Portieri i Barcelonës, Wojciech Szczesny, shpreson që të mos jetë ai mes shtyllave kur gjigantët katalanas të përballen me Real Madridin në ‘El Clasico’-n e shumëpritur më vonë këtë muaj.

Përkundrazi, gardiani me përvojë shpreson që portieri i dëmtuar, Joan Garcia, të rikuperohet në kohë për udhëtimin në “Santiago Bernabeu”, ndërsa foli me superlativa për potencialin e nivelit botëror të afrimit të verës.


Szczesny, i cili rinovoi kontratën me Barçën edhe për një sezon tjetër, ka deklaruar më parë se do të bëjë gjithçka është në fuqinë e tij për ta ndihmuar 24-vjeçarin të arrijë majat e futbollit.

Megjithatë, fillimi ëndërr i Garcias u kthye në makth. Gjatë një seance stërvitore në mëngjesin e 26 shtatorit, 24-vjeçari pësoi një dëmtim në menisk.

Ai iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje artroskopike po atë ditë, por u detyrua të qëndrojë jashtë fushave për katër javë, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në ‘El Clasico’-n ndaj rivalëve të përbetuar më 26 tetor.

Szczesny shpreson që Garcia të rikuperohet në kohë për këtë përballje të madhe.

“Sinqerisht i uroj një rikuperim të shpejtë. Dhe nuk po llogaris që të luaj vetë në El Clasico. Vlerësoj qartësinë e marrëdhënies që kam me Joanin”.

“Ai e di shumë mirë se cili është roli im, dhe unë dua të ndikoj që ai të luajë në nivelin e tij më të mirë”.

“Nuk kam asnjë dyshim kush është dhe kush duhet të jetë portieri numër një te Barcelona. Mendoj se është një djalë me potencial të madh. Do të isha pak i pamodest të thosha se mund ta ndihmoj pak”.

“E pranoj këtë rol me shumë përgjegjësi. Nuk dua që dikush të ketë dyshime. Nuk do të ketë kurrë konkurrencë për fanellën me numrin një këtu”, ka thënë polaku./Telegrafi/

telegrafi sport app