LAJMI I FUNDIT:

Suksesi dhe vizioni i AKR-së

Ndërsa koalicioni i madh përreth kandidatit të PDK-së në Prizren dhe Lipjan fitoi, shumë pyetje mund të shtrohen: çfarë mund të bëjë AKR-ja ndryshe? çfarë do të sjellë ajo të re në qeverisje? Janë pyetje të ligjshme që mund t’i shtrojë secili prej skeptikëve, qoftë në aftësitë e AKR-së për të qeverisur, qoftë në arsyet pse përfshirja e AKR-së në këtë aleancë e bëri atë fituese. AKR-ja ishte shumë afër fitores në komunat më të mëdha, në Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, etj.

Po merrem në fillim me aftësitë e AKR-së për të qeverisur. Do t’i shpjegoj këto aftësi duke nisur të tregoj diçka për veten. Për mirë a për keq, në imagjinatën kolektive, AKR-ja është e lidhur me mua. Kështu që duhet ta shpjegoj pak se ç’jap dhe çfarë marr unë prej AKR-së.


Kur në 1976 e largët lija Kosovën për të shkuar në Perëndim, bashkë me valixhen e vjetër me ndërresa, në mendjen time kisha një ngarkesë tjetër, të mbushur me besim, sinqeritet dhe guxim. Pas po lija prindërit dhe të afërmit e mi, në një jetë e cila kishte shënjuar për mirë karakterin tim. Po lija një Kosovë e cila kishte hyrë në një fazë lulëzimi të përkohshëm. E gjitha kjo falë hapjes së universitetit dhe krijimit hap pas hapi të një elite intelektuale që do të përcaktonte zhvillimet e mëpasme.

Ky lulëzim kishte ndikuar tek unë, në forcimin e dashurisë për atdheun, në ndjenjën e krenarisë kombëtare, por dhe në dëshirën e shfrenuar për të afirmuar individin shqiptar si shembull suksesi në shoqërinë dhe biznesin e botës së madhe.

Kisha besim në aftësitë e mia, të cilat për të qenë modest nuk po i rreshtoj, apo nuk po e zmadhoj listën e tyre. Kisha besim tek dëshira për punë që do të më nxirrte faqebardhë në çdo sfidë. Ishte një dëshirë që më vinte prej edukimit familjar, por dhe jetës në Kosovën e ndërtuar prej njerëzve punëtorë. Kosovari asokohe ishte punëtor i madh, që nuk i trembej punës.

Unë isha i sinqertë. Kjo cilësi më ishte farkëtuar gjithashtu prej prindërve të mi që më kishin mësuar të mos gënjeja kurrë. Nuk mund të ecja shumë para në nivelet e biznesit në të cilat eca për 40 vjet, pa qenë i sinqertë. S’do të më kishin pranuar askund, s’do të kisha fituar asnjë punë, s’do të udhëhiqja dot asnjë ekip, ndërmarrje për më shumë me natyrë shumëkombëshe, ku shqiptarët gjithsesi ishin më të shumtit.

Unë kisha guxim për t’u përballur me rreziqet e një jete të re në botën e madhe. Këtë guxim gjithashtu e gjeja mes bashkëkombësve të mi, që kanë dëftyer vazhdimisht se për dinjitetin e tyre, për pavarësinë e tokës së tyre, kanë guxuar të sakrifikojnë siç tregon jo vetëm shembulli i familjes Jashari. Mund të ketë dhe popuj të tjerë që e duan pavarësinë, por që s’guxojnë të sakrifikojnë.

Unë kisha besim, sinqeritet dhe guxim. Këto cilësi më bashkuan me suksesin.

Pse AKR-ja?

I përkas një brezi të lidhur shumë me familjen. Edhe sot më krijojnë emocione të forta kujtimet familjare, një shenjë gjallërie apo gëzimi e nënës së moçme që ka shumë pak për t’i thënë jetës. E pra, nuk mund të vazhdoja të rrija pa ndërprerje jashtë vendit. Tregimet e punonjësve të mi, eksperiencat e shkurtra të punës dhe kontaktet me të afërmit, kohërat në të cilat hyri Kosova dhe ku unë, apo të afërmit e mi kishin kontribut modest, më bindën përfundimisht se unë duhej të kthehesha në Kosovë.

