LAJMI I FUNDIT:

Si do të zhvillohet pushtimi tokësor i Gazës dhe pse Izraeli do të dështojë

Si do të zhvillohet pushtimi tokësor i Gazës dhe pse Izraeli do të dështojë

Nga: Paul Rogers, studiues dhe profesor emeritus në Universitetin e Bradfordit / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), janë gati t’i fillojnë operacionet tokësore në veri të Gazës, ndërsa rezultati i synuar është i qartë – shkatërrimi i Hamasit. Por, përvoja e mëparshme bën me dije se pavarësisht se janë forcë shumë më superiore ushtarake, ato forca do të dështojnë.


Izraeli është duke e planifikuar një operacion “trefazor”. Faza e parë ka filluar me bombardimin intensiv ajror dhe do të vazhdojë me operacionet tokësore që synojnë “neutralizimin e terroristëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit”, gjithnjë sipas fjalëve të ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant.

Faza e dytë do të përfshijë shkatërrimin e çdo rezistence të mbetur dhe kjo do të pasohet nga faza përfundimtare me krijimin e një zone të konsiderueshme neutrale [buffer zone] rreth Gazës. Me humbjen e Hamasit, rripi do të shkëputet nga Izraeli dhe me sa duket do të mbetet përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar, ndoshta duke përfshirë sigurimin e energjisë, ujit, ushqimit dhe nevojave të tjera.

Që nga viti 2008, kjo është lufta e pestë midis Hamasit dhe Izraelit. Katër luftërat e mëparshme dhe dhuna që ndërlidhej me to, kanë marrë jetën e 5 365 palestinezëve dhe të 308 izraelitëve. Në luftën aktuale, u vranë të paktën 1 400 izraelitë, përfshirë 279 ushtarë, ndërsa 3 400 të tjerë u plagosën më 7 tetor. Deri tash – në reagimin e gjerë të IDF-së – rreth 6 000 palestinezë janë vrarë, përfshirë këtu mbi 2 000 fëmijë dhe më shumë se 16 000 të plagosur. Janë vrarë edhe 29 punonjës humanitarë të OKB-së.

Vetëm në njërën prej luftërave të mëparshme, të korrikut 2014, IDF-ja ndërmori inkursion të madh tokësor – dhe, brigada e saj elitare, Golani, më pas pësoi humbje serioze. Kjo dhe gatishmëria e supozuar e Hamasit e bën gati të sigurt faktin se përpara çdo sulmi tokësor, IDF-ja këtë herë do të përdor fuqi shumë të rëndë ajrore. Shkatërrimi i qyteteve (shkatërrimi i një zone urbane përpara se të përfshihen trupat tokësore) është tipar i shpeshtë i luftës moderne, pavarësisht nëse është Rusia në Çeçeni dhe në Ukrainë ose koalicioni i udhëhequr nga ShBA-ja në Irak – veçanërisht shkatërrimi i qytetit të vjetër të Mosulit, vetëm gjashtë vjet më parë.

Në Gazë, shumë distrikte të tjera do të shkatërrohen dhe tunelet e infiltrimit do të goditen pa prá – shumë prej tyre me bombën amerikane GBU-23, të njohur si “shkatërruesja e tuneleve”. Izraeli tashmë ka rreth 100 të tilla dhe mund të ketë ndonjë GBU-72 më të avancuar.

Duke pasur parasysh vendosmërinë e plotë të qeverisë së Benjamin Netanyahut për të shkatërruar Hamasin, me mijëra palestinezë të tjerë do të vriten dhe dhjetëra mijëra do të plagosen. Nëse lufta rastësisht përfundon, palestinezët e Gazës ka të ngjarë të përmbahen në një zonë shumë më të vogël dhe të nënshtrohen ndaj mbikëqyrjes intensive.

Nga këndvështrimi i Izraelit, kjo na çon te rreziqet strategjike,. Në vend të shuarjes së Hamasit, lufta do të rezultojë me dhjetëra mijëra të rinj palestinezë të zemëruar që do të bashkohen me këtë organizatë ose me një pasardhëse të saj të ngjashme.

