LAJMI I FUNDIT:

Si u bëra shkrimtar

Si u bëra shkrimtar

Shkrim i nobelistit kolumbian, botuar në revistën “New Yorker”, në numrin e tetorit të vitit 2003, në rubrikën “Histori personale”

Nga: Gabriel García Marquez
Përktheu: Rexhep Maloku


Kurrë nuk e kam marrë me mend se nëntë muaj pasi ta kryeja shkollën e mesme do të më botohej tregimi i parë në Fin de Semana, në shtojcën letrare të fundjavës në El Espectador, në Bogota, botimi letrar më kërkues dhe më interesanti i kohës. Dyzet e dy ditë më vonë do të botohej edhe tregimi im i dytë. Sidoqoftë, gjëja më befasuese ishte një hyrje e redaktorit të shtojcës, Eduardo Zalamea Borda (emri i të cilit në letra ishte Uliks), kritiku më i mprehtë kolumbian i kohës dhe njeriu që më së shumti i binte në sy shfaqja e trendëve të rinj.

Mënyra se si rrodhën gjërat ishte aq e papritur saqë vështirë se mund t’jua sjell qartë. Në shkurt të vitit 1947 u regjistrova në Fakultetin e Drejtësisë në Universidad Nacional të Bogotës. Sikur isha pajtuar me prindërit për këtë fakultet. Jetoja mu në qendër të qytetit, në një pensión në Calle Florián, që në shumicën e kohës banohej prej studentëve, të cilët, si puna ime, vinim nga Bregu Atlantik. Gjatë pasditeve të lira, në vend se të punoja për t’ia ndihmuar vetes shkollimin, lexoja ose në dhomën time ose në kafenetë që e lejonin leximin. Lexoja sipas mundësisë ose fatit, çfarëdo që më binte në dorë, dhe në këtë aspekt përzgjedhja e tyre më shumë ishte punë mundësie se fati sepse miqtë që kishin mundësi për t’i blerë, m’i huazonin për një periudhë të kufizuar, kështu që duhej të rrija natën vonë që t’i lexoja me kohë. Ama, ndryshe prej librave që i kisha lexuar në shkollë në Zipaquirá, që i përkisnin mauzoleut të autorëve të shenjtë, këta ishin si buka taze nga shporeti, shtypur në Buenos Aires në përkthime të reja pas boshllëkut të madh të botimeve të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu, për fatin tim të mirë, zbulova tashmë të njohurin Jorge Luis Borgesin, D. H. Lawrencen dhe Aldous Uxleyn, Graham Greenen dhe G. K. Chestertonin, William Irishin dhe Katherine Mansfieldin, si dhe shumë të tjerë.

Shumica prej tyre ishin vepra që ishin ekspozuar në dritaret e paarritshme të librarive, por disa kopje qarkullonin në kafenetë e studentëve që ishin qendra aktive të përhapjes kulturore për studentët nga krahinat. Shumë nga këta studentë kishin rezervuar tavolinat e tyre vit pas viti dhe u lihej posta, madje edhe para në kafene. Favoret nga pronarët ose punëtorët e tyre të besueshëm ishin instruktues në shpëtimin e një numri të mirë karrierash universitare dhe goxha do profesionistë në vend u kanë më shumë borxh lidhjeve të tyre në kafene se mentorëve të tyre pothuajse të padukshëm.

