SPAK kërkon nga kandidatët për kryeministër rritjen e vlerës së koeficientit për 50%

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) me një letër i është drejtuar kandidatëve për kryeministër të Republikës së Kosovës për gjendjen në të cilën ndodhet shërbimi civil i Kosovës.
Përmes kësaj letre ata kërkojnë rritjen e vlerës së koeficientit së paku për 50%, me qëllim sigurimin e një page dinjitoze dhe konkurruese si dhe një sërë çështjesh tjera.
"Procedimi urgjent i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Pagat, si dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë. Funksionalizimi i menjëhershëm i Këshillit Ekonomiko-Social, si mekanizëm i domosdoshëm i dialogut social. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe atyre sektoriale", thuhet në letër.
Për më shumë lexoni letrën e plotë të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës:
Letër e hapur - drejtuar kandidatëve për Kryeministër të Republikës së Kosovës
Të nderuar kandidatë për Kryeministër,
Në emër të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës – SPAK, ju drejtohemi me këtë letër të hapur për të shprehur shqetësimet tona të thella, si dhe disa nga kërkesat urgjente që lidhen me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shërbimi civil në Republikën e Kosovës. Pavarësisht angazhimit të palëkundur dhe nivelit të lartë të përgjegjësisë profesionale, shërbyesit civilë çdo ditë po përballen me sfida serioze, të cilat tashmë janë bërë të pashmangshme dhe të papranueshme, siç janë:
1. Pagat e ulëta dhe të padinjitetshme, të cilat nuk pasqyrojnë koston reale të jetesës.
2. Mungesa e harmonizimit të vendeve të punës, ku pozitat e njëjta ose të ngjashme kompensohen në mënyrë të pabarabartë.
3. Kushtet e papërshtatshme të punës, që ndikojnë drejtpërdrejt në performancë dhe mirëqenie.
4. Mungesa e ligjit për sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, duke lënë shërbyesit civilë pa mbrojtje adekuate nga rreziqet në punë.
5. Mungesa e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, çka na rendit ndër vendet e pakta pa një instrument të tillë social.
6. Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko- Social (KES), i cili pengon koordinimin dhe dialogun institucional mes partnerëve socialë.
Këto probleme nuk janë më çështje durimi për punëtorët; ato përbëjnë rrezik serioz për funksionimin efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës. Investimi në shërbimin civil nuk është privilegj, por domosdoshmëri. SPAK-u, gjatë konsultimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit sindikalë dhe vetë shërbyesit civilë, ka identifikuar një sërë kërkesash kryesore, të cilat pasqyrojnë nevojat reale dhe parimore për përmirësimin e kushteve të shërbyesve civilë, siç janë:
1. Rritja e vlerës së koeficientit së paku për 50%, me qëllim sigurimin e një page dinjitoze dhe konkurruese.
2. Procedimi urgjent i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Pagat, si dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë.
3. Funksionalizimi i menjëhershëm i Këshillit Ekonomiko-Social, si mekanizëm i domosdoshëm i dialogut social.
4. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe atyre sektoriale.
5. Përfshirja e përfaqësuesve sindikalë në procesin e hartimit të legjislacionit që ndikon në shërbimin civil.
6. Caktimi i përfaqësuesit sindikal në KPMSHC.
7. Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, pa vonesa të mëtejshme.
8. Hartimi i ligjit pensional për të punësuarit pas luftës së viteve 1998–1999, me qëllim garantimin e një trajtimi të drejtë pensional.
9. Zgjidhja e menjëhershme e problemeve teknike dhe procedurale në platformën E- Kosova, që lidhen me anëtarësimin dhe funksionimin e sindikatave.
Të nderuar kandidatë, koha e premtimeve të përgjithshme ka kaluar. Administrata publike kërkon angazhim të qartë, politika konkrete dhe vendimmarrje të guximshme.
Vetëm me masa reale mund të ndërtojmë një shërbim civil modern, profesional dhe të respektuar; dhe vetëm atëherë qytetarët e Republikës së Kosovës do të përfitojnë shërbime më cilësore e më efikase, në përputhje me pritjet dhe nevojat e tyre. /Telegrafi/
















































