LAJMI I FUNDIT:

Si u organizua vrasja në burgun e sigurisë së lartë nga Sokol Mjaçaj

Si u organizua vrasja në burgun e sigurisë së lartë nga Sokol Mjaçaj

Tetë vjet pasi tronditi vendin me vrasjen gjakftohtë të dy turistëve, Sokol Mjaçaj rikthehet në vëmendje të opinionit publik shqiptar.

28-vjeçari nga fshati Lotaj i Shkodrës kreu ndoshta një nga krimet e rralla në Shqipëri, një vrasje brenda burgut.
Ishte ora 13:52 e së premtes së 15 Dhjetorit 2023, kur nga mediat u raportua se në burgun e Peqinit ka ndodhur një ngjarje e rëndë me viktima dhe të plagosur.


Mes kakofonisë së informacionit dhe situatës së paqartë, rreth orëve të drekës u mësua se Sokol Mjaçaj kishte vrarë me pistoletë të burgosurin e përjetshëm Arben Lleshi dhe kishte plagosur të dënuarin tjetër Indrit Shaqja.

Nga hetimet paraprake të kryera nga Prokuroria e Elbasanit, 28-vjeçari Mjaçaj e thirri në emër Arben Lleshin dhe e qëlloi me një revolver nga dritarja e qelisë. Arben Lleshi mbeti i vdekur në vend brenda qelisë, e lokalizuar në Sektorin B të burgut të Peqinit.

Nga të shtënat me armë mbeti i plagosur gabimisht edhe Indrit Shaqja, i cili u dërgua në spital për të marrë kujdesin mjekësor.

Sipas hetuesve të Elbasanit, pasi kreu krimin, Sokol Mjaçaj kërcënoi me armë në dorë punonjësit e shërbimit dhe më pas u izolua në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Ai refuzonte që të dorëzohej. Mes Sokol Mjaçajt dhe autoriteteve të burgut Peqin, të drejtuara nga drejtori, nisën negociatat deri kur 28-vjeçari pranoi që të dorëzohej.

Atij iu hodhën prangat dhe u udhëzua që të prangoste njërën dorë, ndërsa tjetrën ta lidhte te hekurat e dritares. Më pas hodhi pistoletën. Policia e burgjeve ndërhyri duke e arrestuar.

Në mbrëmje, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se situata në burgun e Peqinit ishte vendosur nën kontroll.

Pas arrestimit, Sokol Mjaçaj i tha grupit hetimor se Arben Lleshin e vrau pasi me të kishte një zënkë të mëparshme. Por hetuesit janë skeptikë dhe kanë dyshime që vrasja mund të ketë qenë e porositur nga jashtë burgut. E për këtë arsye, një shqetësim serioz i hetuesve është dhe fakti se ku e gjeti armën 28-vjeçari Mjaçaj dhe si kishte kaluar kontrollet e burgut.

Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Elbasanit ka dalë në konkluzion se pistoleta që përdori në vrasje Sokol Mjaçaj ishte futur brenda Burgut të Peqinit rreth 20 ditë para krimit. Arma ishte mbajtur në dhomë nga Sokol Mjaçaj, por edhe në ambiente të përbashkëta si në ajrim apo në regjimin e brendshëm.

Atë ditë që kreu dhe vrasjen, Sokol Mjaçaj do të duhej të futej në regjimin e posaçëm 41bis me urdhër të ministrit të Drejtësisë. Gjatë marrjes në pyetje, 28-vjeçari ka thënë se kishte dëgjuar nga të burgosurit e tjerë që do të futej në izolim dhe se po të mos e kishte mësuar këtë fakt, nuk do ta kryente vrasjen atë ditë.

