LAJMI I FUNDIT:

Të enjten protestë kundër “Dosjes së Shefave”

Të enjten protestë kundër “Dosjes së Shefave”

Grupi i qytetarëve #Protestoj, përmes një aksioni simbolik të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kanë shfaqur pakënaqësitë që kanë për shkak të keqqeverisjes dhe aferave korruptive të “Klanit Pronto”.

Aulona Mehmeti nga grupi #Protestoj ka deklaruar se Kosova është vendi më i varfër në Evropë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të urisë dhe siç ka thënë ajo “pangopshmërisë së udhëheqësve”.


“Jemi vendi më i varfër ne Evropë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të urisë dhe pangopshmërisë të udhëheqësve tanë. Këtë nuk po e them vetëm unë sot- këtë na e kanë thënë edhe vet politikanët e përfshirë në aferat Pronto. Sa ironike, i dëgjojmë tek tallën me në, me ofshama, pasthirrma e ulërima e fjalët më banale pa fije turpi, përderisa shteti jonë shkon drejtë një rrugë pothuajse pa kthim. Ç’paradoks! Jemi vendi më papunësi marramendëse (33 për qind gjithsej) ndërsa 58 për qind është papunësia e të rinjve në vend- përderisa kemi popullsinë më të re në rajon. Fushata e dështuar ‘New Europeans’ apo ‘Evropianët e Rinj’ ku qeveria jonë shpenzoi disa milionë për t’u mburrur me rininë tonë, tregon paturpësinë njerëzore e politike. Paturpësi, kjo, që rinisë sonë, tash e sa vite ia ka humb shpresën. Nga dy milionë banorë që i ka vendi ynë, vetëm 295 mijë janë të punësuar”, tha Mehmeti.

Ajo tha se qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe politika më të mira qeverisëse pasi që sipas Mehmetit  largimi masiv i të rinjve në vitin e kaluar, tregon për gjendjen e mjerueshme të vendit dhe se kjo i ka shërbyer Klanit Pronto për t’i punësuar servilët, bashkëpartiakët dhe familjarët.

“Largimi masiv i të rinjve në fillim të vitit të kaluar rrugëve të botës, në kërkim të një jetë më të mirë, në kërkim të një trohë shprese, është barometër i gjendjes së mjerueshme në vend. Eksodi i vitit të kaluar si duket ka atribuuar ‘Klanit Pronto’, i cili duke punësuar servilët, bashkëpartiakët, familjarët ua ka humb shpresën të rinjve të Republikës së Kosovës, andaj ne me ngulm kërkojmë llogaridhënie, politika më të mira qeverisëse e mbi të gjitha, një Kosovë ku çdo i ri dhe e re dëshiron të jetoj”, tha Mehmeti.

Grupi #Protestoj iu ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të enjten iu bashkëngjiten protestës së radhës, kundër krimit duke thënë se “nesër do të jetë më mirë nëse sot protestojmë”, raporton KP.

Protesta do të mbahet të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 17:00.