Spektakël i pingpongut në Prishtinë, përmbyllet me sukses 'Prishtina Open 2026'

Nga data 28 deri më 30 gusht Pallati i Sporteve, në Prishtinë ka tubuar pingpongistë nga shumë vende të Evropës.
Mbi 200 lojtarë, gjatë tri ditëve, në grupmosha U13, U17, U21 dhe për seniorë kanë dhënë shumë emocione dhe pingpong të nivelit ndërkombëtar.
Ditën e fundit, më 30 gusht vlen të përmendet suksesi i Sara Hoxhës (U17), e cila arriti deri në finale dhe pas një dueli dramatik doli e dyta, kurse e para ishte Jovevska e Maqedonisë Veriore, njëherit kampionia e vitit të kaluar.
Seniorët me shumë lojtarë që vinin nga vendet me pingpong të zhvilluar, si Ukrainë, Bullgari, Austri dhe Turqi kënaqën shijet e pingpongdashëve.

Aleksandër Çen nga Austria, e ka mbrojtur titullin kampion pasi në finale e mundi Sina Keyhan, kurse Tarik Ozbek doli i treti pasi e mundi bullgarin Daniel Kostadinov.
Te femrat, e para doli, Jagmur Karaxha, e cila në finale e mundi bashkëvendësen e saj Zejnep Karaxha me 3:2, në seta, kurse vendin e tretë e zuri Zhale Xhan, po ashtu nga Turqia, e cila e mundi bullgaren Kostadinova me 3:2 në seta.
Vlen të përmendet paraqitja shumë e mirë e Leoresa Imerit, e cila hyri ndër 8 më të mirat dhe në duelin për gjysmëfinale humbi ngushtë (2:3), nga bullgarja Kostadinova.
Dita finale u përmbyll me lojën shpërblyese për shikuesit ku organizatori e ndau një IPhone 17.
Përveç garave në tavolinë, pjesëmarrësit kanë pasur rastin ti provojnë aftësitë e tyre edhe me pingpong me teknologjinë e realitetit virtual. /Telegrafi/













































