Soule refuzon sërish Italinë, po pret ftesë nga Argjentina

Matias Soule, talenti argjentinas dhe një nga lojtarët më premtues të Romës, është përsëri në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo për merkato.
Sulmuesi i ri ka zgjedhur të vazhdojë përkushtimin ndaj Argjentinës, duke refuzuar thirrjet e mundshme nga Italia, pavarësisht se ka shtetësi të dyfishtë.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Soule nuk ka ndryshuar qëndrim krahasuar me vitin 2023, kur i tha jo thirrjes së trajnerit të atëhershëm, Luciano Spalletti, duke theksuar një ndjenjë të fortë përkatësie: “Nuk ndihem italian.”

Edhe me Rino Gattuson në stolin e Italisë, situata mbetet e pandryshuar. Rreth Covercianos, thuhet se çdo dialog i mundshëm me FIGC është më shumë një veprim strategjik nga agjenti i tij, Martin Gustadisegno, për të mbajtur vëmendjen e trajnerit argjentinas, Lionel Scaloni, i cili ende nuk e ka thirrur zyrtarisht.
Në fushë, Soule po vazhdon të shkëlqejë. Ai ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshjet e para të Serie A, duke konfirmuar rolin e tij si një nga lojtarët kyç të Romës së Gasperinit.

Lojërat e tij elegante, asistet e sakta dhe aftësia për të lënë gjurmë në zonën sulmuese e kanë bërë një nga emrat më të ndjekur të kampionatit italian.
22-vjeçari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Argjentinës, por ende nuk ka bërë debutimin me Kombëtaren A. /Telegrafi/



















































