LAJMI I FUNDIT:

Të drejtat dhe obligimet e trashëgimtarit në procedurën trashëgimore: Testamenti dhe gjithçka që duhet të dini

Të drejtat dhe obligimet e trashëgimtarit në procedurën trashëgimore: Testamenti dhe gjithçka që duhet të dini

Rëndësia dhe domethënia procedurave të trashëgimisë. Përse është e nevojshme të keni testamentin?

Shkruan: Ardita Morina
Avokate


Ky ligj rregullon çështjen e trashëgimisë në Republikën e Kosovës, rrethin e trashëgimtarëve ligjorë, trashëgiminë e bazuar në testament, çështjen e kontratave të trashëgimore-juridike, momentin e transferimit të trashëgimisë te trashëgimtarët dhe çështje të tjera që kanë të bëjmë me të drejtën e trashëgimisë.

Ligji mbi trashëgiminë – aplikimi në praktikë dhe risitë

Zakonet e Trashëgimisë në Kosovë ende e favorizojnë në masë të madhe mashkullin në raport me pasardhëset femra. Pas vdekjes së babait apo bashkëshortit vajza a po gruaja është shpesh në rrezik për mos marrjen e pjesës së saj të ligjshme të pasurisë përfshirë pasurinë e paluajtshme.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndalon në mënyrë të çartë diskriminimin e femrave. Pavarësisht nga masat mbrojtëse legjislative për femrat ende vazhdon tradita kulturore e dhënies së përparësisë ndaj trashëgimtarëve meshkuj.

Shpeshherë ka ndodhur të dëgjojmë probleme të cilët ballafaqohen qytetarët jo vetëm në zonat rurale por edhe në qendrat kryesore të qyteteve tona mbi trashëgiminë, psh. ( vëllai me vëllain mbi ndarjen e pronës të lënë nga trashëgimlënësi, përjashtimi i gjinisë femërore në trashëgimi, ndikimi i traditës, zakonit e të tjera probleme).

Ligji i aplikueshëm i trashëgimisë së Kosovës rregullon të drejtën e trashëgimisë.

Trashëgimia është kalimi me ligj ose në bazë të testamentit të pasurisë (trashëgimit) së personit të vdekur (trashëgimlënësit) tek një apo më shumë persona (trashëgimtarët ose legatarët) sipas rregullave të caktuar në këtë ligj.

Objekt i trashëgimit janë dhe mund të trashëgohen sendet dhe të drejtat të cilat i përkasin individëve.

Çka do të thotë se të gjithë personat fizik në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi. Trashëgimia fitohet dhe trashëgohet për shkak të vdekjes dhe në momentin e vdekjes së personit fizik.

Personin e vdekur fizik (trashëgimlënësin) e trashëgon ai i cili në momentin e vdekjes së tij ka fituar të drejtën trashëgimore (trashëguesi).

Trashëgimia fitohet me ligj ose me testament. Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka lënë testament ose ka lënë testament vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur është testamenti tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm.

Pas vdekjes së trashëgimlënësit nëse nuk ka trashëgimtar, e drejta për të trashëguar kalon në Komunë, e cila fiton pozitë të njëjtë sikurse me qenë trashëgimtarë i trashëgimlënësit.

Trashëgimtarë ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adaptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe pasardhësit e tyre, gjyshi e gjyshja dhe pasardhësit e tyre. Me ligj trashëgimlënësin e trashëgon edhe bashkëshorti i tij jashtëmartesor, i cili barazohet me bashkëshortin martesor.

Në radhën e parë të trashëgimisë, trashëgimlënësin e trashëgojnë para të gjithëve fëmijët e tij dhe bashkëshorti i tij ku trashëgojnë në pjesë të barabarta.

Në radhën e dytë të trashëgimisë janë prindërit dhe bashkëshorti i trashëgimlënësit. Pasurinë e trashëgimlënësit që nuk ka lënë pasardhës e trashëgojnë prindërit e tij dhe bashkëshorti i tij.

Prindërit e trashëgimlënësit trashëgojnë gjysmën e pasurisë në pjesë të barabarta, ndërsa gjysmën tjetër të pasurisë e trashëgon bashkëshorti i trashëgimlënësit. Nëse te dy prindërit e trashëgimlënësit kanë vdekur para tij, atëherë bashkëshorti trashëgon tërë pasurinë.

