Pas nëntë vitesh pritjeje u rikthye derbi i famshëm "Tyne-Wear", një nga rivalitetet më të mëdha dhe më të ashpra në futbollin botëror, përballje mes Sunderlandit dhe Newcastle United.

Dy klubet e mëdha nga veriu i Anglisë nuk kanë qenë pjesë e së njëjtës ligë që nga viti 2016. Në vitet pasuese, Newcastle kaloi periudha në nivele të ndryshme, ndërsa Sunderland u përball me vështirësi serioze, duke rënë deri në nivelin e tretë të futbollit anglez.


Megjithatë, këtë sezon “Macet e Zeza” u rikthyen në elitë, duke e bërë të mundur rikthimin e derbit historik.

Jo vetëm që tifozët e Sunderlandit patën mundësinë të shohin sërish përballjen me rivalin e tyre më të urryer, por ekipi vendas arriti edhe ta fitojë derbin me rezultat minimal 1-0.

Atmosfera në "Stadium e Dritave" ishte elektrizuese që nga minuta e parë, ndërsa goli i vetëm i takimit erdhi në fillim të pjesës së dytë. Ai u shënua pas një autogoli të Nick Woltemade, i cili në përpjekje për të larguar topin, e dërgoi atë me kokë në portën e tij.

Granit Xhaka luajti gjithë ndeshjen, duke qenë prej më të mirëve në fushë, ndërsa SofaScore mori notën 7.4.

Ky ishte derbi i 157-të Tyne-Wear, një përballje me histori të pasur dhe me ndikim të madh në zhvillimin e futbollit anglez.

Emri “Tyne-Wear” vjen nga lumenjtë Tyne dhe Wear, pranë të cilëve ndodhen dy qytetet fqinje në veri të Anglisë. /Telegrafi/

telegrafi sport app