdojnë të presin drejtësi nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Thonë se kjo do t’ua lehtësonte sado pak dhimbjen që ndjejnë./Telegrafi/