Si të kuptojmë nëse kemi probleme vaskulare? Flet doktori Halil Krasniqi

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, kirurgu vaskular Halil Krasniqi ka ndarë me dëgjuesit shenjat kryesore që tregojnë për probleme me enët e gjakut dhe arteriet.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme të dimë si të vërejmë shenjat e hershme të sëmundjeve vaskulare, për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar komplikimet serioze.
Por, si mund ta dallojmë nëse kemi probleme vaskulare?
“Nëse e vëren distancën e të ecurit që është ngadalësuar me kohë atëherë është problem i ishemisë periferike, nëse veshkat nuk funksionojnë siç duhet apo është tension i lartë i gjakut mund të ketë ngushtim të arterieve të veshkave. Nëse për një kohë humb peshë dhe ka dhimbje pas ushqimit, kryesisht janë femrat mbi moshën 30-vjeçare është ngushtim i enëve të gjakut të cilat e furnizojnë zorrën e hollë, zorrën e trash, lukthin dhe mëlçinë me gjak. Nëse shihet që këmbët janë të ftohta duhet të kërkohet kirurgu vaskular. Nëse njeriu ka pengesa në shqisat e të pamurit, sheh dy fotografi apo terr para syve duhet kontroll të arterieve të qafës”, ka thënë Krasniqi.
Halil Krasniqi thekson se vëmendja ndaj këtyre shenjave është thelbësore për një diagnozë të hershme dhe trajtim të suksesshëm të sëmundjeve vaskulare. /Telegrafi/




















