Duke sakrifikuar tashmë kohën time të lirë që mund ta ndaja fare mirë me familjen që kisha krijuar. Por jo vetëm kohën. Duhet të pranoja të zhytesha në një botë si ajo e politikës që nuk është mirëdashëse, që shpesh është e egër. Dhe jo njerëzore.

Unë doja të gjeja në Kosovë njerëz plot besim. Të guximshëm. Të sinqertë. E dija që do t’i gjeja. Doja të bëja realitet në Kosovë ëndrra siç është jeta ime! Ajo është ashtu e mbushur plot historira të pabesueshme, eksperienca, udhëtime, aksidente, suksese, dështime!

Nëse nuk kishte besim, doja ta nxisja atë kryesisht mes të rinjve. Nëse guximi për të sfiduar të ardhmen, do ishte topitur, doja të punoja për ta ringritur. Doja t’i bëja himn sinqeritetit, që mua djalit të thjeshtë nga Marevci i Prishtinës më bëri të pranueshëm në nivelet më të larta të biznesit botëror.

Të gjitha këto s’mund t’i bëja vetëm. Si lojtar individual në politikën kosovare mbase mund të kisha suksese më të mëdha personale, dhe për më shumë të shpejta. Por jo. Unë doja të kisha afër meje, njerëz që si mua kishin besim tek e ardhmja e vendit më të varfër të Europës. Për të besuar, duhet guxim, dhe për të bindur popullin që të na ndjekë në idetë tona duhet sinqeritet. Nëse dikush do të zhgënjehej prej kësaj rruge që zgjodha unë, do t’a ftoja ta ndryshonte rrugë. Ndaj krijova AKR-në, e cila si parti e ndryshme nga të tjerat, rezultoi e suksesshme.

Kam qenë i pajisur me durim për të ardhur në pushtet. Nuk kam përdorur as paratë e mia që janë të ligjshme, as paratë publike. Nuk kam blerë dhe shitur deputetë. I kam lejuar të ikin ata që u lodhën me durimin tim dhe do ta bëj të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. Më krijojnë trishtim zhvendosjet e fundit, por nuk më ligështojnë.

Jam i lumtur që në këto zgjedhje gjeta shumë individë, shumë të rinj e të reja që vlerësuan vizionin tim, qoftë si kandidatë, qoftë si votues. Do të doja shumë që të kishim fituar disa komuna, ku ne të zbatonim vizionin tonë, në themel të të cilit qëndron, besimi, guximi dhe sinqeriteti. Por siç e thashë më sipër, nuk kam uri për pushtetin që të shtyhem të blej apo të manipuloj vota.

Mbase s’kam arritur të mbroj siç duhet votën e votuesve tanë. Por kam nxjerrë mësime prej këtyre zgjedhjeve. Kam fituar shumë miq, shumë vlera, shumë drejtues të cilët garuan për here të pare në politikë si: Mimoza Kusari, Vegim Gashi, Rexhep Oruqi, Ramadan Basha, Naim Ferati e plot të tjerë në komunat më të rëndësishme të Kosovës. Fitova besimin se në zgjedhjet e ardhme do të bëjmë më mirë!

Do doja shumë që dijenitë e mia, modelin tim të suksesit, modelin e miqve të AKR-së, ta jetësoja në ndonjë komunë. Do të doja ta shndërroja në dëshmi të modelit tonë modern qeverisës, të mbështetur tek puna, guximi, besimi dhe sinqeriteti. Insistoj tek sinqeriteti: Muhameti, profeti ynë ishte i sinqertë dhe pranonte gabimet e veta. Të gjithë zotërit e njerëzve e vënë sinqeritetin në plan të parë. Ne të vdekshmit duhet t’i ngjajmë atyre.

Ne duam të ndërtojmë një model të ri të bërit politikë, si bazë për zhvillimin e vendit. Në pamundësi për ta bërë këtë të vetëm, bashkë me aleatët, në direktoratet që do drejtojmë, ne do të japim shembuj unikë suksesi. Ne do ndryshojmë shumë gjëra për mirë.

Garanci për të arriturat tona të së ardhmes janë pse jo, përveç shembullit tim personal të suksesit, edhe fakti se AKR-ja është një parti që mbështetet më së shumti tek rinia. Për fat të mirë rinia e sotme, ashtu si unë në 1976-n e largët është e pajisur plot besim, guxim dhe sinqeritet.