Superhajduti Saleo Stojani plagos rëndë të burgosurin në burgun e Drenovës

Dikur konsiderohej një hajdut perfekt, që mungesa e shtetit ligjor i premtonte një të ardhme po kaq perfekte në fushën kriminale. Më pas nisi të reflektonte mbi sjelljet e tij, duke treguar herë pas here të fshehtat e "artit" të vjedhjes, të fshehta që i linte në polici sa herë ndalohej.
Atëherë ishte i vogël dhe ligji i ‘stimulonte’ aftësitë e tij sa herë ai nisej në mision, por me kalimin e moshës Saleo Stojani, nga një endacak rrugësh do të kthehej në një personazh, që për hir të aktivitetit të tij tejet të pasur kriminal, do të mitizohej nga shumë aktorë, derisa në sipërmarrjen e tij të fundit i lirë, ai bashkë me shokët e vet do të ekzekutonin edhe një punonjës policie. Viktima me uniformë ra në gjurmët e tyre, por mjeshtri i vjedhjeve me mbi një dekadë aktivitet nuk do të falte të zbulohej para se të kryente aktin.
Ai ishte mësuar t'i tregonte vetë bëmat e tij, dhe jo të kapej në flagrancë nga një punonjës policie. Më në fund reflekton edhe hetimi, duke bërë të mundur zbardhjen e një prej vrasjeve që në të vërtetë mbarti shumë mister, por që pak u lakua si e tillë edhe pse në krye të detyrës ra një efektiv i Policisë së Shtetit. Në fakt, zbuluesi i atij akti të rëndë, ishte gjyshja e moshuar e njërit prej shokëve të Saleos, ndërkohë që më pas policia e Korçës në bashkëpunim me të Vlorës arrijnë të hedhin dritë vrasjen e mistershme. Që nga ajo vrasje dhe arrestimi mitit të grabitjeve, emri i Saleos, sot 21 vjeç, u la në harresë, por ai rishfaqet sërish, tashmë brenda mureve të qelisë.
Personazhet e botës së krimit kthejnë sërish në qendër të vëmendjes burgun e Drenovës, ku episodi i radhës ka qenë një përleshje mes tre të burgosurve. Këtë herë bëhet fjalë për tre persona, të cilët janë konfrontuar fizikisht kur ndodheshin në ajrim. Mësohet se sherri ka qenë për arsye banale, për lirimin e hekurave të stërvitjes.
Nga burime mësohet se Dritan Lushka ndodhej duke bërë paralele, kur i janë afruar dy të dënaurit e tjerë. Të tre kanë nisur që të debatojnë, pasi Lushka nuk pranonte të largohej nga paralelet. Situata është nxehur, ku, pas ofendimeve, dy të dënuarit Saleo Stojani dhe Enea Shkoza i kanë plasur kokën pas murit Dritan Lushkës. Sherri mes tre të burgosurve ka ndodhur pasditen e së premtes, në momentin kur të dënuarit dhe të paraburgosurit ishin në ajrim. Mësohet se i plagosur ka mbetur pogradecari, Dritan Lushka i paraburgosur nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të Florian Hykës.
Sipas policisë, Lushka, teksa ndodhej në ajrim, është konfliktuar me dy të burgosur, Enea Shkoza dhe superhajdutin korçar, Saleo Stojani, i cili së fundmi vuan dënimin për vrasjen e efektivit të policisë në Vlorë. Konfliki ka degjeneruar në përleshje fizike dhe dy të dënuarit, pasi e kanë qëlluar me grushta, i kanë përlasur kokën pas murit Dritan Lushkës, i cili ka marrë plagë të rënda në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe gardianëve të burgut që kanë shmangur ndërhyrjen e personave të tjerë në këtë sherr. Aktualisht Dritan Lushka ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë. Burime nga spitali kanë bërë të ditur se, ai është në gjendje kritike për jetën. Burime nga burgu thanë se gjatë dhe pas ngjarjes, në ambientet e brendshme të institucionit të riedukimit ka pasur një situatë e tensionuar mes të dënuarve.
I plagosuri Dritan Lushka është vënë në pranga në mars të vitit 2013, pasi ishte në kërkim për plagosjen me armë të Florian Hykajt, efektiv i policisë së komunës Velçan në Pogradec. Lushka e kishte qëlluar me pistoletë Hykën, po për fat të mirë nuk e ka vrarë dot. E gjithë ngjarja kishte ndodhur për një borxh që i plagosuri i kishte të arrestuarit.
I dënuari Saleo Stojani është i njohur pasi ka kryer qindra vjedhje në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit. Së fundmi ai u vu në pranga pasi ishte i pranishëm në vrasjen e efektivit të policisë në Vlorë, Roland Likaj. Stojani është dënuar për moskallëzim krimi. Miti i vjedhjeve do të arrestohej, duke u gdhirë 16 dhjetori i vitit të kaluar në vendlindjen e tij në Korçë ndërsa kishte mundur të kryente një vjedhje spektakolare. Djalin e kishte zënë gjumi afër magazinës së grabitur dhe policia e kap në gjumë, pasi ai kishte qenë i bindur se ia kishte hedhur sërish.
Arrestimi i tij u krye fiks dy muaj pas ekzekutimit të Roland Likës, efektivit 43-vjeçar vlonjat, ndërsa policia, jo vetëm që s'kishte gjurmë autorësh, por as pistë. Gjithçka që mbeti prej atij punonjësi të rënë në krye të detyrës ishte ndihma që iu kërkoi kolegëve për ta ndihmuar në një ndjekje. Kur shkuan tek ai, efektivi ishte pa pajetë. Hajduti, i rritur në atë kohë, për të mbrojtur "prenë" e tij edhe vrau.
Tirana me ‘Saleon’ dukej se kishte vend për të gjithë e gjithçka. Emri i Saleo Stojanit do të shfaqej nëpër dokumentacionet e të gjitha komisariateve të Tiranës që kur ishte fare i mitur. Pikërisht në këto vatra policie do të niste të skalitej edhe portreti i tij prej endacaku që vidhte fillimisht nëpër rrugë, më pas në autobusë.
Me t'u rritur nisi të gjuante shtëpitë dhe gjithçka që vihej në shënjestrën e tij do të grabitej. Me firmën e Saleo Stojanit dokumentohen rreth 2000 vjedhje, që nisin që në moshën 7-vjeçare, ndërsa aktiviteti i tij shpejt do të kalonte nga Tirana nëpër rrethe. Profesionisti i vogël, bie shpejt në rrjetën e grabitësve të mëdhenj dhe punësohet prej tyre. Një ndjekje perfekte e bluve të Gjirokastrës zbulon një prej supervjedhjeve të tij, që në të vërtetë ishte punësuar nga një çift laçjanësh. Burrë e grua, ose të paktën ashtu u deklaruan atëherë, e marrin Saleon nga Tirana dhe e dërgojnë në Gjirokastër.
Atje, ai duhet të kryente një prej vjedhjeve më spektakolare. 23 milionë lekë i merren një të njohurit të çiftit prej të miturit në kasafortë, ndërsa përfituesit do të arrestoheshin kohë më vonë në banesën e tyre në Laç. Aty u mësua se Saleo Stojani ishte i punësuar ndërkohë që edhe kryente vjedhje për llogari të vet. /Shekulli/


















































