LAJMI I FUNDIT:

Spahiu: Dëmtimi i veturave dhe sulmi me armë zjarri në komunën e Mitrovicës kanë ndërlidhje

Spahiu: Dëmtimi i veturave dhe sulmi me armë zjarri në komunën e Mitrovicës kanë ndërlidhje

Pas dëmtimit të dhjetë veturave të komunës nga katër punëtor sigurimi që kanë punuar aty, si dhe pas sulmit me armë zjarri ndaj objektit të komunës së Mitrovicës nga persona zyrtarisht të paidentifikuar ende, ka reaguar edhe analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili ka shprehur bindjen se kjo po bëhet për ta frikësuar kryetarin Agim Bahtiri.

“Është kërcënim, pasi që kështu po i thuhet kryetarit të komunës: “Ke kujdes se ne mund të shkojmë në akte edhe më të rënda’, pra po kërkojnë që mos t’ua prish rehatinë. Unë mendoj se kryetari Bahtiri është treguar shumë i tolerant me ato që kanë ndodhur, pasi që me kohë është dashur ta zbatoj ligjin dhe ta ndërpres atë kontratë të lidhur në kohën e Avni Kastratit, për të cilën auditori ka gjetur shkelje”, ka thënë Spahiu për Veriu.info.


I pyetur se a ka ndërlidhje dëmtimi i veturave me sulmin me armë zjarri ndaj objektit të komunës, analisti nga Mitrovica ka thënë: “Besoj se po. Por nuk është vetëm puna e kësaj kontrate për parking, ngase shumë gjëra të paligjshme pas luftës janë kryer në Mitrovicë nga disa persona. Parkingu është vetëm shkas për t’ia bërë të ditur kryetarit se mos shko më tutje, se mundesh me pas telashe”.

Spahiu thotë se gjatë gjithë qeverisjeve të mëhershme në Mitrovicë ka pasur keqpërdorime, por sipas tij, gjatë qeverisjes së Avni Kastratit ka arritur kulminacioni i keqpërdorimeve.