Nëse supozohet se kjo do të zbutet nga mbikëqyrja e rëndë e dy milionë palestinezëve të grumbulluar në një pjesë të vogël të Gazës, atëherë kjo e injoron atë që po ndodh në Bregun Perëndimor. Atje, më shumë se tre milionë palestinezë jetojnë nën një okupim që vetëm se është përkeqësuar nën qeveritë e linjës së ashpër të Netanyahut.

Për më tepër, Bregu Perëndimor në dy aspekte thelbësore është shumë më ndryshe se Gaza. Njëri është zgjerimi i shpejtë i vendbanimeve izraelite të cilat paraqesin një kombinim të fuqishëm të ultranacionalizmit dhe fondamentalizmit fetar mes kolonëve. Kjo me të madhe mbështetet nga partitë fetare në qeverinë e Netanyahut, disa me pikëpamje të theksuar “kahaniste” për palestinezët.

I dyti është se vendbanimet janë kaq të përhapura në gjithë atë territor, dhe shumë kolonë janë aq të vendosur për të ushtruar kontroll, saqë janë shumë të larta tensionet me popullsinë shumicë palestineze. Grabitja e fundit e tokës në Ein Rashash, është veçse një shembull i shkeljes së përsëritur në tokën palestineze dhe është paralelizuar me aktet e përsëritura të dhunës në gjithë territoret e pushtuara. Nga fillimi i këtij viti e deri në mesin e shtatorit, 189 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 8 000 janë plagosur.

Mizoritë e 7 tetorit do ta shtojnë vendosmërinë e kolonëve për ta forcuar kontrollin e tyre mbi më shumë territore, por IDF-ja do të hezitojë të përfshihet nga afër në atë që mund të jetë luftë urbane. Sapo ka ndodhur një sulm i rrallë ajror në një vend të dyshuar të Hamasit/Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) në Jenin, por angazhimi i IDF-së në Bregun Perëndimor më shumë ka pasur të bëjë me patrullimet intensive tokësore.

Megjithatë – ndonëse këto trupa rezistuan – në një incident në fillim të vitit, një prej transportuesve të personelit të blinduar më modern të IDF-së, të projektuar posaçërisht për përdorim në Bregun Perëndimor, u sulmua dhe u paaftësua në një sulm pranë Jeninit. Përgjigja e IDF-së ishte përdorimi i forcës masive në një inkursion të rrallë ushtarak të drejtpërdrejtë në kampin e afërt të refugjatëve në Jenin. Kjo pritej të kufizonte aktivitetin paraushtarak, por sulmi ajror i fundjavës dëshmon se po dështon.

Në thelb, shkatërrimi intensiv i Gazës mund të zhvillohet duke e zhvendosur vendin e konfliktit në Bregun Perëndimor, në vend që konflikti të përfundojë. Në një pjesë të madhe të jugut global dhe veçanërisht në shtetet e Lindjes së Mesme, po rritet disponimi anti-Izrael, gjë që parqet ndryshim rrënjësor nga mbështetja e ofruar më 7 tetor dhe menjëherë pas saj. Hamasi tashmë ka mbështetje në Bregun Perëndimor, ndërsa paaftësia dhe korrupsioni i Autoritetit Palestinez, këtë autoritet po e bëjnë të parëndësishëm. Teksa fokusi aktual ndërkombëtar është i pashmangshëm në Gazë, po humbet rëndësia e Bregut Perëndimor si dhe potenciali i tij për të qenë vend i lëvizjes neo-Hamas.

Qasja e përgjithshme e qeverisë Netanyahu, problemin po e bën shumë më të vështirë edhe më të keq. Ende është i pamundur armëpushimi për qëllime humanitare dhe kjo nuk do të ndodhë nëse në mënyrë specifike nuk kërkohet nga ShBA-ja, Britania dhe BE-ja. Nëse këtë nuk e bëjnë, do të mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për atë që do të ndodhë më pas. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

La Liga
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Lajme
Kalo në kategori