Skeraj si futbollist, trajner dhe gazetar

Ndoshta nuk e keni harruar Shqipëron Skerajn. Fjala është për futbollistin e njohur prizrenas, i cili deri në vitin 2008 konsiderohej si njëri prej lojtarëve më të mirë në Kosovë. Në verën e atij viti, nga Prishtina ishte transferuar në Bundesliga 2. Kalimi i tij në futbollin gjerman pati bërë jehonë të madhe, derisa Prishtina ishte deklaruar se i kishte përfituar nga shitja e tij rreth 120 mijë euro.
Por, brenda pak kohësh mbrojtësi anësor kishte filluar ta marrë tatëpjetën, ndërsa tani luan në njërën prej ligave më inferiore në Gjermani, saktësisht në ligën e pestë, për ekipin SC Eltersdorfn.
Vakia e Shqipëronit
Greuther Furth ishte skuadra e cila e kishte qit Skerajn në Evropë, nga Prishtina. Por, çuditërisht, Skeraj e kishte të vështirë të ambientohej. “Viti i parë në këtë skuadër ishte i vështirë, sepse nuk kam luajtur edhe aq, por ushtroja dhe mësoja”, kujton Skeraj në një bisedë për Arenën.
Duke e parë futbollistin se nuk po e gjen vetën në këtë skuadër, kishte reaguar menaxheri i tij, duke i gjet ekip tjetër në Bundesliga 2. Ish futbollisti i Lirisë iu kishte bashkuar Koblenzit, ku edhe e kishte arrit maksimumin në karrierë, para se të fillonte të binte teposhtë. “Pas asaj periudhe në Furth, menaxheri Remo Rashica më transferoi në Koblenz, gjë që më ndihmoi shumë. Ekipi udhëhiqej nga Uwe Rapolder, ndërsa unë i pata 22 paraqitje në Bundesliga 2. Ishte periudhë shumë e mirë”, thotë ai.
“Pastaj u ndërrua trajneri. Erdhi Patrick Sander, nën udhëheqjen e të cilit nuk luaja fare. Koblenzi ra nga Bundesliga 2. Unë nuk dëshiroja të luaja në një ligë më poshtë, me bindjen se do të vazhdoja në Bundesliga 2. Gabova, sepse nuk e arrita qëllimin, edhe pse prita shumë”, tregon Skeraj.
Kështu, pauza e gjatë i kushtoi prizrenasit. Dikur u detyrua të transferohej në futbollin suedez, për ta kërkuar ‘rilindjen’. Por, pikërisht aty pas pak javësh e kishte humb shpresën për t’u kthyer në Bundesliga 2. “Nënshkrova kontratë për katër muaj me Djurgarden, sa për ta kthyer formën më të mirë dhe për t’u kthyer në Gjermani. Por, menjëherë u lëndova dhe nuk e vazhdova kontratën me këtë skuadër”, pohoi ai.
Pas sajimit të lëndimit, Skeraj i kishte thënë lamtumirë Suedisë, për t’u kthyer në Gjermani. Por, assesi nuk kishte arritur të gjejë angazhim në ndonjë klub të madh dhe dikur sikur ishte dorëzuar, duke e pranuar ofertën e SC Eltersdorf, me të cilën gati qe tri vite luan në ligat inferiore.
I kënaqur edhe në SC Eltersdorf
Edhe pse brenda pak vitesh nga Bundesliga 2 përfundoi në një ligë inferiore gjermane, Shqipëron Skeraj është i kënaqur në SC Eltersdorf, për të cilën luan gati qe tri vite. “Banoj në qytetin e kësaj skuadre, me të cilën fillimisht pata filluar vetëm të ushtroja. Por, pastaj drejtuesit e këtij klubi më ofruan kushte goxha të mira, andaj fillova edhe të luaj. Gati qe tri vite luaj rregullisht”, tregoi Skeraj, i cili theksoi se është lidhur ngushtë me këtë klub.
Klubi ia ofron postin e gazetarit
Se Shqipëron Skeraj është lidhur ngushtë me SC Eltersdorfn e konfirmon fakti se drejtuesit e këtij klubi ia kanë besuar edhe postin e trajnerit për të rinjtë e tyre. “Përveç që luaj rregullisht, jam edhe trajner i SC Eltersdorfn U-17”, u shpreh ai. Madje, Skeraj po shkollohet për trajner profesionist. “Klubi më ka mundësuar të shkollohem për t’u pajisur me licenca, duke u nisur nga ajo C deri te licenca A. Aktualisht jam duke punuar për ta marr fillimisht licencën C”. Madje, ky klub ia ka ofruar edhe një mundësi tjetër Skerajt për të bërë para. “Më është ofruar edhe një tjetër vend pune. Por, ende nuk ia kam nis. Puna që m’u është ofruar ka të bëjë me mirëmbajtjen e uebfaqes zyrtare të klubit tonë”, tha ai, me shpresën se shumë shpejt do të bëhet edhe gazetar.
Edhe pse nuk i shkoi gjatë në skuadra të mëdha, Shqipëron Skeraj është krenar për karrierën e tij si futbollist. “Ëndrrën e kam realizuar për të luajtur jashtë Kosovës. Jam shumë krenar që nga Prishtina jam transferuar në Bundesliga 2. Nuk ishte sukses vetëm i imi, por edhe i futbollit kosovar”, potencoi Skeraj, i cili thotë se vazhdon t’i përcjellë dy ekipet e zemrës së tij, Lirinë dhe Prishtinën edhe nga Gjermania.
Kujtimi i Shqipëronit
Pas transferimit nga Kosova në Gjermani, atje Shqipëron Skeraj ka has në disa raste interesante, por njërin nga to e rrëfen për Arenën. “Më kujtohet derbi Greuther Furth kundër Nurnbergut. Ishim katër netë në hotel, në karantinë, sepse derbi ishte i madh, përballje rivalësh të përbetuar, ndeshje që përcillej nga 46 mijë shikues. Një natë prej tyre, tifozët e Nurnbergut e kishin prish autobusin e ekipit tim, të cilin e kishin mbushur me gjak dhe me koka të derrave. Isha i befasuar, por ata kishin asi rivaliteti tradicional”, tregoi Skeraj. /Tribuna/Telegrafi/




















































