LAJMI I FUNDIT:

S’ka përmirësim të cilësisë në arsim

S’ka përmirësim të cilësisë në arsim

Derisa Raporti i Progresit për vitin 2017 ka gjetur se Kosova nuk ka shënuar aspak progres në fushën e arsimit, pasi që është vlerësuar se asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës, njohësit e kësaj fushe fajin ia hedhin Ministrisë së Arsimit dhe organeve tjera relevante.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, me rastin e prezantimit të Raportit të Progresit pati thënë se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është aspak në një situatë të mirë, përderisa ka shtuar se nevoja për të përmirësuar këtë situatë është emergjente.


“Sa i përket arsimit, mbetet absolutisht e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit, i cili është një nxitës kryesor i konkurrencës dhe rritjes afatgjate. Një ligj i ri për arsimin e lartë dhe përpjekjet e mëtejshme në reformat e kurrikulave përfshirë VET mbetet e nevojshme, me qëllim të një reforme të bazuar në standardet më të mira, duke përfshirë sigurimin e autonomisë dhe funksionimin e pavarur të institucioneve të arsimit të lartë dhe mekanizmat e sigurimit të cilësisë”, ka thënë Apostolova.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se të gjeturat e Raportit të Progresit kanë qenë të pritura, pasi Qeveria ka sjellë plane të cilave nuk iu është përmbajtur.

Ai thotë se të gjeturat e këtij raporti janë mëse reale.

“Unë mendoj se ky është një konstatim real sepse Raporti i Progresit na krahason me planet të cilat i ka sjellë vet Qeveria dhe të cilave nuk iu është përmbajtur. Është plotësisht e saktë se ka pasur shumë pak punë në fushën e arsimit. Ka qenë edhe vit i dy palë zgjedhjeve. Kjo mund të jetë arsyeja tjetër, por nuk është justifikim për një gjë të tillë, dhe kështu mendoj se vërtet Raporti i Progresit po na tregon atë që dimë vet”, theksoi Pupovci.

Për një situatë të tillë, njohësi i çështjeve të arsimit thotë se përgjegjësia më e madhe mbetet mbi MASHT-in, e më pas edhe mbi autoritetet komunale të arsimit.

“Sigurisht se përgjegjësia më e madhe bien mbi kreun, mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila gjatë vitit 2017, një periudhë të gjatë ka qenë në atmosferën e zgjedhjeve, fillimisht nacionale, pastaj lokale, por bien edhe mbi autoritetet komunale të arsimit, institucionet e arsimit të lartë, në mënyrë të gjithë e ndajnë përgjegjësinë sepse tregohen se ajo që ka qenë e planifikuar nuk është realizuar gjatë këtij viti”, tha ai.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka thënë se faji kryesor rëndën mbi institucionet e vendit, derisa ka shtuar se arsimi që nga paslufta jo që ka përparuar por vetëm sa ka ngecur dhe ka degraduar.

“Mendoj që edhe ky raport, edhe gjendja të cilën edhe pa raportin po e shohim çdo ditë, janë faktorë të mjaftueshëm të cilët duhet të na shtyjnë përpara të gjithë neve që ta ndryshojmë gjendjen në arsim. Gjendja në arsim nuk është aspak e mirë dhe për këtë jemi fajtorë ne të cilët jemi në institucionet e Kosovës, e sidomos institucionet e arsimit siç është Ministria e Arsimit, inspektorati i arsimit, komisioni i arsimit, drejtoritë e arsimit nëpër komuna, kryetarët e komunave që caktojnë drejtorë politik e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Për ta ndryshuar gjendjen në arsim, sipas Kurteshit duhet të investohet më shumë në arsim. Derisa ka shtuar se nevojitet mobilizim mbarëkombëtar që të dilet nga kjo situatë në të cilën ndodhet arsimi sot.

Derisa ka shtuar se nevojitet mobilizim mbarëkombëtar që të dilet nga kjo situatë në të cilën ndodhet arsimi sot.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se punët për të cilat Raporti i Progresit ka kritika, janë të trashëguara.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, ka bërë të ditur se janë duke punuar që të nxjerrin arsimin nga gjendja në të cilën e kanë gjetur.

“Raporti i Progresit 2018, e që në fakt ka të bëjë me punën e bërë gjatë vitit të kaluar, tregon që në vendin tonë nuk ka progres në fushën e edukimit. Gjithsesi, raporti kritikon qartë një numër të madh të punëve që nuk janë bërë, e që për ne janë të trashëguara. E mira është që çështjet kryesore për të cilat flitet në raport janë ato me të cilat ne jemi duke punuar shumë që kur ministri Bytyqi e ka marrë për të drejtuar MAShT-in”, tha ai.

Si punët më të mira të cilat janë bërë deri më tash nën drejtimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ai ka përmendur Ligjin për Arsimin e Lartë, përgatitjet e nxënësve për testin PISA, si dhe zgjedhjen fer të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Për këtë të fundit tha se kanë lënë shembull të mirë edhe për institucionet tjera në vend./KP/Telegrafi/