Stuhitë e fuqishme dhe erërat e forta që kanë përfshirë Komunën e Rahovecit gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, prona private dhe infrastrukturë.

Një nga zonat e prekura është fshati Zaqishtë, i njohur për traditën e kultivimit të hardhisë dhe prodhimit të rrushit. Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka vizituar nga afër vreshtin e fermerit Musli Gashi, ku pasojat e stuhisë kanë lënë dëme të dukshme.


Në këtë vresht, rreshta të tëra të hardhive janë rrëzuar në tokë nga fuqia e erërave, duke shkaktuar humbje për fermerin dhe dëmtuar një nga sektorët kryesorë të ekonomisë lokale.

“Po e shohim nga afër vreshtin e dëmtuar të Musli Gashit në Zaqishtë. Janë të shumta dhe të mëdha dëmet nga erërat dhe stuhitë e forta të ditës së djeshme”, ka deklaruar kryetari Smajl Latifi.

Ai ka bërë të ditur se pasojat e motit të keq janë evidentuar në disa fusha.

“Dëme ka në vreshta, në serra, në pemë, në çatitë e shtëpive, si dhe në shtyllat dhe kabllot e KEDS-it”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, Komuna e Rahovecit do të nisë procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve përmes komisionit përkatës komunal.

“Komisioni Komunal për Regjistrimin dhe Vlerësimin e Dëmeve edhe këtë herë do ta bëjë më së miri punën e vet. Do t’i evidentojë të gjitha dëmet dhe do të përgatisë raportin përkatës”, është shprehur ai.

Kryetari Latifi ka theksuar se raporti i dëmeve do të procedohet te institucionet përgjegjëse për shqyrtim dhe vlerësim.

“Për dëmet e tashme, brenda një afati optimal, do ta bëjmë gati raportin, të cilin do ta dërgojmë të miratuar në AME, përkatësisht në Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve”, ka deklaruar Latifi.

Komuna e Rahovecit ka kërkuar vazhdimisht kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa procesi aktual i vlerësimit pritet të përcaktojë përmasat reale të dëmeve dhe nevojat për mbështetje.

Vreshtarët dhe fermerët e prekur presin reagim institucional, pasi dëmet e shkaktuara nga stuhia mund të ndikojnë ndjeshëm në prodhimin bujqësor të këtij viti. /Telegrafi/