Christina Doctare, mjeke dhe autore që mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1988 si anëtare e Forcave Paqësore të OKB-së, e ktheu këtë njohje prestigjioze në shenjë proteste ndaj Çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, në vitin 1992 ajo ishte e para që foli për përdhunime sistematike gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe tregoi për atë që po ndodhte si një doktor i OKB-së.

Ndërsa sonte ajo foli me qindra të mbledhur në kryeqytetin Suedez për të protestuar ndaj vendimit të Akademisë Suedeze për t’i dhënë çmimin austriakut, i cili gjatë luftërave në ish-Jugosllavi mbështeti regjimin e Sllobodan Millosheviqit dhe haptazi mohoi që gjenocidi i Srebrenicës kishte ndodhur.

“Ai u përgëzua dhe iu dha një çmim. Tani unë po kthej timin”, citohet të ketë thënë ajo para të tubuarve me një medalje në dorë.

Të mbledhurit e duartrokitën dhe me zë të lartë thirrën emrin e saj.

Ajo gjithashtu kujtoi luftërat në Ballkan, nga ku raportoi dhe tregoi krimet që po ndodhën.

“Për sa kohë që unë jetoj, do të dëshmoj se e vërteta e një lufte të tmerrshme nuk do të mohohet kurrë”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/