Kafeneja ime e preferuar ishte El Molino. Ajo frekuentohej prej poetëve më në moshë, që ishte vetëm nja dyqind metra ose aty diku pensiónit tim, në qoshen e Avenida Jiménez de Quesada dhe Carrera Séptima. Studentëve nuk u lejohej rezervimi i vendeve në El Molino, por ne siguroheshim që të mësonim më shumë nga bisedat letrare që i bënin prej tavolinave të afërta dhe mësonim larg më shumë se nga tekstet arsimore. Ishte kafene e madhe, elegante, me stil spanjoll. Muret e saj ishin dekoruar prej piktorit Santiago Martínez Delgado me episode nga lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Megjithëse nuk kisha vend të rezervuar, gjithnjë merresha vesh me kamerierët që të më bënin vend sa më afër mjeshtrit León de Greiff – mjekrosh, nopran, sharmant, i cili do ta niste tertulian, diskutimin e tij letrar, në muzg, me disa prej shkrimtarëve më të famshëm të kohës dhe e mbaronte me studentët e vet të shahut në mesnatë, i larë në liker të lirë. Kishte pak emra të mëdhenj në artet dhe letrat e vendit që nuk ishin ulur në tavolinë së paku një herë dhe ne bënim veshët katër që të mos na ikte asnjë fjalë e vetme. Megjithëse kishin shprehi të flisnin më shumë për gratë dhe intrigat politike se për artin ose punën, gjithnjë thoshin diçka që ishte e re për ne.

Dhe më kureshtarët prej nesh vinim nga Bregu Atlantik, të bashkuar më pak nga konspiracionet e Karaibeve kundër Cachacos – njerëzve nga kontinenti – se prej urtësisë së librave. Një ditë prej ditësh Jorge Álvaro Espinoza, student drejtësi që më kishte mësuar leximin e Biblës dhe ma mbushi mendjen t’i mësoja përmendsh emrat e dishepujve të Jobit, e vendosi në tavolinë para meje një libër të madh dhe tha me autoritetin e një peshkopi: “Kjo është Bibla tjetër”.

Natyrisht se ishte “Uliksi” i James Joycet, të cilin e lexova, e zhbirova me sytë katër derisa e humba durimin. Kjo ishte njëfarë pjekurie e parakohshme. Vite më vonë, si një njeri i pjekur, e ngarkova veten me detyrën për ta lexuar përsëri, tash më seriozisht, dhe vetëm atëherë zbulova një botë të çiltër që kurrë nuk kisha besuar se ishte brenda meje, por më dha një ndihmë të paçmuar teknike për ta liruar gjuhën dhe menaxhuar kohën e strukturën në librat e mi.

Një prej cimerëve të mi në pensión ishte Domingo Manuel Vega, student mjekësie me të cilin ishim miq prej ditëve të djalërisë në qytezën Sucre dhe që ndante me mua pasionin për leximin. Një natë Vega ia behu me tre libra që i kishte blerë dhe ma huazoi njërin, zgjedhur krejtësisht rastësisht, qysh vepronte shpesh, për të më ndihmuar të flija. Por kësaj here, leximi kishte kundërefekt: Më kurrë nuk kam fjetur në qetësi si dikur. Ishte “Metamorfoza” e Franz Kafkës, përkthim i botuar nga Losada in Buenos Aires. Ajo vepër përcaktoi një drejtim të ri për jetën time prej fjalisë së parë, njohur sot si një prej teknikave më madhështore në letërsinë botërore: “Gregos Samsa, me t’u zgjuar një mëngjes nga ëndrrat e sikletshme, e pa veten të transformuar në shtrat në një insekt gjigant”.

Këto ishin vepra misterioze, humnerat e rrezikshme të të cilave jo vetëm se nuk ishin ndryshe, por shpesh krejt të kundërta me gjithçka që kisha ditur deri atëherë. Ato më treguan se nuk ishte e domosdoshme t’i demonstrosh faktet: mjaftonte që autori të shkruante diçka që të kthehej në të vërtetë të mirëqenë, pa kurrfarë dëshmie, pos fuqisë së talentit dhe autoritetit të zërit të tij. Ishte si puna e Shehërzades – jo në botën e saj mijëvjeçare, ku gjithçka është e mundshme, por në një botë të pariparueshme, ku gjithçka tashmë është humbur.

