LAJMI I FUNDIT:

Sulmi izraelit shpërfaq dobësinë fatale të Iranit

Sulmi izraelit shpërfaq dobësinë fatale të Iranit

Nga: Richard Kemp / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kundërsulmi i supozuar i Izraelit kundër Iranit, ka dëshmuar se Joe Bideni dhe David Cameroni kanë gabuar në këmbënguljen se Izraeli duhet të “pranojë fitoren”. Në vend të kësaj, u kundërpërgjigj – dhe dje Irani përpiqej të pretendonte se asgjë nuk ka ndodhur.


Ishte poshtërim i madh për ajatollahët të cilët ditë më parë thoshin se do ta jepnin hakmarrjen ndëshkuese, qoftë për goditjen më të vogël izraelite; duket se tani po thonë se nuk do të bëjnë më asgjë. Ne ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me caqet. Për ta shpëtuar fytyrën, iranianët nuk kanë gjasa të pranojnë se ka pasur dëme. Për arsye strategjike, Izraeli nuk e ka pranuar përgjegjësinë dhe për këtë arsye nuk e ka bërë të ditur vlerësimin e dëmeve.

Objektivi kryesor duket se ka qenë qyteti i tretë i Iranit, Isfahani. Atje është baza e forcave ajrore Hastam Shikari: ajo ishte e përfshirë në sulmin e 14 prillit me dronë dhe raketa kundër Izraelit. Në Isfahan ka fabrika të prodhimit të dronëve.

Ajo që ndoshta ka rëndësi më të madhe është se ky qytet është qendra e programit bërthamor të Iranit – me një hapësirë kërkimi si dhe me strukturë përpunimi, përfshirë këtu rezervat e uraniumit shumë të pasuruar. Megjithëse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e ka bërë të qartë se nuk u shkaktua asnjë dëm në lokacionin bërthamor, shqetësim të madh për Teheranin ka shkaktuar aftësia e dukshme e Izraelit për të depërtuar në vendet më të mbrojtura të Iranit – teksa vendi gjithnjë e më shumë i afrohet realizimit të armës bërthamore.

Është e mundur të ketë një pauzë në programin bërthamor, në mënyrë që të mos provokohen sulmet e mëtejshme – derisa mbrojtja të rritet ndjeshëm. Ndoshta Irani mund të pengohet nga nisja e sulmeve të mëtejshme të drejtpërdrejta kundër Izraelit, pasi e kupton nivelin se sa i cenuar është.

Ishte jetike për Izraelin që të fillojë shpejt me përgjigjen ndaj agresionit të Iranit, për të shmangur përshtypjen e dobësisë në një rajon ku forca është gjithçka. Por, në llogaritjet e Izraelit se si do ta kalibrojë reagimin e vet, është i nevojshëm ndërtimi i një koalicion ndërkombëtar të mbrojtjes – i cili u formua kaq shpejt gjatë javës së kaluar. Kjo ka rëndësi strategjike, duke pasur parasysh gamën e kërcënimeve në Lindjen e Mesme – ku kryesori është grupi prej 150 mijë ose më shumë raketave në Liban, të cilat cak kanë Izraelin.

Këto i janë dorëzuar Hezbollahut nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, për të penguar ose për t’u hakmarrë ndaj sulmit izraelit në Iran. Benjamin Netanyahut nuk i është dashur të bëjë asgjë për të lëkundur vendosmërinë e re të Perëndimit kundër Iranit, meqë G7 këtë javë njoftoi për sanksionet.

Në fushatën e saj në Gazë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit po përgatiten të kryejnë një sulm të madh në Rafah, për të marrë bastionin e mbetur të Hamasit dhe për të shpëtuar pengjet që mbahen atje. Ky është prioriteti numër një i Izraelit, për momentin, dhe ai nuk dëshiron që përpjekjet e veta ushtarake të devijohen nga përshkallëzimi me Iranin.

Lideri i Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, e dëshiron të kundërtën. Ka shpresuar për një konflikt më të gjerë, si dhe në presionin ndërkombëtar kundër Izraelit për ta shpëtuar organizatën e tij nga shkatërrimi.

Ky sulm mund të krahasohet me bombardimin [Doolittle Raid] në vitin 1942, kur ShBA-ja nisi një sulm ajror kundër Tokios – nga një transportues 800 milje larg brigjeve të Japonisë. Shkaktoi pak dëme në terren, por në Japoni ngjalli frikën për mbrojtjen e ishujve vendas, duke hapur kështu rrugën drejt humbjes përfundimtare. Gjithashtu, rriti moralin në ShBA dhe midis aleatëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot. Aleatët arabë të Izraelit duhet të kuptojnë se Jerusalemi është i aftë dhe i gatshëm të merret me armikun e tyre iranian edhe kur Uashingtoni u thotë që të mos e bëjnë këtë.

Në kontrast të drejtpërdrejtë me sulmin e dështuar të Iranit të një jave më parë, Izraeli goditi pa paralajmërim dhe Teherani me sa duket ishte i pafuqishëm për ta ndaluar sulmin. Forca Mbrojtëse e Izraelit ka mundur të godasë më fort. Ky mund të jetë vetëm kësti i parë i një serie më të rëndë të sulmeve, qoftë nga ajri apo duke i përdorur forca e fshehta në tokë, pasi Jerusalemi që më parë ka dëshmuar se e ka aftësinë për ta bërë këtë.

Izraeli e ka treguar epërsinë e vet luftarake në rajon. Perëndimit që po luhatet, mund t’i jetë dhënë një mësim se si duhet t’i kundërpërgjigjet agresionit të regjimeve despotike. /Telegrafi/