SPAK zbardh zhdukjen dhe vrasjen e Klevis Lleshit në 2020, lëshohen katër urdhra-arresti

Një hetim i SPAK, sektorit të hetimit të krimit të organizuar, besohet të ketë zbardhur një vrasje dhe zhdukje të një personi pesë vjet më parë.
Bëhet fjalë për Klevis Lleshin, i cili u zhduk pa gjurmë në vitin 2020, dhe trupi i tij u gjet pas më shumë se dy vitesh në një fshat të Matit.
Trupi i viktimës u zbulua si rezultat i erozionit të tokës nga banorët e zonës ku pas testit të ADN-së, ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi, 24 vjeç.
Ngjarja fillimisht u hetua nga prokuroria vendore, ndërsa familjarët kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi.
Ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një gjakmarrjeje ndër vite, pasi të riut më herët i janë ekzekutuar babai dhe xhaxhai, raporton euronews.al
Gjatë natës janë ushtruar kontrolle në disa zona, ndërsa nga GJKKO janë lëshuar edhe katër masa sigurie.
SPAK ka rënë në gjurmët e autorëve gjatë hetimeve për një krim tjetër, konkretisht lidhur me ngjarjen ku Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj.

















































