LAJMI I FUNDIT:

Sigurimi i punëtorëve nga jashtë ka kosto të lartë në Maqedoninë e Veriut

Sigurimi i punëtorëve nga jashtë ka kosto të lartë në Maqedoninë e Veriut

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se për ta po bëhet problem gjithnjë e më i madh mungesa e forcës punëtore, pavarësisht faktit se në vend janë të regjistruar si të papunë më shumë se 110 mijë persona. Nga sektori i biznesit theksojnë nevojën që shteti të hartojë një strategji, e cila do të japë rezultate në një afat të shkurtër kohor. Në të kundërtën, thonë se shumë biznese do të shuhen pasi 9.600 vende të punës mbeten të paplotësuara.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore theksojnë se as marrëveshjet, të cilat burojnë nga nisma rajonale, Ballkani i Hapur, nuk kanë arritur t’i lehtësojnë procedurat për sa i përket sigurimit të punëtorëve nga vendet e rajonit.

“Pjesa dërmuese e kompanive nuk kanë përvoja pozitive në këtë aspekt. Tregu i Maqedonisë së Veriut për punonjësit e huaj mbetet një nga tregjet më të vështira për sa i përket qasjes. Prandaj, konsiderojmë që tregu i punës duhet të liberalizohet sa më parë në aspektin e normativës ligjore që rregullon këtë çështje, veçanërisht në aspektin e implementimit pasi te ne shpeshherë zgjidhjet ligjore janë shumë të mira, por çalon zbatimi praktik”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.


Gjatë kësaj jave, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, tha se po punohet për eliminimin e procedurave burokratike, që të përshpejtohet angazhimi i punëtorëve të huaj në vend.

“Ata që besojnë se vendi ynë ofron kushte më të mira jetese se vendi i tyre, sigurisht që do ta gjejnë rrugën për të ardhur në vendin tonë, ashtu si bashkëqytetarët tanë që besojnë se një jetë më e mirë mund të gjendet jashtë vendit”, tha Bytyçi.

Sigurimi i kushtueshëm i punëtorëve nga jashtë

Zoran Koçoski, i cili drejton një agjenci për ndërmjetësim gjatë punësimit të personave nga jashtë vendit, thotë se afaristëve që përballen me mungesën e punëtorëve sigurimi i një punëtori nga vendet e Lindjes për ta ka kosto shumë të lartë.

“Më së paku dymijë euro duhet të ndajnë punëdhënësit nga Maqedonia e Veriut për një punëtor nga Nepali, Bangladeshi apo Pakistani, pasi këtyre punëtorëve duhet t’u sigurohet bileta e avionit, shpenzimet për lejen e punës, banesa dhe t’u sigurohet punë së paku për tre muaj”, sqaron Koçoski.

Ai thekson se punëtorët nga Lindja, Maqedoninë e Veriut e shohin si vend prej ku mund të drejtohen më lehtë për në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“E njoh mentalitetin e tyre njerëzve, nuk duan të vijnë në Maqedoni [të Veriut] pasi ideja e tyre është që nga këtu të largohen për në Gjermani e gjetiu”, thotë Koçoski duke kujtuar eksperiencën e Shqipërisë, vend ky që siguroi punëtorë nga Egjipti, por që pas pak kohësh pjesa me e madhe e tyre u larguan për në vendet e BE-së.

Por, Kristina Ampeva, e cila drejton një organizatë për mbrojtjen e punëtorëve në industrinë e tekstilit, konsideron se shpenzimet e shumta për jetesë Maqedoninë e Veriut e bëjnë vend jo atraktiv për punëtorët e huaj.

“Te ne e shihni se një kilogram qepë duhet paguar 90 denarë, (1.5 euro) patatet 80 denarë (1.3 euro). Me çka do të jetojnë ndërkohë që duhet të paguajnë dhe qira, ndërsa paga minimale mezi arrin 350 euro”, thotë Ampeva për Radion Evropa e Lirë.

Kthimi i mërgatës, shpëtim për punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Odës Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, Branko Azeski, thotë se tregu i punës mund të stabilizohet vetëm nëse ndalet hovi i migrimit. Madje, sipas tij, duhet të krijohen kushte që të mund të kthehen personat që janë larguar nga vendi. Kjo, sipas Azeskit, do të arrihet në momentin që lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të japë rezultate të dukshme.

“Migracioni është fenomen i njohur për të gjitha vendet e botës, por nëse shteti ofron standard më të lartë dhe institucione që janë të çliruara nga korrupsioni, një pjesë e mërgatës do të kthehet”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, nga Agjencia për Punësim për Radion Evropa e Lirë kanë bërë të ditur se nga fillimi i këtij viti deri në fund të marsit nga ky institucion janë dhënë 1.348 leje pune, ndërkohë numri kërkesave nga ana e sektorit të biznesit është dyfish më e lartë. Në mesin e tyre janë dy leje pune për punëtorë nga Nepali, dhjetë nga Pakistani etj.

Agjencia për Punësim më së shumti leje pune ka ndarë për punëtorët nga Turqia, të cilët janë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, punëtorët nga Kina të angazhuar në punimet në infrastrukturë, ndërsa nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut angazhohen punëtorë sezonalë që kanë të bëjnë me bujqësinë.

Gjatë vitit 2022 Agjencia për Punësim ka ndarë 5.135 leje pune për të huajt.

Në trend Lajme

Më shumë
Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Siguri
Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Lajme
Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Lajme
Tërheqja e mundshme e trupave amerikane të NATO-s nga Kosova, flet koloneli britanik i pensionuar

Tërheqja e mundshme e trupave amerikane të NATO-s nga Kosova, flet koloneli britanik i pensionuar

Lajme
Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Zhgënjim me rezultatin, Haradinaj: Na kushtoi e vërteta e rëndë që e thamë për Kurtin

Politikë
Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Serbia ankohet pse anëtarë të NATO-s po e armatosin Ushtrinë e Kosovës

Lajme
Kalo në kategori