Në radhën e tretë të trashëgimtarëve përfshihen gjyshërit dhe gjyshet e trashëgimlënësit. Pasurinë trashëgimore të trashëgimlënësit që nuk kanë lënë pasardhës, bashkëshort prindër dhe prindërit e tij nuk kanë lënë paraardhës të tjerë, e trashëgojnë gjyshërit dhe gjyshet e tij. Gjysmën e pasurisë trashëgimore e trashëgojnë gjyshi dhe gjyshja nga ana e atit kurse gjysmën tjetër gjyshi dhe gjyshja nga ana e nënës.

Sa i përket të drejtave, bashkëshorti nuk ka të drejtë për të trashëguar nëse pushon me shkurorëzim ose me anulimin e martesës, nëse trashëgimlënësi ka paraqitur padi shkurorëzimi, kurse pas vdekjes së tij është bërë shkurorëzimi me aktgjykim të formës së prerë.

Personat që kanë bashkëjetuar (bashkësi jashtëmartesore) nuk kanë të drejtën e trashëgimit nëse çifti nuk ka jetuar për një kohë të gjatë së bashku të paktën 10 vjet, nëse nga kjo marrëdhënie kanë lindur fëmijë të paktën 5 vjet.

Në ligjin e trashëgimisë është përcaktuar edhe llogaritja e pjesës së domosdoshme si dhe përcaktimi i vlerës dhe pjesa që veçohet në trashëgimi.

Pjesa e domosdoshme e pasardhësve dhe bashkëshortit përbënë një të dytën ndërsa pjesa e domosdoshme e trashëgimtarëve të tjerë një të tretën e pjesës që do të i takonte secilit si trashëgimtarë ligjor në pajtim me dispozitat mbi radhët e trashëgimisë.

Pasardhësit e trashëgimlënësit që kanë bashkëjetuar me të, dhe që me punën, fitimin e vet ose në ndonjë mënyrë tjetër i kanë ndihmuar në punë, kanë të drejtë të kërkojnë që nga pasuria të veçohet pjesa që i përgjigjet kontributit të tyre për shtimin e vlerës së saj, po qe se nuk e kanë bërë këtë më parë.

Pjesa e veçuar në këtë mënyrë nuk i takon pasurisë trashëgimore, prandaj nuk merret parasysh në rastin e llogaritjes së pjesës së domosdoshme dhe as nuk llogaritet në pjesën trashëgimore të trashëgimtarit.

Testament do të thotë shprehje e vullnetit të fundit e dhënë në formën e paraparë me ligj, me të cilën trashëgimlënësi (testatori) urdhëron si të veprohet me pasurinë e tij pas vdekjes së tij. Testament mund të bëjë çdo person që ka zotësi për të vepruar dhe i cili i ka mbushur 18 vjet. Testament mund të bëjë edhe personi që ka zotësi për të vepruar e i ka mbushur 16 vjet dhe është i martuar.

Testamenti duhet të përmbajë caktimin e trashëgimisë, ku mund të përfshihen një apo më shumë persona. Mund të caktojë një pjesë apo të gjithë pasurinë.

Testatori mund të ngarkojë me ndonjë detyrim personin të cilin i lë ndonjë përfitim nga pasuria trashëgimore.

Format e testamentit janë:

Testamenti i shkruar nga vet testatori- Testamenti është i vlefshëm nëse testatori e ka shkruar atë, datuar dhe nënshkruar me dorën e vet ose ka vënë gishtin e vet.

Testamenti me shkrim në praninë e dëshmitarëve – Testatori që di të shkruajë e të lexojë mund të bëjë testamentin duke nënshkruar me dorë dokumentin pa marrë parasysh kush e ka përpiluar, në praninë e dy dëshmitarëve që e kuptojnë gjuhën e testamentit, duke deklaruar para tyre se testamenti është i tij.

Testamenti gjyqësorë – është kur testamenti përpilohet me dëshirën e testatorit pranë gjyqtarit të Gjykatës Kompetente. Testori nëse nuk dinë të lexojë bëhet nga gjyqtari i Gjykatës Kompetente në praninë e dy dëshmitarëve.

Testamenti në rrethana të jashtëzakonshme – Testamenti në rrethana të jashtëzakonshme ndodh kur testatori për arsye jo të mira shëndetësore apo për arsye të tjera personale e lenë testamentin e tij në mënyrë verbale në prag të vdekjes, pra shpreh vullnetin e tij të fundit para dy dëshmitarëve.

