Steinbach: Mbështetje rindërtimit dhe kthimit të të zhvendosurve

Ambasadori Steinbach, i ka dhënë mbështetje rindërtimit dhe përpjekjeve për kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre në gjithë Kosovën. Duke u ndërlidhur me procesin e rindërtimit në veri, ku gjatë disa ditëve ka pasur protesta të dhunshme të dhjetëra serbëve, të cilët kundërshtojnë rindërtimin, ai ka thënë se dhuna është e papranueshme.
Në anën tjetër, ai është interesuar për përpjekjet e komunës për krijimin e kushteve për kthim edhe në jug të qytetit, duke përmendur me këtë rast fshatin Frashër ku janë të rindërtuara 137 shtëpi të serbëve, të cilët hezitojnë të kthehen.
Lidhur me këtë, kryetari Rexhepi, vlerësoi si shumë me rëndësi depolitizimin e çështjes së të zhvendosurve. Ai tha se rindërtimi është një projekt humanitar dhe ai nuk duhet të politizohet prej askujt.
Sa i përket Frashërit, kryetari Rexhepi, tha se komuna ka shprehur gatishmërinë që të ndihmoj me të gjitha mundësitë që ka në mënyrë që banorët serbë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ai tha se ekziston vullneti i plotë i komunës që të ndihmoj konkretisht për kërkesat që kanë banorët e këtij fshati.
Rexhepi tha se para disa ditësh gjatë një vizite në fshatin Frashër bashkë me zëvendëskryeministrin Kuçi, janë takuar me përfaqësues të serbëve, prej të cilëve kanë kërkuar që bashkë me përfaqësues të komunës të bëjnë një listë me kërkesat që kanë në mënyrë që të veprohet konkretisht.
Ndërsa për procesin e rindërtimit në Kroin e Vitakut, Rexhepi tha se atje punët janë duke shkuar sipas planit. Ai dënoi dhunën e ushtruar nga ekstremistët serbë ndaj strukturave të rendit dhe punëtorëve që janë të angazhuar në atë projekt, duke thënë se ata kanë për qëllim të politizojnë edhe gjërat më humane.
Përveç përpjekjeve për krijimin e kushteve për kthim të të zhvendosurve në Kroin e Vitakut dhe Frashërit, ai tha se është duke u punuar edhe sa i përket kthimit të romëve, të cilët janë duke jetuar nëpër kampe në veri, për të cilët janë duke u ndërtuar objekte për banim kolektiv dhe privat në lagjen që është duke u rindërtuar në jug të Mitrovicës, ku tashmë janë vendosur shumë familje të këtij komuniteti. /Telegrafi/









