Kur e mbarova leximin e “Metamorfozës” ndieja dëshirë të zjarrtë e të parezistueshme për të jetuar në atë parajsë të huaj. Të nesërmen e pashë veten në makinën mobile të shkrimit që Domingo Manuel Vega ma kishte huazuar. Isha rrekur të shkruaja diçka që do t’i ngjasonte tregimit të Kafkës, të një burokrati të gjorë të kthyer në një lloj buburreci të madh. Ato ditë nuk shkova fare në universitet ngaqë kisha frikë se do të më këputej linja e rrëfimit dhe vazhdova me nakarin e mundimshëm derisa Eduardo Zalamea Borda botoi në faqet e tij një shkrim dëshpërimi duke nxjerrë vrerin shkaku i mungesës së emrave për mbamendje në mesin e brezit të ri të shkrimtarëve kolumbianë dhe faktin se nuk po shihte asnjë shenjë në të ardhmen që do mund t’ia gjente ilaçin kësaj situate. Sot e kësaj dite nuk e di me ç’të drejtë u sfidova, në emër të brezit tim, prej atij shkrimi provokues, por iu ktheva përsëri tregimit me rrekjen që t’ia dëshmoja se e kishte gabim. E përpunova mirë e mirë fabulën e karakterit të ndërgjegjshëm në “Metamorfozë”, por e shkarkova rrëfimin prej mistereve të rreme dhe paragjykimeve ontologjike.

Megjithatë, isha aq i pasigurt saqë nuk guxova të flisja fare me ndonjërin prej miqve të kafesë në El Molino. Madje as me Gonzalo Mallarinon, shokun tim të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë, i cili ishte lexuesi i vetëm i prozës time lirike që e shkruaja sa për ta hequr pak mërzinë prej leksioneve. E rilexova dhe rikorrektova tregimin tim derisa u rraskapita, më në fund ia dola t’i shkruaja një shënim personal Eduardo Zalmaeas, të cilin kurrë s’e kisha parë, prej të cilit nuk më kujtohej as edhe një fjalë e vetme. E futa letrën në zarf dhe e dërgova personalisht në El Espectador. Portieri më lejoi të ngjitesha në katin e dytë dhe t’ia dorëzoja vetë Zalameas, por u paralizova prej kësaj ideje të pasherr. E lashë zarfin në tavolinën e portierit dhe ia mbatha.

Kjo ndodhi në një të martë dhe nuk po merresha me punën e tregimit tim. Isha goxha i sigurt se edhe në rast se do të botohej, nuk do ta shihte shumë shpejt dritën e botimit. Njëherësh, për dy javë me radhë, brodha prej kafenesë në kafene për të kaluar të shtunën time – drojën e pasdites deri më 13 shtator kur shkova në El Molino dhe pashë titullin e tregimit tim të shtypur në gjerësinë e krejt faqes të El Espectador, që porsa po më shfaqej para sysh: “Dorëheqja e tretë”. Dhe menjëherë m’u këput shpirti kur m’u kujtua se nuk kisha asnjë metelik për ta blerë gazetën. Ky ishte simbol më shprehimor i mjerimit tim sepse, pos gazetës, shumë gjëra të tjera elementare kushtonin sa çmimi i saj: trolejbusi, telefoni publik, një filxhan kafe, një lustrim këpucësh. U turra në rrugë pa kurrfarë mbrojtjeje prej rigës së pandalshme të shiut, por në kafenetë përreth nuk kish njeri që e njihja që do të mund të më jepte ndonjë metelik. Edhe në pensión nuk kish njeri në atë kohë të pakohë atë të shtunë, pos bujtinares, e ishte si të mos e gjeje asnjë njeri të vetëm, sepse asaj edhe ashtu i kisha borxh qiranë e dy muajve të kaluar. Kur dola përsëri, i përgatitur për gjithçka, e pashë një njeri të dërguar nga Providenca Hyjnore: ai po dilte nga taksia dhe në dorë mbante El Espectadorin dhe menjëherë i thashë nëse mund të ma dhuronte.

