Sindikata e Policisë së Kosovës të mërkurën takim me ministrin Sveçla

Sindikata e Policisë së Kosovës të mërkurën do të zhvillojë takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
"Po mund të ju konfirmojë se nesër do të ketë takim rreth orës 11:00", theksoi ai.
Policia e Kosovës dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar para disa ditësh, ku kanë paraqitur 14 kërkesa, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës.
Më poshtë kërkesat e paraqitura të Policisë së Kosovës:1. Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera; 2. Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave; 3. Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës; 4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare; 5. Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor; 6. Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare; 7. Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike; 8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive; 9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg; 10. Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit; 11. Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit; 12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen; 13. Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje; 14. Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare; /Telegrafi/






















































