LAJMI I FUNDIT:

Tashmë edhe zyrtarisht, GROM ndërpret koalicionin me OBRM-PDUKM-në

Tashmë edhe zyrtarisht, GROM ndërpret koalicionin me OBRM-PDUKM-në

Partia GROM edhe zyrtarisht ka ndërprerë koalicionin me OBRM-PDUKM-në pasi që lideri i saj, Stevço Jakimovski, paralajmëroi krisje të raporteve politike disa ditë më parë.

Nga partia GROM përmes një njoftimi, informuan se vendimi është sjellë dje në seancë të Këshillit Qendror të partisë.


“Pikë për vendosje me rëndësi të posaçme të Këshillit Qendror ishte braktisja e koalicionit me OMBRM-PDUKM-në dhe pas mbledhjes së Këshillit Qendror, sollëm vendim për shpërbërje të koalicionit me OBRM-PDUKM-në”, thonë nga GROM.

Nga partia shtojnë se kanë vendosur që edhe më tej të veprojnë si opozitë dhe të përgatiten për paraqitje të pavarur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për ndërprerjen e bashkëpunimit me partinë më të madhe opozitare, kryetari i GROM-it informoi para një jave duke akuzuar se si kryetar komune po ballafaqohet me obstruksione, shantazhe dhe fyerje.

Për shpërbërje të koalicionit, Jakimovski e akuzoi drejtëpërdrejtë Hristijan Mickoskin.

Duke folur për atë se për çfarë obstruksione dhe presione bëhet fjalë, ai atëherë theksoi se vazhdimisht janë dërguar kërcënime ndaj afaristëve nga Karposhi për atë se do të ndërrohen kur në pushtet do të vijë OBRM-PDUKM-ja.

Nga OBRM-PDUKM thonë se prishja e koalicionit ka prapavijë interesat e bizneseve, duke saktësuar së fundmi ndërtimin e 7 objekteve të reja në Zllokuqan.