Dhe, ja kështu e lexova tregimin tim të parë të shtypur, me një ilustrim të Hernán Merinos, karikaturisti zyrtar i gazetës. E lexova me një frymë, i strukur në dhomën time, me zemrën që desh po më dilte nga vendi. Në secilin rresht po zbuloja fuqinë dërrmuese të shtypit për të cilin kisha shkruar me aq dashuri dhe vuajtje derisa imitimin e sinqertë të një gjeniu universal po e zbuloja si monolog të zbehtë e të mugët, të ndërthurur barfërisht prej tri a katër fjalish ngushëlluese. U desh të kalonin pothuajse edhe njëzetë vjet derisa mora guximin ta lexoja përsëri dhe gjykimi im atëherë – i pandikuar prej pasionit – ishte edhe më tolerues.

Halli më i madh ishte mali i shokëve që pushtuan dhomën time me kopje të gazetës dhe me lavdërime për një tregim që ishte e sigurt se nuk e kishin kuptuar. Në mesin e shokëve të mi në universitet, disa sosh e pëlqyen, të tjerët ishin mëdyshur prej tij, dhe të tjerët me më shumë racionalitet nuk shkuan as deri te rreshti i katërt, por Gonzalo Mallarino, gjykimin letrar të të cilit nuk ishte punë e lehtë ta vija në mëdyshje, e admiroi tregimin pa asnjë rezervë.

Sikleti im më i madh lidhej me verdiktin e Jorge Álvaro Espinosas, tehu kritik i të cilit ishte i rrezikshëm edhe përtej rrethit tonë të ngushtë. Kisha ndjenja të përziera: Doja ta takoja menjëherë për t’i davaritur mëdyshjet e mia njëherë e përgjithmonë, por njëherësh më tmerronte ideja e përballjes me të. Ai nuk u pa deri të martën, që nuk ishte e pazakontë për një lexues të pangopur, dhe kur ia behu në El Molino, nuk po më fliste për tregimin, por për guximin tim.

“Ma merr mendja se e kuptoni se në çfarë telashesh e ke futur veten”, tha ai duke m’i ngulur sytë e tij të gjelbër si kobër në të mitë. “Tani je në raftin e shkrimtarëve të njohur dhe duhet të bësh çmos për ta merituar”.

Ishte opinioni i tij ai që mund të ndikonte tek unë po aq sa ai i Uliksit dhe unë që isha shtangur në vend. Por para se ta përfundonte, ndava mendjen t’i paraprija me atë që e konsideroja atëherë dhe që gjithnjë e kam konsideruar, si të vërtetë të palëkundshme: “Ai tregim është një copë muti”.

Ai ma ktheu me një siguri të hatashme se nuk mund të thoshte ende asgjë sepse kishte kohë vetëm sa për t’ia hedhur një sy. Por shpjegoi se, edhe nëse nuk vlente për pesë pare siç pretendoja unë, nuk ishte e mjaftueshme që unë ta sakrifikoja mundësinë e artë që po ma ofronte jeta.

“Sidoqoftë, tregimi tashmë i përket të kaluarës”, konkludoi ai. “Me rëndësi tani është tregimi i radhës”.

Unë mbeta pa fjalë si torollak, saqë po prisja argumente të kundërta derisa s’e kuptova se nuk kisha marrë asnjë këshillë më të urtë se e tij. Ai nuk lëkundej prej të vetes, se së pari duhet shkrirë rrëfimin, pastaj të merresh me stilin, porse secili varej prej tjetrit në formën e një shërbimi të ndërsjellët, që ishte shkopi magjik i klasikëve. Ai i kushtoi edhe pak kohë opinionit të tij, që e përsëriste shpesh, se duhej t’i lexoja grekët me mish e me shpirt, dhe jo vetëm Homerin – të vetmin që e kisha lexuar, sepse më ishte kërkuar për diplomim. Ia dhashë fjalën se do t’i lexoja dhe doja të dëgjoja emra të tjerë, por ai ndërroi temën dhe nisi të fliste për The Counterfeiters të André Gides që e kishte lexuar në fundjavë. Asnjëherë nuk pata zemër t’i tregoja se muhabeti ynë mund ta ketë përcaktuar rrjedhën e jetës time. Tërë natën nuk e bëra asnjë sy gjumë, duke mbajtur shënime për tregimin e radhës, që nuk duhej t’i ngërthente hiletë e të parit.

