Spiropali i përgjigjet ashpër Ramës: Më përjashto, nëse kritika shihet si problem

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka publikuar një reagim të gjatë ku kritikon mënyrën e trajtimit të mendimit ndryshe brenda strukturave politike dhe i është drejtuar indirekt kryeministrit Edi Rama.
Ajo ka theksuar se debati i brendshëm politik nuk duhet të shndërrohet në ndëshkim publik. “Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik”, ka deklaruar Spiropali.
Duke vijuar qëndrimin e saj, ajo ka thënë se problemi nuk qëndron te mospajtimi, por te frika prej tij. “Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi”, është shprehur ajo.
Spiropali ka kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të kritikës brenda partisë, duke thënë se ajo nuk ka sulmuar forcën politike, por ka ngritur shqetësime për funksionimin e saj. “Nuk kam sulmuar Partinë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste”, ka thënë ajo.
Në reagimin e saj, ish-ministrja ka folur edhe për presionin ndaj zërave kritikë. “Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim”, ka theksuar ajo.
Ajo ka shtuar se mospajtimi është pjesë e demokracisë dhe jo shkelje besnikërie. “Mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë. Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë”, ka deklaruar Spiropali.
Në fund të reagimit, ajo ka bërë një deklaratë të fortë, duke iu drejtuar në mënyrë indirekte kryeministrit.
“Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto, dhe nëse nuk respektohet e drejta të flas… zgjidhja është një: më përjashto”, ka deklaruar Spiropali. /Telegrafi/




















































