Funksionalizimi i Departamentit Special pranë Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit në Prishtinë, tashmë po shihet si një adresë ku do të adresohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa tani e tutje do të trajtohen ekskluzivisht lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se ky departament ka qenë i domosdoshëm pasi që sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, sistemi i drejtësisë është më efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Objektivë e imja prej që kam filluar si ministër i drejtësisë ka qenë, ta krijojmë qoftë një gjykatë speciale apo qoftë një departament special, i cili do ti gjykojë lëndët që vijnë nga Prokuroria Speciale, në mënyrë që ato lëndë mos të shkojnë në gjykata themelore, qoftë në Prizren, Gjilan e Pejë. Mirëpo të gjykohen në një departament special, pikërisht në Prishtinë, pasi që kemi prokurori speciale, këtë e kemi arritur. Jam i lumtur që procesi i rekrutimit të këtyre gjyqtarëve ka qenë mjaftë kredibil”, tha Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online.

“…sot kemi gjyqtarë mjaft kredibil që janë pjesë e këtij departamenti dhe normalisht. Iniciativa jonë që ka ardhur deri tek themelimi i këtij departamenti, na ka shtyrë që të jemi më efikase, pikërisht në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju e dini që prokuroria speciale në mandatin e saj ka luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe çështjen e krimeve të luftës dhe krijimi i një departamenti që do t’i gjykojë këto lëndë që vijnë nga prokuroria speciale, ka qenë më se i domosdoshëm në mënyrë që të jemi më efikase në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Tahiri u shpreh se të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë, duhet të lëshojën rrugë, pasi që sipas tij, Kosova nuk duhet të mbetet peng, as i politikanëve e as gjyqtarëve e prokurorëve.

“… prokurorët dhe njerëzit që nuk arrijnë me e përmbushë mandatin e tyre, qofshin ata gjyqtarë apo prokurorë, duhet të lëshojnë rrugë, pasi që Kosova nuk mundet me mbet peng i askujt, as i ministrave as i politikanëve, i gjyqtarëve e prokurorëve. Prandaj mendoj që është shumë e rëndësishme që jemi në një rrugë të mirë, kemi pas suksese, mirëpo presim një angazhim më të madh”.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndryshe është edhe një nga kriteret që Kosova ta marrë dritën e gjelbër për liberalizim.

Sipas tij, Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret e parashtruara nga Komisioni Evropian për liberalizim, derisa u shpreh se shtetet veç e veç të Bashkimit Evropian, nuk kanë vullnet politik që të arrijnë tek një konsensus për një liberalizim të vizave për Kosovën.

“Normalisht lufta në Kosovë  kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk mund të lidhet me 42 raste sa janë shënjestruar sepse ka me qindra dhe mijëra raste të tjera që janë në prokuroritë themelore të Kosovës dhe në Gjykatat tona që janë mjaft të rëndësishme pra për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk mund të themi që s’kemi pas sukses. Jemi vlerësuar pozitivisht nga komisioni Evropian, gjë që edhe ka rekomanduar liberalizmin për qytetarët tanë, pasi Kosova i ka plotësuar kriteret që janë të parashtrua nga BE-ja. Pastaj është çështja e vullnetit politik të shteteve veç e veç, që s’kanë pas vullnet politik pra që të arrijnë tek një konsensus për një liberalizim të vizave për Kosovën, në anën tjetër ne kushtet i kemi përmbushë”, tha Tahiri.

Tahiri u shpreh se Kosova ka dështuar sa i përket aspektit të konfiskimit të pasurisë, e këtij dështimi, Tahiri thotë se i kanë prirë edhe dy institucionet ndërkombëtare të cilat ishin të angazhuara në Kosovë, UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Konfiskimi i pasurisë ka qenë një prej pikave më të dobëta të Republikës së Kosovës, tash e 20 vite, mendoj që këtu kemi dështuar. Ka qenë një lloj i një dështimi i përbashkët edhe me institucionet ndërkombëtare që i kemi pas pjesë e sundimit të ligjit, UNMIK-un më herët e EULEX-in më vonë. Pra mendoj që Kosova nuk është storie e suksesshme në aspektin e konfiskimit të pasurisë me vepër penale. Prandaj mendoj që kjo më ka shty me riamandamentu ligjin, me ardhur me një ligj të ri dhe mendoj që kemi arritur me rekrutuar dhe me pas edhe gjyqtarë mjaft profesionistë në sistemin tonë që do adresojnë edhe çështjen e konfiskimit, një çështje që vërtetë është kurciale në shkatërrimin e bandave kriminale kudo që ato ndodhin, qofshin pjesë e politikës apo bizneseve, pra dobësimi i bandave kriminale ndodhë vetëm atëherë kur atyre iu konfiskohet pasuria”.

Tahiri tha se krijimi i një Tribunali Ndërkombëtar, i cili i dënon krimet serbe, ka qenë një nga iniciativat më të mira që Kosova ka marrë nga paslufta. Madje ai shprehet se Serbia nuk ka pas vullnet të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, që t’i nxjerrë këta kryerës të këtyre veprave, para drejtësisë.

“Mendoj që kjo ka qenë një prej inciativave më të mira që është ndërmarrë që nga paslufta nga institucionet tona. Mendoj që është një iniciativë jashtëzakonisht e rëndësishme. Pra ne nuk mund të kemi paq në këtë rajon përderisa kriminelët lëvizin të lirë. 20 vjet paslufte ne nuk kemi mujtë me i adresuar masakrat që janë kryer në Kosovë dhe ata njerëz, një pjesë e tyre, ende sillen të lirë në Serbi, pasi që Serbia nuk ka vullnet me bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, që këta njerëz me i nxjerrë para drejtësisë. Pra është një iniciativë e cila besoj që do dalë me një rezultat pozitiv. Me krijimin e këtij Tribunali, ne do punojmë që ta argumentojmë pse është i rëndësishëm dhe pse është i nevojshëm që ata që kanë kry krime në këtë vend të dalin para drejtësisë”.

Një çështje mjaftë aktuale e për të cilën ministri Tahiri është ftuar të raportojë në Komisionin për Legjislacion, është edhe procesi i rekrutimit të noterëve të rinj, e që sipas Tahirit dyfishimi i këtyre noterëve është bërë me qëllim që qytetarët të kenë shërbime materiale më afër vetës.

Ndërsa për deklaratat e pozitës se ky proces i rekrutimit të noterëve të rinj ka qenë skandaloz dhe jo i rregullt, Tahiri i sheh si zhurma politike dhe pa fakte.

“Ne kemi pa zhurmë politike, por jo argumente dhe fakte se pse është kompromituar një proces i tillë. Pra nuk kemi të bëjmë në asnjë rrethanë me kurrfarë kompremitimi, por me një proces profesional dhe tashmë jam i përkushtuar që të rritet numri i noterëve në Republikën e Kosovës dhe mos të kemi monopol dhe qarkullime milionëshe tek disa individë, mirëpo kjo të shtrihet te një numër më i madh i noterëve në Kosovë”, tha ai.