LAJMI I FUNDIT:

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend të ditës sërish Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend të ditës sërish Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike
Foto: Arkiv

Kryesia e Kuvendit do të takohet sot për të diskutuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, në mesin e të cilave edhe ajo për rimëkëmbje ekonomike që deri më tash nuk ka pasur vota për të kaluar.

Në rendin e ditës do të jenë pikat e papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25 dhe 28 shtator: votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19, votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun.


Po ashtu, do të jetë edhe votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e COVID-19.

Kryesia e Kuvendit pritet të caktojë edhe seancën e re plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, Pjesa e dytë Objektivi 1, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes Kosovë-Itali për transferimin e personave të dënuar, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për deminim humanitar, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për automjete.

Do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për 2019, atij të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për 2019, Fondit të Kursimeve Pensionale për 2019, Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për 2019 dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona. /Telegrafi/