Sot paraqiten deklaratat përmbyllëse, katërshja e UÇK-së thotë fjalët përfundimtare

Sot para Dhomave të Specializuara në Hagë do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seanca pritet të fillojë në ora 09:00.
Gjersa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në fazën vendimtare, sot do të dëgjohen fjalët përfundimtare nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe në fund edhe deklarimet përmbyllëse të katërshes së UÇK-së.
Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999.
Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Katërshja e UÇK-së i ka mohuar vazhdimisht, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, të martën në Kosovë, u organizua një marsh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marshi u organizua nga platforma “Liria ka emër”.
Sipas organizatorëve, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marsh, duke mbushur sheshet e kryeqytetit dhe duke dërguar mesazhin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare. /Telegrafi/




















































