LAJMI I FUNDIT:

Si u shndërrua George Sorosi në figurën armiqësore të të djathtëve?

Si u shndërrua George Sorosi në figurën armiqësore të të djathtëve?
George Soros

Rreth pesë vjet më parë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, e shpalli miliarderin hungarezo-amerikan George Soros, armikun numër një të shtetit. Sorosi është ai që tërheq telat pas një komploti në shkallë të gjerë kundër Hungarisë. Qëllimi i tij: të rrëzojë Orbanin, të shkrijë shtetet-kombet e Evropës dhe të zëvendësojë popullsinë e tyre me migrantë.

Sipas qeverisë hungareze, për të arritur qëllimet e tij, 89-vjeçarin Soros e mbështesin “mercenarët” dhe “agjentët” e tij: disa organizata të caktuara joqeveritare, gazetarë dhe shkencëtarë, por edhe Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Kriza e koronavirusit po nxit edhe më tepër agjitacionin kundër Sorosit. Orbani e quan “mjeshtri i madh i teknokratëve të Brukselit”, kurse mediat flasin për sulm frontal të Sorosit kundër Hungarisë.


Ironia është se Viktor Orbani shpalli armik atë që e mbështeti fuqimisht për karrierën e tij politike. Në fund të viteve 1980, Viktor Orbani dhe Lidhja e Demokratëve të Rinj – Fidesz, që aspironin për fundin e komunizmit në Hungari, përfituan nga angazhimi filantropik i Sorosit dhe fondacionit të tij për Shoqëri të Hapur. Sorosi i cili pasi emigrimit për në ShBA në vitin 1956, bëri miliarda me spekulime të diskutueshme financiare, krijoi fondacionin e tij që ka rreth 15 miliardë dollarë.

Sorosi mbështeti me shuma bujare edhe Fidesz-in, ai u mundësoi Orbanit dhe kolegëve të tij të botonin gazetën e tyre, të ndiqnin kurse për gjuhë të huaja dhe të financonin zyrat e partisë. Shumë anëtarë të Fidesz-it morën më vonë edhe bursa për të studiuar në Perëndim. Orban shkoi në Oksford. Pas ndryshimit të sistemit, Fidesz dhe Orbani e mbështetën Sorosin dhe universitetin e financuar prej tij, Universiteti Qendror Evropian. Tani pas tridhjetë vjetësh po ata e dëbuan këtë universitet nga Hungaria.

Në vitin 2010, Viktor Orbani u rizgjodh për herë të dytë kryeministër i Hungarisë. Për këtë fitore atë e ndihmuan këshilltari amerikan me ndikim politik, Arthur Finkelstein, dhe partneri i tij George Birnbaum. Në ShBA, Finkelstein kishte këshilluar më parë me sukses presidentët republikanë, nga Richard Nixon deri te George W. Bush. Në mesin e viteve 1990, ai ndihmoi Benjamin Netanyahun të bëhet kryeministër i Izraelit.

Nga fushatat e tij të panumërta zgjedhore, Finkelstein e dinte se sa e rëndësishme është të krijohej një figurë armiku. Në rastin e Hungarisë ky qe George Soros, i cili me angazhimin e tij për liberalizmin dhe demokracinë është halë në sy për nacionalistët e djathtë në gjithë botën. Sorosin e kishin shpallur armik si nacionalistët në Ballkan ashtu dhe presidenti rus Vladimir Putin – për shkak të angazhimit të tij në Ukrainë dhe Gjeorgji. Edhe për republikanët amerikanë, Sorosi është persona non grata për shkak të donacioneve të tij për demokratët, përkushtimit për mbrojtjen e klimës dhe kritikës së tij të ashpër për luftën në Irak.

Finkelstein dhe Birnbaum menduan se Soros është armiku i përsosur për Orbanin. Sorosi ka rrënjë hungareze, por ka jetuar për dekada në Shtetet e Bashkuara. Ai është i pasur dhe aktiv politik në të gjithë botën. Fushata kundër Sorosit filloi në verën e vitit 2013, dhe arriti kulmin vetëm dy vjet më vonë gjatë krizës së refugjatëve.

Qeveria e Orbanit nisi një fushatë të pashembullt kundër Sorosit, e cila u kurorëzua me “ligjin stop Sorosin” që drejtohej kundër OJQ-ve që angazhoheshin për të drejtat e refugjatëve dhe migrantëve. Fushata u shoqërua edhe me pllakata dhe me tone antisemitike. Sorosi konsiderohet ndërkohë si armik prej të djathtëve kudo të botë. Trumpi, Erdogani, Netanyahu apo Putini: të gjithë i kanë adoptuar pretendimet e Orbanit për Sorosin si drejtuesi i gjithëfuqishëm i marionetave të opozitës. Në mediat sociale nuk rreshtin sharjet kundër tij. Partitë populiste të djathta, që nga Evropa deri në Australi, e kritikojnë ashpër atë dhe këto fushata po çojnë gjithnjë e më shumë në dhunë. Një mbështetës fanatik i Trumpit dërgoi një bombë në adresën e shtëpisë së Sorosit në vitin 2018 dhe punonjësit e zyrave të fondacionit për Shoqëri të Hapur po sulmohen vazhdimisht.

Edhe ekstremistët e djathtë po i justifikojnë gjithnjë e më shumë veprimet e tyre me nevojën për të parandaluar një “shkëmbim popullsie” kinse të planifikuar nga elitat globale – një mit konspirativ ky në të cilin George Soros luan një rol udhëheqës.

Ky ishte pjesë e “manifestit” racist të vrasësit të myslimanëve në Christchurch. Edhe dorasi i Pitsburgut i vrau hebrenjtë për arsye të ngjashme. Vrasësi në Halle besonte gjithashtu në një komplot kinse hebraik dhe deklaroi se Sorosi dëshironte ta shndërronte Gjermaninë në një shtet multikulturor.

A u kishte vajtur vallë në mendje Arthur Finkelsteinit dhe George Birnbaumit – që të dy hebrenj – se ç’përmasa vdekjeprurëse do të kishte shpikja e tyre gjoja “e shkëlqyeshme”? Finkelsteinin nuk mund ta pyesim më, sepse ka vdekur në vitin 2017. Kurse George Birnbaum nuk dëshiron të flasë për këtë. Ai e refuzoi kërkesën e Deutsche Welles për intervistë. /DW/

Në trend

Më shumë
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Macron bisedon në telefon me Kurtin - e lidh anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me zbatimin e Asociacionit

Macron bisedon në telefon me Kurtin - e lidh anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me zbatimin e Asociacionit

Lajme

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Evropa
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Evropa
Kalo në kategori