Një ditë pas krimit brenda burgut, Prokuroria e Elbasanit që mori nën hetim ngjarjen ndaloi drejtorin e burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe 11 vartës të tij me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Disa muaj para vrasjes, Sokol Mjaçajt ju sekuestrua një celular brenda burgut të Peqinit. Ky aparat celular po i nënshtrohet ekspertizës pasi hetuesit shpresojnë të gjejnë aty biseda apo materiale që mund të lidhen me vrasjen e Arben Lleshit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, uniformat blu kontrolluan edhe banesën në Dukagjin të dhe vëllait të Sokol Mjaçajt, por nuk gjetën asgjë.

SKEDA KRIMINALE E 3 TË DËNUARVE ME BURG PËRJETË QË U PËRFSHINË NË NGJARJEN E BURGUT PEQIN

Sokol Mjaçaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës më datë 3 Korrik 2015. Ai iu kishte dalë përpara makinës së turistëve Michael Svatos dhe Anna Kosinova duke i kërcënuar me kallashnikov, me synim për t’i grabitur. Ishte futur brenda fuoristradës së tyre, dhe pas rreth 2 kilometra i ekzekutoi me armë.

“Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja makinën dhe të ikja. Por djali frenonte fort, donte të më përplaste. Pastaj deshi të më merrte dhe armën”, ka thënë Sokol Mjaçaj në atë kohë për hetuesit. Më pas ekzekutoi të parin 27-vjeçarin Michael dhe të dy vajzën.

Në pamundësi për të marrë fuoristradën e turistëve pasi po rrëzohej në greminë, ai mori vetëm celularin e turistëve dhe u arratis në këmbë. Policia mundi ta gjente në një shtëpi të braktisur, pasi gjurmoi celularin. Ai iu dorëzua policisë pasi kërkoi të mos qëllohej. Në momentet e para, nuk shprehu pendesë për krimin e rëndë, por vetëm keqardhje që nuk arriti të realizonte plotësisht grabitjen dhe të merrte makinën e çiftit.

-Viktima Arben Lleshi 37 vjeç ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 29-vjeçarit Agim Hoxha, ngjarje e ndodhur më 10 Prill 2012 në Britani të Madhe. Sipas autoriteteve, Arben Lleshi ditën e ngjarjes, ka blerë një levë, tela si dhe materiale të tjera që më pas i ka përdorur për vrasjen e Hoxhës. Viktima u gjet në sediljen e pasme të një makine “Mercedes”. Për të humbur gjurmët, Lleshi i vendosi flakën makinës pranë Southampton. Pas ngjarjes ai u arratis në Itali ku u kap një muaj më vonë nga autoritetet atje. Pas ekstradimit në Britaninë e Madhe ai u dënua me burg të përjetshëm në vitin 2013. Dyshohet se kjo ngjarje ndodhi si pasojë e çështjeve të drogës.

Në lidhje me këtë ngjarje u dënua me 3 vite burg edhe Afrim Lleshi. Ky i fundit bashkëpunoi në shfarosjen e trupit të viktimës. Ajo që do të pasonte më vonë është akoma edhe më e rëndë. Në familjen Lleshi në Shqipëri, gjatë viteve që kaluan ka pasur disa viktima të tjerë, ku janë vrarë dy xhaxhallarë të Arben Lleshit. Dyshimet në atë kohë për të dyja rastet ishin se u kryen për hakmarrje nga të afërm të Hoxhës

-I plagosuri Indrit Shaqja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 3 Shtator 2014 në Durrës. Nipi i njërës prej viktima, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja. Ata hynë me forcë të shtëpi e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë. Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.

Indrit Shaqja dyshohet të jetë i përfshirë edhe në rrëmbimin dhe zhdukjen e këngëtarit nga Elbasani, Renato Hamza, i njohur si Reni i Elbasanit. Emisioni Uniko kishte publikuar momentet e fundit të filmuara të Renato Hamzës, ku njëri nga personat me të cilët takohet Reni i Elbasanit është pikërisht Indrit Shaqja më 29 Qershor 2014. Ky takim ka ndodhur 2 muaj para se Indrit Shaqja të ishte përfshirë në vrasjen e kunatave./Tv Klan