Testatori mund të caktojë me testament një ose më shumë persona si ekzekutues të testamentit.

Ekzekutuesi i testamentit mund të jetë çdo person që ka zotësi për të vepruar.

Ekzekutuesi i testamentit ka për detyrë të kujdeset për ruajtjen e pasurisë trashëgimore, të drejtojë atë, të kujdeset për pagimin e borxheve dhe në përgjithësi të kujdeset që testamenti të ekzekutohet ashtu si ka dashur testatori.

Trashëgimlënësi mund të revokojë në çdo kohë testamentin në tërësi ose pjesërisht në njërën nga format e parapara me ligj për përpilimin e testamentit. Trashëgimlënësi mund të revokojë testamentin me shkrim dhe me asgjësimin e dokumentit.

Te përjashtimi i trashëgimtarëve të domosdoshëm nuk mund të trashëgojë personi i padenjë për të trashëguar. I padenjë për të trashëguar është ai person që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshortin, fëmijët dhe prindërit e tij, ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me heqje lirie, me mashtrim, kanosje e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rremë ose e ka përdorur atë për interesa të tij apo të të tjerëve, është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe e ka keqtrajtuar atë dhe nuk e ka përmbushur detyrimin për të mbajtur apo ndihmuar trashëgimlënësin.

Në momentin që vdes trashëgimlënësi, zhvillohen disa proceduara të cilat bëhen nga trashëgimtaret. Pra bëhet kalimi i trashëgimisë nga trashëgimlënësi të trashëgimtarët; lindin shumë probleme në situata të ndryshme.

▪ Në praktikën gjyqësore, rastet që paraqiten për mbrojtje gjyqësore kanë të bëjnë me disa situata në procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë.

▪ Situata e parë është kur njëri nga trashëgimtaret në ditën e nxjerrjes së aktit të vdekjes është larguar me ose pa dashje, në këtë rast trashëgimtari i larguar, i cili nuk është shënuar në aktin e vdekjes ka të drejtë me padi të kërkojë të drejtën sipas bazës së trashëgimisë për të qenë trashëgimtar ligjor.

▪ Situata e dytë është kur ndarja e pasurisë për derisa ishte gjallë trashëgimlënësi ku është bërë ndarja e pasurisë por pa u përfshirë të gjithë trashëgimtarët ligjorë – P.sh., zakonisht kjo ndodh kur largohet trashëgimtarja e gjinisë femërore ku janë raste të shpeshta. Ndërkohë mundet që kjo trashëgimtare të kërkoj të drejtën e trashëgimisë përmes padisë.

▪ Situata e tretë është kur cenohet pjesa e domosdoshme me testament apo me dhuratë. Edhe këtu kemi raste shumë të shpeshta në Republikën e Kosovës, ku trashëgimlënësi si dhuratë dhënës ia fal njërit prej trashëgimlënësit ligjor pjesërisht ose tërësisht pasurinë e tij trashëgimore.

▪ Në këtë rast trashëgimtarët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës me padi për të drejtën e vet.

/Telegrafi/

Në trend Stil

Më shumë
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Menaxhoni peshën dhe luftoni infeksionet duke përdorur proteina dhe vitamina

Menaxhoni peshën dhe luftoni infeksionet duke përdorur proteina dhe vitamina

Stil
Burri hasi në një gur varri me një kod QR - kur e skanoi nuk mund ta imagjinonte se çfarë pa

Burri hasi në një gur varri me një kod QR - kur e skanoi nuk mund ta imagjinonte se çfarë pa

A e dini se...
Test psikologjik i Frojdit që ta njihni më mirë veten: Zbuloni brendinë e shpirtit tuaj!

Test psikologjik i Frojdit që ta njihni më mirë veten: Zbuloni brendinë e shpirtit tuaj!

Këshillë javore
Gjëja e parë që shihni në foto zbulon të vërtetën për ju: Deri tani testi më i saktë i personalitetit

Gjëja e parë që shihni në foto zbulon të vërtetën për ju: Deri tani testi më i saktë i personalitetit

Lifestyle
Është koha për të mbjellë dredhëza në vazo: Ndiqni këto rregulla

Është koha për të mbjellë dredhëza në vazo: Ndiqni këto rregulla

Kopshtaria
Kalo në kategori