Sot do të përfundojnë tri afatet kryesore që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se subjektet politike, koalicione, nisma qytetare dhe kandidatët e pavarur që synojnë të marrin pjesë në zgjedhje duhet të dorëzojnë deri sot në orën 23:59 aplikimin për certifikim.


“Deri më 30 nëntor subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të poceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, tha Elezi për Telegrafin.

Po ashtu, partitë që duan të garojnë përmes një koalicioni duhet ta njoftojnë KQZ‑në për këtë vendim deri më 30 nëntor, ndërsa po të njëjtat subjekte që vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje duhet ta njoftojnë KQZ‑në brenda së njëjtit afat.

Afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë është caktuar të përfundojë më 7 dhjetor 2025, kështu që subjektet politike që plotësojnë certifikimin duhet më pas të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

Elezi ka theksuar se formularët për certifikim janë vendosur në platformën elektronike të KQZ-së, dhe aplikimi duhet të bëhet online, si në proceset zgjedhore të kaluara.

Ndryshe, deri dje në ora 13:00 KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e dy koalicioneve për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim:

– “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; dhe

– Koalicioni VAKAT, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV). /Telegrafi/