LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e pavarur e RTK-së: Menaxhmenti për pesë muaj nuk i ka paguar kontributet pensionale për të punësuarit

Sindikata e pavarur e RTK-së: Menaxhmenti për pesë muaj nuk i ka paguar kontributet pensionale për të punësuarit

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), është mbledhur sot në një takim urgjent për të diskutuar mos pagesën për më shumë se pesë muaj të kontributeve pensionale nga Menaxhmenti i RTK-së.

Për mos pagesën, Sindikata u informua dje pasdite, gjatë një vizite në Trustin Pensional.


“Në këtë takim, përfaqësuesit sindikal e kanë kuptuar se kontributet pensionale për të punësuarit e RTK-së janë kryer vetëm deri në muajin Prill. Një veprim i tillë është skandaloz për faktin se këto para, të punësuarve u janë marrë nga pagat edhe pas muajit prill. SPRTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti që urgjentisht t’ju tregojnë punëtorëve se çka ka ndodhë me paratë e tyre për Trustin Pensional? Ku janë paratë të cilat i keni marrë për tash e pesë muaj nga pagat tona për Trust Pensional?

Paratë e Trustit Pensional investohen kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe gjenerojnë norma të larta te kthimit të interesit. Me mos dërgimin e tyre në Trust, të punësuarve iu është pamundësuar të përfitojë nga kjo normë e interesit”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas një kalkulimi të Sindikatës, borxhi që RTK ua ka rreth një mijë (1000) të punësuarve të saj për kontribute pensionale është rreth 400 mijë euro.

“Sikur kjo sasi e parave të dërgohej me kohë në Trust, bazuar në normën e kthimit të interesit të viteve të kaluara, përfitimi do të ishte me mijëra euro.
Sindikata fton prokurorinë të hetojë se çka ka ndodhë me paratë e një mijë (1000) të punësuarve të RTK-së, të cilat në emër të Trustit u janë marrë për pesë muaj (5) nga pagat”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/