Një mendje më thoshte se ata që më flisnin për tregimin më pak ishin mahnitur prej vetë tregimit – të cilin, mbase, nuk e kishin lexuar fare dhe po qe se e kishin lexuar, nuk e kishin kuptuar – se prej vetë faktit se ishte botuar me një lavdërim të pazakonshëm në një faqe kaq të rëndësishme gazete. Ku dua të dal.

Fillimisht mora vesh se dy të metat e mia të mëdha ishin dy të metat më të mëdha të mundshme: ngathtësia e të shkruarit tim dhe injoranca ime ndaj loçkës së zemrës së njeriut. Dhe, po të dyja ishin fort të dukshme në tregimin tim të parë, që ishte një meditim konfuz, abstrakt, i përkeqësuar edhe më shumë prej abuzimit të emocioneve të sajuara.

Teksa po gërmoja thellë për situata nga jeta reale për tregimin e dytë, u kujtova se njëra prej grave më të bukura që kisha njohur si fëmijë, më kish treguar se sa shumë dëshironte të ishte brenda maces së këndshme që po e përkëdhelte në prehër. “Sepse, macja është më e bukur se unë”. Kjo ishte pika që më shkarkoi prej presionit për boshtin e tregimit të dytë, si dhe më nxori një titull atraktiv: “Eva brenda maces së saj”. Pjesa tjetër, sikurse tregimi i parë, do të sajohej prej hiçit, për të njëjtën arsye – sikur na pëlqente atyre ditëve të thoshim – ngërthente brenda vetes farat e destruktimit të vet.

Ky tregim ishte botuar me të njëjtin lavd si i pari, të shtunën e 25 tetorit 1947, dhe ishte ilustruar prej piktorit Enrique Grau, një yll në ngritje në qiellin e Karaibeve. U shtanga kur miqtë e mi e morën këtë si ndodhi të zakonshme dhe mua si shkrimtar të njohur. Unë, në anën tjetër, vuaja sherri i gabimeve, dyshoja në suksesin tim, por ia dola mbanë ta mbaja gjallë shpresën time. E mira e të mirave erdhi disa ditë më vonë, kur Eduardo Zalamea, duke përdorur pseudonimin e vet të zakonshëm, Uliks, kish shkruar një shënim në kolumnen e përditshme në El Espectador. I kishte rënë trup: “Lexues të Fin de Semana, shtojca letrare e kësaj gazete ka vënë në pah shfaqjen e një talenti të ri dhe origjinal me personalitet të fuqishëm”. Dhe shkonte edhe më larg: “Në imagjinatë mund të ndodhë gjithçka, por të dish të tregosh me natyrshmëri, thjeshtësi dhe pa trazim perlën e nxjerrë, nuk është diçka që mund ta arrijnë të gjithë 21-vjeçarët që porsa kanë nisur lidhjen e tyre me letrat”. Dhe nxirrte përfundimin, pa asnjë hezitim: “Në García Márquez lindi një shkrimtar i ri dhe i shquar”.

Ky shënim më nxiti një tronditje lumturie. Si të mos ma sillte! Por, njëherësh, më acaronte se Zalamea nuk kishte lënë asnjë shtegdalje për arratisje. Tani që kish thënë çfarë kish thënë, shtrëngohesha ta interpretoja bujarinë e tij si thirrje ndërgjegjes time që nuk do të më ndahej gjatë gjithë jetës.

