Speca të mbushur me djathë dhe vezë: Drekë e lehtë verore

Në verë, pak kush ka dëshirë të kalojë shumë kohë duke gatuar, prandaj specat e mbushur me djathë dhe vezë, të pjekur në furrë, janë zgjedhja ideale kur dëshironi një vakt të shpejtë, të lehtë dhe plot shije
Përgatitja e specave të mbushur është shumë e thjeshtë dhe i gjithë procesi, nga larja e specave deri te shërbimi në tavolinë - zgjat rreth një orë. Bukuria e këtij receta është se mund të konsumohen si të ngrohtë, ashtu edhe të ftohtë, të shoqëruar me një copë buke të freskët dhe një gotë kos ose jogurt.
Tipi i gjellës: drekë / darkë e lehtë
Koha e përgatitjes: 20 minuta
Koha e pjekjes: 30–35 minuta
Koha totale: rreth 60 minuta
Numri i porcioneve: 4 persona
Përbërësit:
▪ 5 speca të mëdhenj (ose 6–7 speca të gjatë, të vegjël)
▪ 600 g djathë i bardhë i plotë yndyre (i thërrmuar ose i grirë)
▪ 3–4 vezë
▪ 1 tufë majdanoz i freskët
▪ kripë dhe piper sipas shijes
▪ erëza shtesë sipas dëshirës (rigon, hudhër pluhur, borzilok i thatë)
▪ pak vaj për lyerjen e tepsisë
Përgatitja:
1. Përgatitja e specave: Lani specat dhe pastroni nga farat. Nëse përdorni speca të mëdhenj, pritini përgjysmë nga gjatësia - do të piqen më shpejt. Specat e gjatë mund të lihen të plotë, mjafton t’u hiqni bishtat dhe farat.
2. Përgatitja e mbushjes: Në një enë përzieni djathin me vezët derisa masa të bëhet homogjene. Shtoni majdanozin e grirë imët, kripë, piper dhe erëza sipas shijes. Masa duhet të jetë kompakte, por edhe e butë për t’u shpërndarë lehtë. Për shije më të pasur, mund të shtoni 100 g proshutë ose sallam të grirë hollë.
3. Mbushja e specave: Mbushni secilin spec me përzierjen e përgatitur dhe vendosini në një tepsi ose pjatë të thellë rezistente ndaj nxehtësisë, të lyer lehtë me vaj. Mos i mbushni deri në fund dhe lërini pak hapësirë mes tyre që të piqen në mënyrë të barabartë.
4. Pjekja: Piqni në furrë të parangrohur në 200°C për 30–35 minuta, derisa specat të zbuten dhe të marrin një ngjyrë të lehtë të artë në skaje. Djathi dhe vezët do të lidhen dhe do të krijojnë një mbushje të plotë me teksturë perfekte.
5. Shërbimi: Lërini të pushojnë 5–10 minuta përpara se t’i servirni. Kombinohen shkëlqyeshëm me një sallatë të freskët stinore dhe kos ose dhallë.
Këshilla shtesë:
▪ Për shije më pikante, shtoni hudhër të freskët, spec djegës të grimcuar ose pak pana kosi në masën e mbushjes.
▪ Specat mund të konsumohen edhe të ftohtë, janë idealë për një drekë në punë ose për piknik.
▪ Përgatiten lehtësisht një ditë më parë dhe ngrohen para servirjes pa humbur shijen.
▪ Për version më të shëndetshëm, përdorni djathë me yndyrë më të ulët dhe shtoni perime të grira imët si kungulleshka ose karota.
Ju bëfshin mirë, - transmeton Telegrafi.



















































