Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 24 gusht 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 147 raste të konfirmuara me fruth, ndërkaq ky numër përfaqëson më shumë se dyfishin e rasteve të konfirmuara gjatë tërë vitit 2025.

IKSHPK thekson se vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 10 raste të reja.


Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës 49 raste, Fushë-Kosovë 35 raste; Ferizaj 13 raste; Obiliq me 9 raste; Lipjan me 8 raste; Kaçanik me 7 raste; Vushtrri dhe Shtime me nga 4 raste; Skenderaj dhe Drenas me nga treraste; Gjilan, Gjakovë, Shtërpce dhe Deçan me nga dy raste; si dhe me nga një rast komunat:, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

“Gjatë 3 javëve të fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast janë vaksinuar me MMR gjithsej 504 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit”, thuhet në njoftim

IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, uljen e përhapjes së sëmundjes në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /Telegrafi/