Pavarësisht bishtnimit tim kronik dhe neglizhencës për t’u kritikuar, e kalova lehtë vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë falë mësimit ngutshëm sa për sy e faqe dhe në provimet më të rënda kalova duke përdorur hiletë e mia të vjetra. T’ju them të drejtën, nuk ndihesha rehat dhe nuk e dija si do të vazhdoja në këtë rrugë pa krye. Fort pak e njihja ligjin, edhe më pak kisha treguar interesim se për çdo lëndë tjetër gjatë studimeve në liceo dhe mendoja se isha boll i pjekur sa për t’i marrë vetë vendimet e mia. Shkurt e shqip, pas gjashtëmbëdhjetë muajsh të mbijetimit tim të mrekullueshëm, krejt çfarë kisha përfituar prej fakultetit ishte një grup miqsh të mirë me të cilët do të kaloja kohë gjatë gjithë jetës.

Interesimi im sipërfaqësor për drejtësinë ishte edhe më i cekët sesa duket, se e kishte vërejtur edhe Uliksi. Në universitet disa studentë të tjerë nisën të më drejtoheshin me Mjeshtër dhe më prezantonin si shkrimtarë. Kjo rastisi me zellin tim për të mësuar si të thurja një tregim që do të ishte edhe i besueshëm, edhe fantastik por, pa të çara. Kisha një mal me modele të largëta ideale, si “Edipi Mbret” i Sofokliut, protagonisti i të cilit zbardh vrasjen e babait vetëm pasi e merr vesh se ai vetë ishte dorasi; “The Monkey’s Paw” të W. W. Jacobit, tregimi i përsosur në të cilin gjithçka që ndodh është aksidentale; “Boule de Suif” të Maupassantit dhe të shumë mëkatarëve të tjerë të mrekullueshëm, dashtë Zoti i ruajttë në mbretërinë e Tij të shenjtë!

Edhe unë u zhyta në një të diele mbrëma kur më në fund edhe mua më ngjau diçka që ia vlen të rrëfehet. Kisha kaluar pothuajse krejt ditën me nxjerrjen e dufit si shkrimtar me Gonzalo Mallarinon në shtëpinë e tij në Avenida Chile dhe, derisa po kthehesha në pensión, dritat e makinës ndriçuan njeriun me brirë në stacionin Chapinero. Nuk po gaboj: Thashë një njeri me brirë. Pashë se asnjëri prej pasagjerëve në makinën në mesnatë nuk u befasua kur e pa njeriun me brirë dhe kjo më bëri të mendoj ai ishte thjesht një prej burrave me kostume që kishte shitur një mori gjërash të dielave në parqet e fëmijëve. Por realiteti ma mbushi mendjen se nuk duhej të kisha dyshime: brirët dhe mjekra e tij ishin të egra si të një dhie, dhe kur më kaloi përskaj, po ia ndieja kundërmimin në gëzof. Me sjelljet e një kryefamiljari u largua para Calle 26, rruga ku ndodheshin varrezat, dhe u zhduk në mesin e druve në park. Pas gjysmë nate sytë katër prej rrotullimit nëpër shtrat, Domingo Manuel Vega më pyeti se çka nuk po shkonte. “Një njeri me brirë hipi në makinë”, i thashë, gjysmëfjetur. Ai ishte kthjellur mirë kur ma ktheu nëse përjetova ankth, mund të ketë ndodhur për shkak të telasheve me tretje, tipike për të dielat, por nëse bëhej fjalë për subjektin e tregimit tim të radhës, do të ishte fantastike. Të nesërmen në mëngjes nuk e dija nëse kisha parë një njeri me brirë në makinë ose nëse ishte një halucinacion. Nisa t’ia pranoja vetes se më kishte zënë gjumi, i lodhur në fund të ditës, dhe se pashë një ëndërr që ishte aq e gjallë saqë nuk po mund ta ndaja nga realiteti. Por, në fund, gjëja e domosdoshme për mua nuk ishte nëse njeriu me brirë ishte i vërtetë, porse e përjetova atë përvojë si të ishte e përnjëmendtë. Dhe për të njëjtën arsye, reale apo të ëndërruar, nuk ishte legjitime ta konsideroja këtë si magjepsje e imagjinatës. Ishte, në fakt, një përvojë e hatashme në jetën time.

