LAJMI I FUNDIT:

Specializantët kërkojnë pagesën e kujdestarive, paralajmërojnë bojkot të punës

Specializantët kërkojnë pagesën e kujdestarive, paralajmërojnë bojkot të punës

Një grup i specializantëve të Qendrës Kline Universitare të Kosovës kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë për mospagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave, si dhe për detyrim të pagesës për vitin e shkollimit specialistik.

Specializantët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë çdo ditë deri të premten, derisa të marrin përgjigje pozitive nga Ministria Shëndetësisë, ndërsa nëse nuk marrin ndonjë përgjigje nga kjo ministri ata kanë paralajmëruar bojkotim në institucionet e shëndetësisë, raporton kp.


Kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi tha se vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë nuk po përfillen sipas Ligjit të pagave.

Teksa shtoi se kujdestaritë po paguhen me paga në baza mujore, ndërsa nga muaji shkurt kategoritë me subvencione nuk kanë marrë asnjë pagesë për kujdestaritë.

“Ministria ka marrë disa vendime të cilat po shkojnë në disfavorin tonë p.sh. sot specializantët në bazë të vendimit që është marrë në qershor të këtij viti detyrohen me pagu 500 euro për shkollim specialistik 5-vjeçar.

Kjo i bie një specializant 2500 euro duhet me paguar për 5-vjet. Tjetër, prej muajit shkurt i këtij viti specializantët nga kategoria me subvencione nuk e kanë marrë asnjë cent për kujdestarit që ata i kanë mbajtur, kjo është një problematik tjetër.

Ndërsa, kujdestaritë të cilat po paguhen neve specializantet nga kategoria e rregullt po paguhen në kundërshtim me Ligjin të ri t pagave dhe në kundërshtim me rregulloren që e kanë miratuar qeveria e Republikës së Kosovës më datën 3 shkurt të vitit 2023….”, tha ndër të tjera Zajmi.

Sipas tij, ata i kanë parashtruar kërkesat e tyre me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë si dhe kanë mbajtur takime, por nuk ka ndonjë përgjigje konkrete.

“Në ndërkohë ne po mendojmë që protestat të jenë çdoditore nga kjo ditë deri të premten, e nëse nuk plotësohen atëherë do të radikalizojmë masat tona. Ne kemi bërë më herët protesta , kjo nuk është diçka rastësi për shkak që ne kemi bërë edhe kërkesa në norma të shkruara dhe kemi pasur takime në 13 korrik të këtij viti këtu”, shtoi ai.

Edhe Pranvera Bytyçi, specializante në QKUK u shpreh se kujdestaria 24 orëshe e specializantëve, nuk është duke u paguar me asnjë pagesë shtesë.

“…Duke filluar nga kushtet e punës në klinikat e Kosovës që janë jashtëzakonisht të rënda, shtoja dhe kësaj faktin që ne nuk paguhemi për punën që e kryejmë. Nuk jemi duke kërkuar diçka më shumë së sa na takon, ne fillojmë punën në orën 07:00 në mëngjes e përfundojmë ditën tjetër në 07:00 në mëngjes, është një kujdestari 24 orësh e cila paguhet në fund zero euro”, tha Bytyçi.