LAJMI I FUNDIT:

“Streha mes reve”, dy fe e një tempull

“Streha mes reve”, dy fe e një tempull

Dy fe, një tempull! Drama e vendosur në Shqipërinë thellë rurale dhe tradicionale trajton një ngjarje shumë të pazakontë: unitetin mes myslimanëve dhe katolikëve të cilët ndajnë mes tyre një xhami – kishë të përbashkët, shkruan DMovies për filmin “Streha mes reve” të Robert Budinës.

Besniku jeton në mal me familjen e tij, në një fshat të vogël diku në Shqipërinë Veriore. Pamja është asgjë më pak se spektakolare. Peizazhi i thepisur është i gjelbër dhe i bardhë, pjesërisht i mbuluar nga dëbora, pjesërisht i mbuluar nga bimësia e harlisur. Dhitë janë kudo dhe duket se janë më të shumta në numër se njerëzit. Ata u sigurojnë qumështin, mishin dhe lëkurën e tyre vendasve, të cilët kanë një jetë të pasigurt, por relativisht të qëndrueshme dhe të kënaqshme.


Retë në titullin e filmit kanë një rëndësi të dyfishtë. Ato i referohen maleve ku ndodh historia; majat e tyre shpesh mbulohen me retë dhe kërkimit për një terren më të lartë moral, një lloj qielli ekumenik.

Babai i sëmurë i Besnikut është mysliman (komunist), vëllai i tij Albani konvertohet në ortodoks, ndërsa nëna e tij ishte katolike. Besniku nuk ka mundur të martohet me dashurinë e jetës së tij për arsye politike.

“Por, mbi të gjitha, duket se fshatarët ende janë të ndikuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili ndalonte të gjitha llojet e fesë. Një ditë, Besniku merr hapin e pazakontë të gërvishtjes së murit të brendshëm të xhamisë, nën të cilin zbulohet muralja katolike. Dy eksperte femra nga instituti i monumenteve vijnë për të vlerësuar dhe rregulluar muralen. Pastaj vijnë lajmet tronditëse. Xhamia më pak se gjashtë shekuj më parë (deri në 1470) ishte kishë. Pak a shumë si Haja Sofia në Stamboll. Dhe, për një kohë të gjatë, myslimanët i lejuan banorët katolikë që të praktikonin fenë e tyre në xhami një herë në javë”, shkruan DMovies.

Ky ishte një gjest politik nga turqit e atëhershëm, të cilët dëshironin të nxirrnin në pah tolerancën e tyre fetare.

Shqipëria u bë shtet i pavarur 106 vjet më parë, më 28 nëntor 1912 (“Streha mes reve” u shfaq në Black Nights Film Festival në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë). Vendasit myslimanë vendosin ti dhurojnë një “degë ulliri” komunitetit katolik dhe ta rihapin xhaminë një herë në javë për besimin e krishterë. Propozimi pritet sa me entuziazëm, aq edhe me përqeshje nga banorët.

Në njëfarë mënyre, kjo ide jo shumë e zakonshme është e lidhur me dëshirën personale të Besnikut mbi lirinë fetare. Ai është fjalëpakë dhe nuk është gjithmonë e lehtë të zbulohen qëllimet e tij. Ndoshta jo rastësisht, njeriu i qetë dhe i turpshëm fillon një romancë me një nga femrat e ardhura në fshat si të donte të vlerësonte dëmin që ai i bën vetvetes.

“Streha mes reve” është një dramë delikate dhe fisnike mbi arritjen e lirive personale dhe atyre fetare. /GSH/