Tregimin e shkrova të nesërmen pa lëvizur vendi, e futa nën jastëk dhe e lexova e rilexova disa net me radhë para se të bija në gjumë dhe kur zgjohesha në mëngjes. Ishte një përshkrim i fjalëpërfjalshëm i episodit të makinës në rrugë, bash qysh kishte ndodhur dhe me një stil pafajësie si ajo puna e leximit të njoftimeve të thata. Në fund, megjithëse s’po më shkoqeshin dyshime të reja, ndava mendjen ta dorëzoja për botim jo në El Espectador, por në shtojcën letrare në El Tiempo. Mbase për mua kjo ishte një mënyrë të përballesha me një gjykim ndryshe prej atij të Eduardo Zalameas dhe të mos e përfshija atë në aventurën të cilën nuk kishte asnjë arsye ta ndante me mua. Tregimin e dërgova me një mik timin nga pensióni, bashkë me një letër për Don Jaime Posadan, redaktorin e ri dhe riosh të Suplemento Literario të El Tiempos. Por tregimi nuk m’u botua dhe nuk ma ktheu kurrkush letrën.

Botimet në El Espectador, në margjina të suksesit letrar, më krijuan probleme të tjera larg më mahnitëse. Miqtë e udhëzuar gabimisht më ndalnin në rrugë që të më kërkonin hua që do t’i shpëtonin sepse nuk mund ta merrnin me mend se një shkrimtar me ngritje kaq të madhe nuk kishte marrë para të majme për tregimet e tij. Pakkush më besoi kur ua tregova të vërtetën troç: Nuk më kishin dhënë asnjëherë asnjë metelik të vetëm për tregimet dhe as që prisja madje, sepse nuk ekzistonte ajo traditë në shtypin e vendit. Madje larg më serioz ishte zhgënjimi i babait kur mori vesh se nuk mund t’i mbuloja as shpenzimet e mia në kohën kur tre prej njëmbëdhjetë fëmijëve të tij ishin në shkollë. Familja më dërgonte tridhjetë pesos në muaj. Vetëm pensióni më kushtonte tetëmbëdhjetë sosh, pa kurrfarë të drejte për të blerë vezë për mëngjes dhe, gjithnjë më duhej të bëja çare me ato para për shpenzimet e paparashikuara. Nuk e di kur kisha nisur shprehinë e bërjes së skicave në margjina të gazetave, në peceta restorantesh, në tavolinat e mermerta të kafeneve, por një takim i rastësishëm me një të njohur nga El Molino, i cili kishte mjaftueshëm ndikim në një ministri për t’u emëruar si skicues, pa pasur edhe idenë më të vogël si vizatohej, propozoi që unë ta bëja punën e tij dhe ne ndanim pagën. Kurrë më në jetë nuk jam përballur më afër me joshjen për t’u korruptuar, por edhe po aq afër sa u pendova.

Interesimi im për muzikën nisi të ngrihej me kalimin e kohës përderisa këngët e njohura të Karaibeve – me të cilat isha mësuar qysh në kohën sa isha në gji të nënës – nisën të depërtonin në Bogota. Programi radiofonik me audiencën më të madhe ishte “Ora Bregdetare”, nën nikoqirllëkun e Don Pascual Delvecchios, njëfarë ambasadori i muzikës nga Bregu Atlantik. Emetohej të dielave mëngjesore dhe i doli nami aq shumë saqë ne studentët nga Karaibet shkonim në zyrat e radiostacionit për të vallëzuar deri pasdite vonë. Ai program ishte thelbi i popullaritetit të përnjëhershëm të muzikës sonë në brendësinë e vendit dhe më vonë deri në cepat më të skajshëm; madje studentëve nga bregdeti ua ofronte mundësinë për ngritje shoqërore në Bogota.

Disavantazhi i vetëm për studentët nga Karaibet në kryeqytet ishte spektri i martesës së detyruar. Nuk e di çfarë precedentësh të ligë kishin fuqizuar bindjen se vajzat në Bogota ishin qepur pas djemve nga bregdeti dhe na sajonin kurthe në shtrat që të na shtrëngonin të martoheshim me to. Dhe këtë nuk e bënin në emër të dashurisë, por ngaqë shpresonin të jetonin me dritare me pamje kah deti. Kurrë s’e kam besuar. Përkundrazi, kujtimet më të parehatshme të jetës time janë ato të bordeleve ogurzeza në periferi të Bogotës, ku ne shkonim ta shtrydhnim alkoolin. Më i ndyri prej të gjithëve ishte ai kur një grua me të cilën porsa isha në shtrat, doli lakuriq në korridor, duke më akuzuar me britma se ia kisha vjedhur dymbëdhjetë pesos nga sirtari. Dy banditë të shtëpisë publike m’u hodhën sipëri dhe, meqë nuk u kënaqën me zbrazjen e xhepave të mi ku m’i gjetën vetëm dy pesos që më kishin ngelur pas një seance shkatërruese dashurie, më zhveshën gjithçka, madje m’i hoqën edhe këpucët, për të kërkuar nëse kisha ndonjë para të vjedhur. Ata kishin ndarë mendjen të mos më vrisnin, por të më dorëzonin në polici kur gruas iu kujtua se kishte ndërruar dhomën një ditë më parë, ku edhe do t’i gjente paratë qysh i kishte lënë.

Nuk kaloi shumë kohë para se ta ndaja mendjen të mos shkoja më të humbja kohë kot në Fakultetin e Drejtësisë, por nuk kisha guximin për t’u konfrontuar me prindërit njëherë e përgjithmonë. Ata më thanë se ishin shumë të kënaqur me rezultatet e notat e vitit të parë saqë do të më dërgonin ta blija – nën kujdesin e vëllait tim, Luis Enrique, i cili kishte ardhur në Bogota dhe kishte gjetur punë të mirë në shkurtin e vitit 1948 – makinën më moderne dhe më të lehtë të shkrimit në treg si dhuratë befasuese. Ishte shtypshkronja ime e parë dhe, mbase, më fatkeqja, për shkak se po atë ditë e lamë si garanci për dymbëdhjetë pesos me qëllim që ta vazhdonim ndjenjën e mikpritjes me vëllanë dhe me miqtë nga pensióni. Të nesërmen, me kokat që desh po na dilnin vendit prej dhimbjes, shkuam në dyqanin e gjërave lënë peng që të siguroheshim se makina e shkrimit ende ishte aty e paprekur dhe se do të mbetej në gjendje të mirë derisa t’ia kthenim paratë që do të na binin nga qielli. Ne kishim një mundësi të mirë pa shfrytëzuar me paratë që skicuesi i rrejshëm m’i kishte paguar, por në minutën e fundit ndamë mendjen të mos i kthenim paratë. Sa herë që unë dhe vëllai i binim kah dyqani i gjërave të lëna peng, bashkë ose vetëm, do ta shihnim nga rruga se makina e shkrimit ende ishte aty, mbështjellë si një perlë me letër celofani në mesin e pajisjeve të ndryshme shtëpiake të ruajtura mirë. Pas një muaji, kalkulimet për qejfi që i kishim bërë gjatë euforisë së dehjes tonë ende nuk ishin përmbushur, por makina e shkrimit ishte e sigurt dhe e paprekur në vendin e vet dhe do të vazhdonte të ruhej aty derisa të mund ta paguanim normën e interesit katërfish më të lartë se fillestarja. /Revista “Akademia”/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Piruni

Piruni

Daut Dauti
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
Sabahetja e Prishtinës

Sabahetja e Prishtinës

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kalo në kategori